E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha – Fullani. Debati për rritjen e pagave



Debati se a do sillte inflacion rritja e pagave dhe pensioneve që realizoi qeveria në muajin korrik, vazhdon edhe sot. Kjo, sepse akoma Guvernatori vazhdon ta shikojë si shkak, në një kohë që qeveria e shikon si një veprim që zbuti pasojat e inflacionit. Qëndrimi i Guvernatorit u përsërit në 12 gusht 2008, në një takim në qytetin e Kukësit, ku ndër të tjera theksoi: “Në rrafshin kombëtar, si zhvillimin më të spikatur, do të evidentoja imunitetin që shfaqi ekonomia jonë në drejtim të stabilitetit të çmimeve, në rrethanat kur aktiviteti ekonomik i vendit po ecën sipas pritshmërive tona të mëparshme. Disa ditë më parë INSTAT-i publikoi shifrën e inflacionit për muajin gusht 2008, sipas të cilës inflacioni vjetor u ndal në nivelin 2,5 për qind. Pas një periudhe 12-mujore me norma inflacioni rreth nivelit 4 – 4,5 për qind, në përputhje dhe me parashikimet tona, vlerësohet se në muajt në vazhdim inflacioni do të luhatet rreth vlerës 3 për qind, aq sa ç’është dhe vlera sasiore e objektivit tone”… “Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se rreziqet për devijimin e tij në rritje janë ende prezente dhe më së shumti, lidhen me zhvillimet ndërkombëtare që përmenda më sipër. Në planin e brendshëm, siç e kam përmendur edhe më parë, rreziqet kryesore janë të lidhura me ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatës energjetike, si dhe me implikime të mundshme të situatës fiskale në të ardhmen. Për momentin, rreziku më i madh vjen nga efektet e vonuara që shkaktojnë disa zhvillime të caktuara si për shembull, rritja e pagave përtej një niveli logjik të pranuar (ndryshe quhen efekte të raundit të dytë). Çdo rritje e tillë nuk do të bënte gjë tjetër vetëm se do të gjeneronte inflacioni të ri, duke imponuar një rritje tjetër pagash, e cila nga ana saj do të prodhonte përsëri dhe përsëri inflacion. Më lejoni të sqaroj se kjo nuk është rruga e duhur. Spiralet paga – inflacion janë studiuar relativisht herët dhe përbëjnë recetat më pak të përshtatshme, në kompensimin e pasojave të inflacionit”.

Siç shihet, Guvernatori i BSH-së vazhdon të ngulë këmbë se rritja e pagave dhe pensioneve në mos ka sjellë, do sjellë si pasojë rritjen e inflacionit. Këtë mendim e ka shprehur që në muajin maj të 2007-ës. Në analizën time të17 majit 2008 kam argumentuar se në kushtet aktuale të ekonomisë shqiptare nuk është eficiente spiralja pagë – çmim – inflacion. Ato që kam argumentuar në atë periudhë, u provuan plotësisht në këtë periudhë 5-mujore. Ja si e kam analizuar problemin e spirales në muajin maj, analizë së cilës i qëndroj edhe sot.

Inflacioni shqiptar, ashtu siç e kemi thënë në analiza të tjera, është i tipit skandinav, përgjithësisht i importuar dhe jo inflacion klasik monetar nga ana e kërkesës. Në këtë lloj inflacioni, pra në inflacionin nga kërkesa, do të ndikonte BSH-ja në rritjen apo rënien e tij, në të kundërt jo. Përkundrazi, një politikë rrudhëse monetare si ajo që ka zbatuar dhe vazhdon të aplikojë BSH-ja, sjell për pasojë tërheqjen e lekut nga qarkullimi, dukuri e cila ka për pasojë disbalancimin e sasisë së valutës dhe lekut në tregun e valutës. Ky disbalancim sjell mbiçmimin e lekut shqiptar, duke stimuluar importet dhe frenuar dukshëm zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë shqiptare.

Çfarë qëndrimi mbajtën përfaqësuesit e qeverisë në atë periudhë?

Sherefedin Shehu, zv.ministër i Financave, ka theksuar për problemin e rritjes së pagave, pensioneve e të inflacionit. “Në këtë buxhet shtesë përparësi do vazhdojnë të kenë investimet dhe sidomos infrastruktura, por njëkohësisht në buxhetin ekzistues dhe në rishikimin që do të bëhet në buxhetin shtesë do të vazhdojmë me politikën e krijimit të kontigjencave të mjaftueshme, të cilat do të kontribuojnë në zbutjen dhe eliminimin e risqeve të mundshme fiskale, të rritjes së inflacionit apo të risqeve të tjera”… “Të dhënat e bëra publike për inflacionin tregojnë se ai është 4%, duke qëndruar brenda objektivave tona, megjithatë ne diskutuam me misionin e FMN-së për rreziqet e mundshme dhe kemi konsideruar dhe vazhdojmë të konsiderojmë ato duke marrë masat me qëllim që të kenë efekte minimale mbi popullsin딅 “Vërehet një performancë e mirë në vjeljen e të ardhurave dhe kjo performancë do të na ndihmojë dhe do të përdoret për uljen e presioneve inflacioniste dhe për të kontribuar gjithashtu për rritjen ekonomike të vendit tonë”.

Shikoni: nëse vendosim përballë Fullanin si përfaqësues të BSH-së dhe Shehun si përfaqësues të qeverisë, kemi dy koncepte të ndryshme, të përplasshme, që unë do t’i shikoja si të kundërta, që vazhdojnë të thellohen me qëndrimin e sotëm të Fullanit. Qeveria kërkon që me masat e saj ta shoqërojë inflacionin në ecurinë e tij, duke marrë masa për zbutjen në maksimum të efekteve të tij, në krahun tjetër Fullani, i cili me çdo mënyrë kërkon të mbajë inflacionin nën kontroll, ngase inflacioni shihet si fenomen i spirales inflacion – pagë – inflacion.

Përvoja dhe fakti i gjashtëmujorit të dytë të vitit 2007 dhe tremujori i parë i këtij viti kanë provuar katërcipërisht se BSH-ja nuk e kontrollon dot inflacionin, le më ta kufizojë atë në 4%. Veprimi i qeverisë Berisha në tremujorin e katërt ishte më i mundshmi dhe më i drejti, pasi rritja e pagave dhe indeksimi në përgjithësi nuk e frenuan inflacionin, por zbutën efektet e tij, pasi u rrit paraja në qarkullim. Kjo rritje paraje në qarkullim nuk solli ndonjë periudhë inflacioniste për llogari të “spirales inflacion – pagë – inflacion”, përkundrazi, me një punë të thjeshtë të institucioneve përkatëse nuk u ndie rritja e çmimeve, siç qe ndier në vite të tjera në periudha të tilla festash. Veprimi i BSH-së me synim frenimin e daljes së parasë jashtë banke, as sot nuk ka dhënë efekt dhe kjo, pasi niveli i interesave të kredive me nivelin e interesave të depozitave është tepër i madh, kështu që bankat e nivelit të dytë kanë hapësira të mëdha veprimi. Nëse inflacioni ngadalësoi ritmin, kjo ishte për llogari të çmimeve të mallrave të importit dhe presionit të qeverisë mbi abuzimin e tregtarëve të pakicës dhe oligopoleve të drithërave, karburantit e prodhimeve të tjera që tentuan rritjen e çmimeve.

Aktualisht, kemi presion inflacionist nga ana e ofertës agregate dhe jo nga ana e kërkesës dhe spiralja pagë – çmim – inflacionn është e lidhur me këtë krah dhe jo me krahun e kërkesës, pavarësisht se pagat i përfshijmë në elementin C të kërkesës. Konkretisht, si provokohet ky lloj inflacioni dhe a është i mundur në Shqipëri? Ky lloj inflacioni, spiralja pagë – çmim – inflacion momentalisht nuk është i mundur në ekonominë shqiptare dhe provokohet më së pakti në rastin kur kemi dominimin e numrit të punonjësve të biznesit mbi ata buxhetorë në raporte 80/20 apo më të larta. Në Shqipëri nuk i kemi këto raporte, përkundrazi i kemi të kundërta. Kështu, punonjës buxhetorë kemi 169 mijë, të biznesit privat 243 mijë dhe në bujqësi mbi 500 mijë. Nëse përfshijmë në këto shifra edhe 520 mijë pensionistë, atëherë punonjësit që paguhen prej shtetit zënë 48% të numrit total ose duke përjashtuar bujqësinë zënë 74% të të paguarve. Po të kishim këto raporte, pavarësisht nëse do kishim faktorë (lëndë të parë apo ndihmëse) të importuar apo vendas, një rritje në koston e tyre do çonte në rritjen e nivelit të çmimeve. Rritja e nivelit të çmimeve të prodhimeve të prodhuara në vend do ulte pagën reale të punonjësve. Në këto kushte, nëse pronarët me presionin e punonjësve do rrisnin pagat, atëherë pronarët për të mbajtur në vend marzhin e tyre të fitimit, do rrisnin përsëri nivelin e çmimeve. Kështu, në këtë aspekt do kishim fenomenin e spirales pagë – çmim – inflacion. Ky fenomen nuk ka lidhje me anën e kërkesës.

Në Shqipëri është rritur niveli i çmimeve. Arsyeja kryesore është rritja e çmimit të të mirave të konsumit dhe të mirave kapitale në tregjet ndërkombëtare. Pagat në sektorin e prodhimit nuk janë rritur, pra është ulur paga reale e tyre për rezultat kemi rënie të kërkesës për mallra. Edhe oferta është ulur, sepse ka rënë kërkesa nga rritja e çmimeve. Atëherë çfarë duhet bërë? Biznesi nuk rrit pagat e punonjësve sepse vjen rritje çmimesh. Qeveria i rrit ato sepse nuk ndikojnë në rritjen e kostos së prodhimeve, por rrisin paratë në qarkullim, ofertën monetare duke rritur kërkesën dhe rritja e saj do kompensojë mosrritjen e pagave në sektorin e prodhimit. Kështu, oferta do shkojë në pozicionin e mëparshëm me çmimet aktuale, të rritura e stimuluara prej rritjes së pagave në sektorin shtetëror. Më poshtë po jap edhe thëniet e dy autorëve të dy shkollave anglosaksone dhe franceze për këtë problem.

Në “Concepts, Analisys and Applications”, USA, 1999 të Orley. M. Amos, faqe 321 thuhet: “Punës mund t’i takojë pagë e lartë për dy arsye. E para, kur puna është më shumë produktive dhe në këtë mënyrë kontribuon më shumë në prodhimet e firmës, puna i jep më shumë të ardhura firmës. E dyta, kur niveli i çmimeve është i lartë, paga nominale është e nevojshme të rritet për të kompensuar pagën reale… Megjithatë, nëse puna është vetëkompensuese kur kurba e ofertës agregate zhvendoset majtas, kjo do sjellë më tepër inflacion, më tepër çmime të larta. Ky proces, përsëri mund të jetë vetëzëvendësues. Çmimet e rritura do të sjellin paga të larta, të cilat sjellin çmime të larta, këto vetë do sjellin paga të larta dhe kështu me radhë. Shpesh, kjo dukuri i referohet spirales pagë – çmim. Spiralja pagë – çmim është inflacion i shkaktuar prej vetërritjes në pagën reale dhe në nivelin e çmimeve”.

Në “Inititiation a la Macroeconomie” të B. Bernier & Y. Simon, Paris 2001, faqe 313 thuhet: “Megjithatë, nëse çmimet e lëndëve të para ose të faktorëve të tjerë rriten, firmat janë të nxitura të rritin çmimet e prodhimeve të tyre derisa të mbajnë marzhin e fitimit të tyre. Inflacioni do të zvogëlojë të ardhurat e tyre reale, punëtorët do të kërkojnë rritje të pagave, çka do të çojë në rritjen e çmimeve… dhe kjo përkthehet prej spirales çmime – paga”.

Siç shihet, dukuria e spirales pagë – çmim – inflacion ka të bëjë me ofertën dhe jo me kërkesën, ka të bëjë me rritjen e kostos së prodhimit, pra është e lidhur me pagat në sektorin e prodhimit, të biznesit dhe jo me sektorin shtetëror. Sektori shtetëror në kapitalizëm nuk është sektor prodhues. Shteti në këtë rast provokon inflacion monetar nga kërkesa, duke provokuar rritje të ofertës monetare dhe jo inflacion nga ana e ofertës agregate. Kalimi në inflacion nga ana e kërkesës mund të ndodhë vetëm nëse do kemi mospërputhje midis diferencës së krijuar në ofertë nga rritja e çmimeve dhe sasisë së parave të hedhur në qarkullim në formën e pagave dhe pensioneve prej shtetit.

Konkluzion: Periudha nga maji deri sot tregoi se rritja e pagave dhe pensioneve nuk solli asnjë pasojë në treg për rritjen e nivelit të çmimeve. Mund të ketë abuzime me çmimet për llogari të ekzistencës së oligopoleve, por ndikimi i tyre mund të frenohet me një punë të kujdesshme të organizmave përkatës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›