Emrat, Topi shmang konsultimet me PD-në
Presidenti Bamir Topi është i vendosur për të shmangur me çdo kusht maxhorancën nga përzgjedhja e emrave për anëtarët e Gjykatës së Lartë.
ADI SHKEMBI
Tri ditë, pasi Kuvendi hodhi poshtë në bllok të pestë dekretet e kreut të shtetit, me pretendimin se Topi kishte shkelur procedurat kushtetuese, ky i fundit ndërmerr hapin i cili lejon maxhorancën të propozojë kriteret për përzgje-dhjen e anëtarëve të kësaj gjykate, por jo emrat. Presidenti zyrtarizoi dje përmes zëdhënëses së tij, Mimoza Koçiu, ngritjen e një grupi pune, i cili si detyrë ka dhënien e asistencës në përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë me transparencë të plotë juridike. “Ky grup ekspertësh dhe përfaqësuesish të jurisprudencës shqiptare do të ketë për objektiv asistencën ligjore në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë dhe do të funksionojë për një periudhë 10-ditore. Veprimtaria e tij do të realizohet në mënyrë transparente me praninë e mediave në ambientet e Presidencës së Republikës. Grupi juridik i transparencës do të shqyrtojë dokumentacionin e kandidatëve, mund të kërkojë informacione shtesë, të sugjerojë standarde dhe kritere të tjera që lidhen me etikën, moralin, nivelin profesional të kandidatëve si dhe, kur e çmon të arsyeshme mund të intervistojë një pjesë të tyre”, tha dje zëdhënësja e presidentit në një njoftim për shtyp. Grupi i punës do të përbëhet nga këshilltari juridik i presidentit, si dhe një grup juristësh të njohur. Sipas zëdhënëses së kreut të shtetit, ky grup do të zhvillojë seanca dëgjimore në Presidencë me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, të cilët do të prezantojnë standardet dhe parimet me të cilat do të zgjidhen kandidatët për 6 vendet vakante. “Seancat dëgjimore dhe konsultative me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, me objekt përcaktimin e standardeve të kërkuara nga Kuvendi i Shqipërisë për gjyqtarët e lartë, do të jenë transparente dhe në prezencën e medias dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare”, theksoi më tej zëdhënësja e presidentit. Ndërkohë, në përfundim të punës 10-ditore të grupit të ekspertëve për përcaktimin e kritereve dhe procedurave mbi të cilat do të zgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë, kjo paketë do t’i vihet përpara kreut të shtetit, i cili sipas deklaratës për shtyp, ka edhe ekskluzivitetin e përzgjedhjes së emrave ndërmjet kandidatëve për gjyqtarë në këtë gjykatë. Kjo do të thotë se pavarësisht insistimet e kryeministrit Berisha dhe kryeparlamentares Topalli për konsultime mes kreut të shtetit dhe shumicës në pushtet për emrat për gjykatën, Topi i ka dhënë mundësi PD-së për të propozuar vetëm kriteret dhe jo emrat. “Konsultimet dhe rekomandimet e të gjithë faktorëve brenda dhe jashtë sistemit mbi standardet dhe parimet e këtij procesi përzgjedhës, duhet të jenë dhe të mbeten brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore”, përfundon deklarata e kreut të shtetit.
Grupi i punës i përzgjedhur nga Topi
Artur Metani, këshilltar juridik i presidentit
Kreshnik Spahiu, zv/kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Virgjil Karaj, sekretar i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë
Manjola Bejleri, kryetare e Shoq. Kombëtare të Gjyqtarëve
Artur Kalaja, kryetar i Unionit të Gjyqtarëve
Prof. Dr. Skënder Kaçupi, dekan i Fakultetit të Drejtësisë
Prof. Dr. Aleks Luarasi
Prof. Dr Rustem Gjata
Krenar Loloçi, ekspert i të drejtës kushtetuese
reagimet
Mustafaj: Nëse ka falsifikim, të hetohet
Deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, gjatë debatit në seancë për çështjen e procesverbalit për dekretet e Presidentit e cilësoi të dëmshme idenë e shtrembërimit të qëllimshëm nga Kuvendi të diskutimeve në seancën parlamentare nga deputetët. “Nëse është një gabim teknik, atëherë ky është krejtësisht i mundshëm për t’u korrigjuar. Por nëse ka falsifikim, atëherë ndërhyrja ndaj një dokumenti zyrtar parlamentar, siç është procesverbali, rasti i falsifikimit gjithmonë nëse vërtetohet si i tillë, atëherë ne nuk mund ta kalojmë thjesht me një korrigjim. Unë bashkohem me idenë e hedhur nga z. Braho që të ngrihet një komision ose të ngarkojmë një nga komisionet me prezencën e të dyja krahëve dhe të bëjnë verifikimet e duhura”, deklaroi Mustafaj. Ai shtoi se, “nëse ka të bëjë me falsifikim, ne duhet të analizojmë arsyet se pse është bërë një gjë e tillë. Ky kthehet në një problem, që ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve në Parlament”.
Xhafaj: Emrat, kompetencë vetëm e Topit
Sekretari i Çështjeve Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, u shpreh dje se përcaktimi i emrave për anëtarë të Gjykatës së Lartë është kompetencë vetëm e Presidentit të Republikës. “Partia Socialiste vlerëson se konsultimi me kryetarët e partive politike parlamentare është e drejtë që çmohet e realizohet nga Presidenti në ushtrimin e rolit dhe përgjegjësive të tij në cilësinë e kryetarit të shtetit, ndërsa përcaktimi i emrave konkretë që do t’i propozohen Kuvendit mbetet kompetencë kushtetuese ekskluzive e vetë Presidentit të Republikës”, tha Xhafaj. Sekretari socialist e cilësoi votimin në Kuvend të maxhorancës si tentativë për diktat mbi pushtetin gjyqësor. “Votimi kundër në bllok i realizuar nga maxhoranca me të ashtuquajturin ‘votim në princip’, është një tentativë e qartë për të vendosur nën kontroll dhe diktat politik këtë institucion të lartë të pushtetit gjyqësor”, tha Xhafaj.
Meta: “Dekretet”, tentativë për kontroll mbi gjyqësorin
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, e konsideroi rrëzimin e dekreteve të Presidentit nga ana e maxhorancës si tentativë për të kontrolluar pushtetet e pavarura dhe në veçanti gjyqësorin.
“Në radhë të parë dua të shpreh vlerësimet më të larta si dhe mirënjohjen e plotë për SHBA-në dhe ambasadorit të tyre në Tiranë, z. Uidhërs, për shqetësimet serioze dhe shumë parimore që kanë ngritur edhe sot përmes shtypit të shkruar lidhur me ngjarjet më të fundit, që kanë të bëjnë me atë kolaps institucional ku është zhytur vendi ynë. Një pasojë flagrante dhe konkrete ishin dhe rrëzimi i pesë dekreteve të Presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë”, tha Meta. Kreu i LSI-së vlerësoi dje dhe qëndrimin e ambasadorit amerikan në Tiranë për tragjedinë e Gërdecit dhe zbardhjen e saj. “Dua të shpreh vlerësimet tona më të larta për insistimin e SHBA-së dhe të partnerëve tanë lidhur me hetimin e plotë të çështjes së Gërdecit. Lidhur me mosbllokimin e hetimeve për daljen para përgjegjësisë të të gjithë fajtorëve, gjë që është në harmoni dhe në përputhje të plotë me të gjitha qëndrimet edhe të LSI-së, që pas ngjarjes së Gërdecit, por edhe njëkohësisht që pas Gërdec-Kushtetutës që ndodhi më 21 prill”, u shpreh Meta.