E Shtunë, 31 Tetor 2026

KONTEKSTI

Kryetari i Parlamentit italian, Xhanfranko Fini, zhvilloi këtë javë një vizitë në vendin tonë. Përtej retorikës diplomatike dhe mbështetjes që normalisht një përfaqësues i qeverisë italiane do të japë për aspiratat integruese të Shqipërisë, ajo që ra në sy ishte përmendja dhe paralelisht mbështetja që ai i dha projektit të ndërtimit të centralit bërthamor në Shqipëri. Duke pasur parasysh faktin që është folur në median shqiptare, mbi mundësinë që një projekt i tillë të mos realizohet, mbështetja e mësipërme e dhënë nga Fini, që politikisht është edhe përfaqësues i industrialistëve italianë, e bën më të prekshëm këtë projekt?

Në fakt nuk e gjej dot se ku pikërisht e ka dhënë zoti Fini këtë deklaratë mbështetjeje për programin bërthamor në Shqipëri. Në konferencën e shtypit pas takimit me kreun e qeverisë sonë, ai nuk tha asgjë te tillë. Centrali bërthamor atje u përmend vërtet, por i vetmi që e referoi atë ishte Kryeministri ynë. Është vetëm ai që na njofton se në vazhdim të muhabetit që ka bërë më parë me zotin Berluskoni, “... kam diskutuar mbi mundësinë e bashkëpunimit për ndërtimin e një centrali nuklear në Shqipëri”. Ndërsa zoti Fini na informon vetëm se ishte folur edhe për “...çështje që lidhen me energjinë”. Pa nguruar të shtojë se kjo lidhet me faktin që, - siç thotë ai, “Shqipëria ka burime të mëdha në këtë fushë dhe Italia, edhe për shkak të afërsisë gjeografike me Shqipërinë, ka një interes objektiv për të gjetur format e bashkëpunimit më të ngushtë në këtë sektor”. Kaq. Asgjë bërthamore.

***

Me këtë nuk dua të them se Italia nuk e dëshiron zgjidhjen e problemeve të veta energjetike edhe përmes një alternative të tillë, ndërtimit pra të një baze prodhimi të korrentit nga energjia bërthamore. Nuk them as që zoti Fini është kundra. Aspak, nuk ka pse të jetë kundra në parim. Por evitimi nga ana e tij i deklarimeve publike mbi këtë çështje flet për diçka tjetër: për maturinë e tij dhe të politikanëve ekspertë në përgjithësi, përkundrejt çështjeve të tilla jashtëzakonisht komplekse e me kërkesa shumë të larta, siç është projekti i sotëm nuklear. Me sa duket zoti Fini e di se çdo të thotë ngritja e një centrali nuklear si në vështrimin biznesor, financiar e teknologjik, ashtu edhe atë shoqëror e shtetëror, ndërsa Kryeministri ynë nuk e di. Ose nuk do ta dijë. Ose e di, por nuk i duket e rëndësishme kjo anë sepse i mjafton ana tjetër: përdorimi politik i këtij “horizonti të ndritur nuklear” për Shqipërinë. Për mua është kjo e fundit më e mundshmja. Kemi plot prova këtu që kur flitet për një projekt, nuk kemi parasysh vetë projektin, por efektin.

Fakti i parë elementar që zoti Fini e di ndërsa ne ende jo, me sa duket, është ai që impiantet bërthamore nuk janë biznese të thjeshta, të cilat i liron apo i shtrëngon thjesht me ca tregues të “klimës së biznesit”, qofshin edhe nga ata që na rendisin në “top reformers”. Ato janë nisma me efekte të gjëra mbi jetët njerëzore, e për rrjedhojë nënkuptojnë përgjegjësi të mëdha. Nuk është fjala vetëm për risqet nga aksidenti, rrjedhjet apo mbeturinat radioaktive, të cilat mund të implikojnë deri edhe plane dhe kapacitete për të evakuuar masa të mëdha njerëzish nga tokat e tyre për t’i çuar në toka të tjera (Ku?). Jo më kot pra, vendimi për nisma të tilla kalon përmes votës së të gjithë shtetasve. Ishte referendumi popullor ai që e bllokoi rrugën bërthamore në Italinë e vitit 1987. Çdo përpjekje e re për ta rihapur atë rrugë do të kalojë sërish nga referendumi. Zoti Fini i di këto gjëra dhe mendon se as në Shqipëri s’mund të flitet kështu badihava, pa marrë ndonjë sinjal “pranimi popullor” mbi impiantet nukleare. Pa këtë “ok” popullor, as deklarata nuk mund të bëhen, pa le pastaj të kalohet në negociata për ta ngritur e zbatuar projektin. Keni dëgjuar ju të flitet për ndonjë përçapje të qeverisë për të na pyetur edhe ne banorëve mbi këtë plan? As ndërmend nuk i shkon njeriu. Kjo është edhe defekt i yni në fakt (ajo që kam frikë tamam-tamam është se opinioni ynë publik do të heshtte edhe nëse do dëgjonte se Kryeministri ynë po kooperon mbi një projekt për “testime bërthamore”. Një si lloj “joint-venture”. Ku ne do të vinim tokën, kurse ata bombën!)

***

E dyta, zoti Fini me sa duket ka edhe njohuritë e duhura teknike e financiare mbi një projekt të tillë. Edhe në s’i ka ditur, ka dëgjuar ekspertët që i dinë, dhe i ka parasysh së paku ato tre vështirësitë që përmend eksperti i njohur i kësaj fushe, Giovanbatista Zorzoli, duke folur për Italinë, jo pastaj për ngritjen në Shqipëri. “Bankabilitetin” përmend të parin zoti Zorzoli, duke pasur parasysh vështirësinë e jashtëzakonshme për gjetjen e financimit. Edhe një projekt fare modest prej 1.600 megavat, do të kërkonte mbi 3.5 miliardë euro. Por ekspertët thonë se vetëm me kapacitetin 10.000 megavat projekti duket i bëshëm nga ana financiare, duke llogaritur edhe ndërhyrjet e nevojshme për sistemet e sigurisë në nivel kombëtar (pa le që në rastin tonë duhet një koncept sigurie ndërkombëtare). ǒka do të thotë që duhen së paku 5-6 “shesh-ndërtime nukleare” (e jo vetëm një – siç thuhet) dhe kjo përbën vështirësinë e dytë sipas ekspertit. Po kaq shumëfishohen edhe kostot. Dhe e treta vështirësi – e më kryesorja për rastin tonë – mbetet kompetenca profesionale në administrimin e një impianti të tillë. Zorzoli qahet për Italinë ku pas 20 vitesh ndalimi nuklear, profesionalizmi për këtë punë mund të ketë firaksur dhe është zor të ngrihet përsëri. Ne – ironizon hapur Zorzoli, Italinë e vet –nuk po bëjmë dot një “termovalorizues” për plehrat e Napolit, e si do ndërtokemi kështu nja 5-6 centrale nukleare?

Mendoni tani çdo të thoshte eksperti për Shqipërinë, ku ky zanat s’është ushtruar kurrë? Ku akoma, edhe gërmimi i një grope të madhe për të mbledhur plehrat e Tiranës, festohet me fjalime ministrash e shirita inaugurimi. Një detyrë e zvarritur një vit. Pa le të ishte ndonjë “termovalorizues” (që sidoqoftë nuk është veçse një sobë gjigante që djeg plehra). Ku shkon retorika nukleare në këto kushte? Po sikur t’i shtosh kësaj edhe infrastrukturën e munguar, pjekurinë qeverisëse e administrative, edukatën publike ndaj rregullave të teknologjive të larta e delikate, rrezikshmërinë e trafikimit të materialeve nukleare (materialet e depove tona mund t’i gjesh sot në shumë skuta të botës, apo jo) ç’bëhet? Më në fund, cila bankë të jep 20 miliardë euro pa krijuar bindje absolute se projekti e tregu i tij do të ecin pa probleme? Dhe kjo dilemë e bankave 100-fishohet nga një aspekt tjetër që e prekëm në fillim: koha e gjatë për ndërtimin e impianteve. Sot nuk bëhet fjalë për impiante nukleare dokudo (edhe sikur të duam ne nuk të lenë fqinjët), por për centrale moderne. Të “brezit të tretë dhe të katërt”. I pari, nuk do të mbaronte dot para vitit 2020. Ndërsa inaugurimin e një “brezi të katërt”, brezi i moshës sonë s’ka asnjë shpresë që ta arrijë. Teknologjia e tyre, që është ende në studim-zhvillim, pritet të jetë gati vetëm nga 2030-a.

Me kohën është i lidhur edhe një tjetër risk financiar. Ai nga zhvillimet politike dhe reagimi i ardhshëm publik. Kush mund të garantojë qysh sot se publiku apo politika e këtij vendit nuk ngrihet pas nja 10-12 vjetësh, tamam atëherë kur centralet do të jenë ngritur e do të presin shiritat e përurimit, dhe të imponojë një ndalim të nukleares, një moratorium, ashtu si bëri Italia e 1987-s?

***

E me të gjitha këto sa më sipër, përsëri autoritetet italiane nuk ka pse të mos flasin pro projektesh të tilla, në parim. Nuk ka pse të mos e mbajnë gjallë gatishmërinë tonë absolute për t’i pranuar impiantet nukleare pranë qyteteve tona. Nëse kriza energjetike është një realitet, nëse burimet me bazë nafte po mbarohen, çmimet përkeqësohen e burimet alternative premtojnë më pak (fenomenet e ngrohjes globale), atëherë s’mund të mos pranojmë të gjithë se energjia bërthamore mbetet një alternativë e fortë e së ardhmes. Ndoshta më kryesorja. Në këto kushte si dhe në kushtet kur “brezi i katërt” teknologjik nuk është ende prezent, ata mund edhe të lejojnë e madje të inkurajojnë disa impiante më të vjetra teknologjikisht. Që janë më të “bëshme” sepse janë edhe më të lira. Por që kanë efekte e rreziqe më shumë. Kështu që pse të mos ndahet kjo punë. Si gjithmonë në disfavorin tonë afatgjatë. Pjesa me rreziqe (siklete me protestën publike, mbetje radioaktive, rreziku i aksidentit etj.) mbetet këtej, ndërsa pjesa e bukur (elektriku i pastër) shkon sa andej edhe këtej.

Version ky që nuk është aspak pa rreziqe. Më shumë për këta këtej, por edhe për ata andej. Prandaj ende mendohet e i bën bisht fjalës zoti Fini.

Që nga dita e fundit e bashkëbisedimit tonë, kronikat e lajmeve dhe debati politik është fokusuar tek vdekja e një prej personazheve kryesorë të lidhur me tragjedinë e Gërdecit, Kosta Trebicka. Opozita, duke përdorur këtë rast, ka shpallur se do të organizojë një protestë. Sa të mbështetur dhe të argumentuar e gjeni përdorimin politik nga ana e opozitës çështjen e vdekjes së Trebickës dhe të vetë Gërdecit?

Të na falë lexuesi, por ne që po shkruajmë jemi disa orë para se ajo të zhvillohet dhe s’mund të sjellim gjë konkrete nga përmbajtja e saj. Nesër të gjithë do dimë më shumë rreth rrjedhës e përmbajtjes së saj dhe ndoshta herë tjetër mund ta pasurojmë komentin tonë. Me sa dimë, paraprakisht ky aktivitet, vetëm shkëndijën e merr nga rasti tragjik konkret. Por nuk është se synon konkluzione hetimore, mbi fajësimin apo shfajësimin konkret si rast i shkëputur. Ajo prezantohet kryesisht si një përpjekje për të sjellë në vëmendjen e publikut çështje të klimës së sigurisë në vend, të raportit të shtetit me qytetarin, të komunikimit mes tyre, të mjeteve që po hyjnë në modë për këtë “komunikim” etj.

Pikënisja për këtë, sipas meje, nuk është aq dyshimi mbi shkaqet e ndodhisë tragjike në fjalë (e cila fundja është një çështje në proces zbardhje), por një zinxhir sjelljesh, gjestesh e deklarimesh të eksponentëve kryesorë të mazhorancës. Sidomos seria e kërcënimeve që Kryeministri (ndoshta thjesht emocionalisht e momentalisht, por krejt gabimisht për atë vetë) ka lëshuar herë pas here, madje edhe nga podiumet më të larta të shtetit. Veçanërisht shqetësues shfaqet denoncimi publik që bëri para disa ditësh një deputet i njohur i së djathtës, mbi “300 besnikët” e kreut të mazhorancës, të cilët nuk hezitojnë t’i bëjnë gjëmën gjithkujt që përbën kërcënim real për pushtetin e tij. Sa e besoj unë e ti këtë gjë? Ndoshta nuk e besoj fare, por kur një deklaratë e tillë bëhet nga një deputet në sallën e parlamentit dhe sidomos, kur kjo nuk përgënjeshtrohet aspak nga personi përgjegjës, por lihet pezull në ajër, nuk kemi as të drejtë të mos besojmë, që struktura të tilla vijnë rrotull.

Janë të gjitha këto pra që përbëjnë lëndën djegëse që furnizon protestën, dhe jo ngjarja e shkëputur. Ato në tërësinë e vet, në mos një argument të plotë e përfundimtar, përbëjnë një shtysë të mjaftueshme për të kërkuar shpjegime. Dhe me që këto shpjegime as që ka ndërmend njeri t’i japë në rrugë normale, të qetë e institucionale – në deklarata zyrtare, ose duke u paraqitur në prokurori kur kjo të thërret, etj. – atëherë është në të drejtën e opozitës ta shkallëzojë presionin deri tek protesta, si një rrugë denoncimi e kërkese llogarie. Por edhe si rrugë për t’ju demonstruar pak mbështetje organeve të paanshme të hetimit, të cilat në punën e tyre shumë të vështirë e delikate, ndjehen shpesh zbuluar e të braktisura.

Pa këtë karakter kontekstual pra, referimi i gjithë protestës tek rasti konkret, në këtë fazë ku ndodhet çështja, nuk do të më dukej i përligjur. I shkëputur, pa lidhje shkakësore, pa rrethana e interesa aktuale e madje pa histori, ai nuk do të dilte dot përtej komenteve e dyshimeve rreth një aksidenti. Nga ato që ndodhin përditë (me një numër fatkeqësisht në rritje) rrugëve aspak të sigurta të Shqipërisë. Po le të dëgjojmë njëherë çdo të thonë vetë protestuesit.

Banka Botërore publikoi këtë javë një raport në të cilin Shqipëria renditej e dyta në botë në fushën e reformës fiskale. A mund të na komentoni pikat pozitive të raportit, por edhe vërejtjet e shënuara mbi çështjet e tregut të ndërtimit dhe lejeve të ndërtimit?

Edhe këtu kryefjalë kemi kontekstin, kujdesin për të mos rënë në “grackën” e treguesve të shkëputur. Sepse raporte të tilla janë produkte shumë komplekse. Kështu janë edhe konkluzionet që ato nxjerrin. Nuk ka raporte të bardhë e raporte të zinj. Ka analizë dhe nënvizim të anëve të mira e anëve të dobëta të një procesi apo një programi. Herë dominojnë zhvillime të shpejta pozitive e herë prapambetja e nëvend-numëro-ja. I tillë është edhe ky raport. Ai shqyrton një fushë të kufizuar treguesish të klimës së biznesit në vend dhe raporton ecurinë e tyre vjetore. Më konkretisht janë dhjetë tregues që ndiqen në kohë. Secili shënon suksesin apo mossuksesin e vet. Të gjithë së bashku maten me treguesin përmbledhës – që të çon pastaj tek renditja e vendit krahasuar me të tjerët. Sivjet raporti shënon një progres të dukshëm në klasifikimin e Shqipërisë. Kemi kërcyer 50 vende më sipër në renditjen botërore lidhur me 10 masa rregullatore për hapjen, operimin dhe mbylljen ligjore të një biznesi. Nuk është pak. Dhe sidomos të vjen mirë kur sheh se ke lënë mbrapa të gjitha vendet e rajonit. Por të mos harrojmë asnjëherë se është vetëm një “shkëlqim” i pjesshëm dhe relativ. Kur themi “i kemi lënë mbrapa fqinjët”, kjo ndodh vetëm në disa tregues, të cilët as vetë fushën e klimës së biznesit nuk e mbulojnë tërësisht. Autorët e raportit paralajmërojnë vetë që në fillim. Kujdes kur ta lexoni – thonë ata. Po flasim për 10 tregues rregullatorë të fazave të ciklit të biznesit ndërkohë që tërësia e rregullave të legjislacionit evropian (acquis communautaire) përbëhet nga jo më pak se 14.500 rregulla të tilla. Raporti nuk thotë gjë se si i kemi punët me aspekte të tjera të klimës së biznesit e investimeve: nuk thotë se si jemi në funksionimin e institucioneve, në antikorrupsion e antikrim, në mirëqeverisje, me infrastrukturën, me mirëqenien e njerëzve dhe varfërinë, me informalitetin, me sigurinë e shërbimin shëndetësor etj.

E dyta, gjykimi për këta tregues është bërë kryesisht nisur nga rregullat e shkruara dhe jo nga perceptimi i vetë biznesit mbi dobinë e tyre. Me disa përjashtime të pakta që përbëjnë sukses të provuar dhe funksionues si p.sh. Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit, të tjerat janë ende në fazë zbatimi e testimi, dhe vetë përfituesi (biznesi) ende nuk e ka thënë fjalën e tij. Shumë-shumë për to në Shqipëri janë pyetur vetëm nja 10 zyra këshillimi ligjor me nja 36 ekspertë të intervistuar gjithsej. Askush s’mund të verë dorën në zjarr për anshmërinë apo pa-anshmërinë e këtyre ekspertëve në vlerësimet e tyre. Një dyshim për këtë të lind gjithsesi, qoftë edhe nga fakti që agjencitë e pyetura vërtet janë dhjetë por vetëm tre prej tyre kanë “zë” real në vlerësim (me 21 ekspertë së bashku). Nuk më duket normale që numri i ekspertëve të pyetur nga nja gjashtë agjenci së bashku, më del më i vogël nga ai i marra nga një agjenci e vetme. Ndërkohë që këtu mungon zëri “live” i vetë biznesit, i cili është i vetmi që mban mbi kurriz dobinë apo padobinë e masave të tilla.

Sidoqoftë këto arritje s’janë aspak keq. Madje janë hap i shënuar, qoftë edhe për faktin e thjeshtë që po shfaqemi më në fund edhe në lista suksesi, sado i pjesshëm qoftë dhe kjo është e nevojshme për inkurajimin tonë të brendshëm. Së dyti kjo ka një efekt mjaft pozitiv në vendimin e investitorëve të huaj potencialë. Shërben gjithashtu si nxitje për përmirësimin edhe të hallkave të tjera të munguara të reformës. Dhe në tërësi, rreshtimi pozitiv në këto tregues edhe pse akoma normativë e minimalë, shërben si një presion i brendshëm për zbatimin dhe zbatueshmërinë deri në fund të tyre në të ardhmen.

Gjithsesi nuk është ende koha të abuzohet me to, duke trullosur njerëzit dhe trembur edhe vetë reformat.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›