E Shtunë, 31 Tetor 2026

Empatia

Shpesh nuk jemi të sigurt se si krijohen tek ne ndjenjat dhe emocionet për një vepër arti. Nga përvoja e përditshme ne mendojmë se muzika, piktura, letërsia, drama na japin neve emocione. Por ka edhe teori të cilat vërtetojnë të kundërtën. Kjo teori quhet Empatia ose Einfuhlung në gjermanisht. Empatia është përpjekje për të riprodhuar në vetvete ndjenjat e tjetrit, me qëllim që ta kuptojë atë.

Njeriu ose psikologu përpiqet që të riprodhojë ndjenjat e tjetrit ose të klientit me qëllim për të ndërhyrë në psikikën e tij dhe pastaj për ta këshilluar për një çështje ose çrregullim të caktuar. Empatia shfaqet në formë të caktuar në përjetimin e ndjenjave të personazhit të dramës nga ana e aktorit që e interpreton.

Në empati njeriu ndien atë që e mundon tjetrin, që përjeton në një situatë të caktuar. Teoria e Empatisë përdoret shumë edhe në fushën e artit. Psikologë të ndryshëm arti i kanë dhënë rëndësi të veçantë kësaj teorie dhe aftësisë së saj për të ndikuar tek fusha e artit. Shumë vepra arti të mëdha të letërsisë, pikturës ose muzikës janë të “krijuara” shpesh nga aftësia jonë për të transmetuar emocione të cilat u japin jetë këtyre veprave. Kjo është gjithmonë e lidhur me sferën emocionale. Teoria e njohur si Einfuhlung (Empatia) në letërsinë psikologjike është teori efektive. Kjo teori është zhvilluar nga Lipps, që ka qenë një psikolog arti. Ajo niset nga një koncept i kundërt i ndjenjës emocionale.

Teoria e ndjenjës emocionale pretendon se vepra e artit na jep neve emocione të cilat ne i përjetojmë ato në një periudhë të caktuar kohe. P.sh., sipas teorie, “Simfonia e pestë” e Bethovenit, “Vëllezërit Karamazov” e Dostojevskit, “Davidi” i Mikelanxhelos, kënga jonë popullore, vepra e Fishtës ose Kadaresë na japin neve emocione të pakrahasueshme. Por, sipas teorisë Einfuhlung, emocionet nuk krijohen tek ne prej veprës së artit. Pra, emocionet nuk krijohen tek ne, p.sh., prej këtyre veprave të artit që përmenda më lart. Elementi artistik nuk prezanton “tingullin” tek ne. Jemi ne ata që paraqesim emocionet tona në një vepër arti. E tillë është natyra e psikikës sonë, që insinuon veten në fenomenet fizike, në rastin tonë në një vepër arti. Pra, sipas Einfuhlung, jemi ne që e bëjmë veprën e Bethovenit, Dostojevskit, Mikelanxhelos dhe këngën tonë popullore etj.

Einfuhlung është kundërveprim ndaj ngacmimit. Ne prezantojmë kundërveprimet tona në një vepër arti. Teoria e ndjenjës emocionale që pretendon se vepra e artit na jep neve emocione thotë se kënga, piktura ose letërsia dhe drama krijojnë tek ne emocione të formave të ndryshme. Kurse sipas Einfuhlung, jemi ne ata që bëjmë këngën, pikturën, letërsinë, dramën. Pra jemi neve ato ose psikika jonë, e cila e bën veprën e artit. Ne nuk mund të mohojmë se Einfuhlung është pjesë e gjithëpranishme e perceptimit tonë. Kështu, ajo nuk mund të ketë ndonjë kuptim specifik “estetik”. Shpesh perceptimi për psikologjinë e artit nuk është shumë “i rëndësishëm”. Një vepër arti shkakton dy lloje ndikimesh tek ne.

Së pari, ajo jep një bashkëndikim.

Myller Freienfels thotë se një vepër arti shkakton dy lloje ndikimesh tek ne.

Duke përjetuar xhelozinë e Otellos dhe terrorin e Makbethit tek fantazma e Bankos kemi të bëjmë me një bashkëndikim në anën tonë, frikësimi për Dezdemonën përpara se ajo të kuptojë se është në rrezik, është ndikimi ynë dhe duhet dalluar nga bashkëndikimi, tek Shekspiri.

Në fakt, disa teori e injorojnë “bashkëndikimin” dhe shpjegojnë vetëm ndikimin tonë në një vepër arti. Disa teori injorojnë “bashkefektet” dhe një teori tjetër merret ekskluzivisht me bashkefektin.

Por, e shikuar nga një këndvështrim tjetër, bashkëndikimi dhe bashkefekti kanë një rol shumë të rëndësishëm në të bërit e veprës së artit. Sipas teorisë së komunikimit, është vepra e artit ajo që komunikon me ne, pra që na jep emocione, por si në të gjitha sferat, edhe këtu ka rol fed-back-u, pra me kthimin prapa të emocioneve tek vepra e artit. Gjithashtu sipas Einfuhlung, jemi ne ata që bëjmë veprën e artit, pra që komunikojmë me veprën e artit, njëkohësisht edhe në këtë variant takojmë një fed-back tjetër, me një kthim prapa të emocioneve dhe afekteve. Pra, komunikimi i ndjenjave e emocioneve është i ndërsjellë. Kjo, sipas teorisë së Watzlawick, që thoshte se “komunikohet”.

Kështu që bashkëndikimi dhe bashkefekti kanë një rol të rëndësishëm në të bërit e veprës së artit. Ne përjetojmë pjesërisht afektet. Zakonisht, ne përjetojmë një pasion në llogari të ndjenjave të dikujt tjetër. Einfuhlung shton vlerat tona. Kjo teori shpjegon lidhjen nëpërmjet ndjenjave tona dhe objekteve që ne perceptojmë.

* Pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›