E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta private e individit dhe shteti



Së fundmi, institucioni i Avokatit të Popullit u kërkoi instrumenteve të duhura shtetërore që të mos shkelin mbi dimensionet e jetës private të individëve. Ky institucion iu referua rasteve kur individë të caktuar shfaqen në ekranet televizive si “fajtorë” para se këtë verdikt ta ketë dhënë një gjykatë.

Në fakt, kjo paradë individësh bëhej dhe bëhet në rajonet e policisë së shtetit prej shumë vitesh dhe deri tani edhe vetë ekspertë të institucionit të Avokatit të Popullit e kanë kërkuar një gjë të tillë vetëm nëpër dhëmbë dhe në mënyrë informate.

Nga ana tjetër, të gjithë ata që duhet të jenë vetëm instrumente të jetës publike në vartësi të integritetit të individit dhe shoqërisë, i transmetojnë videot që shpërndajnë komisariatet e policisë dhe askush nuk jep se sa prej tyre janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat. Kjo ndodh, sigurisht, edhe për faktin se askush prej tyre nuk do të pranonte të rishfaqej më në ekranet e shumta televizive, qoftë edhe për t’u shfajësuar.

Në këtë rast askush nuk mund t’u imponohet atyre për një akt të tillë të padrejtë, i cili prish pa dyshim rregullat e jetës private dhe mbush kronikat e ekraneve. Atyre vetë u mjafton t’u shpjegojnë të gjithë të njohurve të tyre që i kanë parë si “fajtorë” në ekrane, faktin se kanë bindur gjykatën për pafajësinë e tyre, ndonëse përgjithësisht ata që dëgjojnë, janë skeptikë për këtë fakt...

Jeta private gjatë diktaturës

Pa dyshim që jeta private gjatë diktaturës ka qenë një koncept i huaj që duhej luftuar dhe asgjësuar. Partia dhe Sigurimi i Shtetit duhet t’i dinte të gjitha për të ruajtur “unitetin” parti-popull dhe popull-parti.

Megjithatë, edhe në atë kohë nuk vihej re një dukuri e tillë, që të paragjykonte fajtorë dhe të nxirrte para ekranit të vetëm televiziv të kohës. Kjo, pavarësisht se ti nuk kishe avokat mbrojtës dhe gjykoheshe mbi pozicione njëpartiake.

Në atë kohë ishin vetëm praktikat e gjyqeve në kolektiv dhe kjo pa dyshim që bëhej për të të diskretituar në sy të tjerëve. Në fakt, mendimi i kolektivit (përgjithësisht në pozita të barabarta me “të pandehurit”) jo në pak raste nxiste për zbutje të dënimit apo edhe falje.

Sot me paradat e radhës nëpër TV pa dyshim që imitohen ato gjyqe kolektive, por sot të gjithë të trajtojnë si “fajtor”, pavarësisht se këtë verdikt nuk e ka dhënë akoma një gjykatë ku individi mbrohet edhe nga një avokat profesionist që nëse nuk ke para ta paguash, ta ofron shteti.

Koncepti ynë i jetës private

Gjatë vitit 1999 kur u përfshiva në një projekt për evidentimin e krimeve kundër njerëzimit në Kosovë, ndërsa shëtisnim kampeve të shumta të refugjatëve kosovarë në Shqipëri, ekspertëve të huaj të së Drejtës Ndërkombëtare herë pas here u duhej të fotografonin persona dhe grupe të ndryshëm refugjatësh.

Në asnjë rast nuk munda të shquaj dikë prej tyre i cili të fotografonte pa marrë leje më parë nga ata, apo ato që do të fotografoheshin. Në ato vite pa dyshim që kjo dukuri më bënte përshtypje dhe në një rast të vetëm i thashë njërës prej tyre se personalisht nuk besoja se atyre do t’u vinte keq nëse fotografoheshin.

- Please, may you ask them, if they don’t mind?! (Ju lutem, a mundet t’i pyesni, nëse pranojnë të fotografohen?!) – Më tha ajo tejet e habitur nga gjesti im.

Bëra pa dyshim ç’mu kërkua dhe më duhet akoma edhe sot të reflektoj rreth asaj që përfaqësonte kultura e tyre për jetën e tjetrit. Sot, bëj të njëjtën gjë si ajo me mua, kur herë pas here shoh trupa televizive të cilat të filmojnë, pa të pyetur nëse je dakord ose jo për një gjë tillë. Po kështu bëj kur shoh se të vijnë në rrugë me mikrofon në dorë pa të kërkuar ndjesë aspak apo të pyetur nëse të pëlqen, ose jo, të dalësh në ekran…!

A duhen krijuar këto standarde?

Pa dyshim që parimisht përgjigja do të ishte pozitive dhe duke rekomanduar absolutisht shpejtësi në reagim. Kjo duhet filluar nga instrumentet shtetërore dhe publike, të cilat parimisht ndërtojnë jetën publike të vendit në favor të jetës dhe integritetit të individit dhe shoqërisë.

Nëse shtypi dhe mediat elektronike do t’i paraprinin këtij emancipimi të shoqërisë, sigurisht që do të kishim rezultate të shkëlqyeshme. Gazetarët dhe opinionistët parimisht e kanë këtë formim për t’i paraprirë kësaj nevoje thelbësore.

Nëse parlamentarët dhe grupimet e caktuara të jurisprudencës shqiptare, siç mendojnë me të drejtë për ruajtjen e imunitetit të tyre që u jep, apo do t’u japë ligji, të mendonin edhe për plotësimin e standardeve evropiane për jetën private të individit, pa dyshim që do të bënin vetëm detyrën morale ndaj shoqërisë.

Sigurisht, edhe instrumentet e shoqërisë civile dhe të mbrojtjes të të drejtave themelore të njeriut duhet ta nxisnin iniciativën e Avokatit të Popullit vetëm si fillim të mbarë të një kulture të munguar në panoramën tonë socio-politike dhe jo me pak probleme konceptuale.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›