Hakmarrja revolucionare ndaj Tropojës!
Që në fillim dëshiroj të nënvizoj se shtysë për këtë reagim mediatik nga ana ime u bë një emision televiziv, titulluar “Opinion” në televizionin Klan, i datës 18 shtator 2008. Dhe pikërisht dy zotërinj, funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, përkatësisht, Gramoz Ruçi dhe Saimir Tahiri, të thirrur në studio direkt për të diskutuar mbi ngjarjet e Gërdecit dhe sigurisë në vend, krejt pa vend e paciptësisht rianatemuan Tropojën dhe tropojanët. Jam i sigurt se “konstatime” të tilla keqdashëse kanë zgjuar reagim dhe indinjatë jo vetëm në Tropojë. Si qytetar i Tropojës, si ish-deputet i saj, por së pari, më shumë si shqiptar, detyrohem t’i përgjigjem zotit Ruçi, si dhe juniorëve të PS-së të tipit Tahiri, që po “rriten” në politikë me ninullat antishqiptare kundër Tropojës dhe tropojanëve. Së pari, ju zoti Ruçi, guxoni publikisht të fyeni një trevë e një popull, i cili për nga kontributi në demokraci ka dhënë aq shumë mund e sakrifica, sa askush tjetër. Kjo natyrisht vazhdon t’ju tërbojë, sepse ju jeni pjesë e piramidës së zezë të diktaturës, me të cilën bijtë dhe bijat e Tropojës u përballën të parët në lëvizjen e vitit ‘90. Edhe sot pas 18 vitesh ju ruani të konservuar hakmarrjen revolucionare si ish-shefi i levës më gjakatare të diktaturës, Sigurimit të Shtetit. Paradoksalisht e krejt jashtë kontekstit të emisionit, ju hidhni insinuata e hipoteza sigurimsash, dhe montoni konspiracion fals kundër Tropojës dhe intelektualëve të saj. Ju natyrisht keni “arsye” hakmarrëse se akoma ju ushtojnë veshët nga thirrjet antidiktaturë të dhjetorit ‘90, në rreshtat e parë të të cilëve qëndronin studentët e intelektualët tropojanë. Ky paradoks i çuditshëm i këtij intervenimi e anatemimi sa të pavend, aq edhe të padrejtë (a thua se Voskopoja e Lekasi gjenden në Valbonë) “justifikohet” në personin tuaj, pasi që jeni rasti ekzemplar i moslargimit politik në vendet post-komuniste të një kryezyrtari të lartë të hierarkisë së diktaturës. Ky prononcim juaji gjithë mllef ndaj Tropojës dihet qartë se buron nga skenarët e zinj të 2 Prillit, që akoma janë të vizatuara në mendjen tuaj. Skenarë të tillë ju dhe kolegë tuaj e ish-kolegë tuaj ideologjikë fatkeqësisht u mizaskenuan në Tropojë për 8 vitet e qeverisjes suaj. Shumë gjak e jetë njerëzish shkuan në Tropojë nga prononcime të hapëta e të mefshta tuajat për Tropojën. Mirëpo ju akoma nuk ngopeni dhe se ajo që ju shqetëson,është fakti se Tropoja sot është qetësuar, ka rend, qetësi, punë e perspektivë. Fajtorët e situatës së dikurshme në Tropojë, sot po vetëdekonspirohen. Së dyti, ju antishqiptarisht, me një mentalitet të vjetër shoven vazhdoni t’ klasifikoni demokratët e Tropojës sikur të ishin alienë. Jo zotëri! Tropoja dhe tropojanët ashtu siç kanë qëndruar e qëndrojnë në rreshtin e parë të luftës për demokraci, po aq kanë luftuar e qëndruar kaherë e sistematikisht në histori. Ju e harroni qëllimisht këtë, duke fyer rëndë në dinjitetin ku s’lejohet, një trevë që është nyja gordiane e ndërlidhjes sonë nacionale. Zoti Ruçi, ju dhe shokëve tuaj për 8 vite e detyruat Bashkinë e Bajram Currit të blejë tokë për varreza, ndërsa sot gjithçka ka ndryshuar. Ju e doni Tropojën jo siç është rikthyer në vend pune e turizmi, por vend vdekjesh e përleshjes politike. Gaboni rëndë zoti Ruçi! Ideja dhe koha juaj ka mbaruar dhe është e tejkaluar, po aq sa edhe skenarët e implikimeve dhe bombave të Ilir Metës e Fatos Klosit mbi gjimnazistët e Tropojës. Tropoja dhe gjithë Shqipëria tani po shohin larg dhe nuk mund të kthehen në mendësinë që ju dhe kolegët tuaj vazhdoni të mbartni.
Kjo kohë ka mbaruar njëherë e mirë, siç kanë mbaruar revolucionet anarkisto-komuniste të Çaushëve e Gjolekëve tuaj. Reagova me këtë shkrim në respekt të vendlindjes dhe bashkëvendasve të mi tropojanë, i nxitur nga prononcimi e anatemimi juaj qesharak, por edhe ogurzi njëherësh, zoti Ruçi. Sepse përvoja ka treguar prej më se dy dekadash se ju jeni dhe mbeteni produkt i demoduar, por edhe i rrezikshëm i diktaturës. Askush si ju dhe bebe të epruvetave të klonuara të enverizmit të tipit Saimir Tahiri nuk do të guxonte që në një diskutim politik televiziv të fyente një trevë dhe një popull.