E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policë si të Gestapos

Edmond Arizaj 

Ndoshta ministri i Bre-ndshëm mund të jetë i larë për ngjarjen e mëposhtme, por unë nuk kam se kujt t’i drejtohem tjetër apo se ku mund të drejtohem përveçse me anë të një shkrimi në gazetë. Historia nis ditën e djeshme, rreth orës 19:30-19:45. Në një lokal pranë shtëpisë ku banoj. Në tavolinë ishin dhe dy punonjës të lokalit si dhe një i tretë, ndoshta pronar i barit. Teksa po hanim fara kungulli, po pinim cigare dhe po diskutonim për rezultatet e mundshme të ndeshjeve, katër palë duar u vendosën dhunshëm në tavolinën tonë duke ulëritur: Asnjë lëvizje. Dhe na kapën nga duart, nga shpatullat e nga qafa. Pas kësaj dhanë edhe disa urdhra të tjerë; duart pas, pastaj duart lart. Teksa na i ngritën dhe duart lart, me mirësjellje iu drejtova njërit prej tyre që dukej edhe si drejtuesi: A mund ta hedh cigaren? Pa mbaruar mirë fjalën, dora e tij u përplas dhunshëm mbi fytyrën time me një egërsi të pashoqe, e me fjalë ç’i erdhën për goje. I tronditur nuk bëra asnjë lëvizje dhe nuk nxora asnjë fjalë, me mendimin e vetëm që më feksi në kokë, se nëse do të bëja edhe kundërshtimin më të vogël, do të kisha përfunduar në spital. Nuk na u paraqit asnjë dokument, se kush ishin këta persona, nuk na u drejtuan njerëzisht, nuk na kërkuan falje për shqetësimin, por vepruan për pjesën e parë si më lart.
Teksa rrinim ashtu të ngrirë me katër vetë mbi kokat tona, disa të tjerë hynin dhe dilnin në lokal, morën njërin prej atyre që ishte në tavolinë me mua dhe filluan të bërtisnin me të madhe në telefonat e tyre celular. Thërrisnin “Shqiponjën”, e cila sipas fjalëve të dikujt (nuk mund ta shihja se kush, sepse s’lëviznim fare, si statuja) u kishte thënë “s’më do trapi”. Pas ulërimave për furgona për “Shqiponja” e për pranga, gati të gjithë banorët e të tre pallateve, mes të cilëve ndodhet lokali, dolën jashtë për të parë (dhe ky ishte turpi më i madh). Për të parë “kriminelët” që mbaheshin pa lëvizur në një tavolinë dhe agjentët që terrorizonin me ulërima. Pas një farë kohe, erdhi një patrullë dhe dy policë të veshur morën për të shoqëruar personin që ndodhej në tavolinë. Agjenti, i cili ushtroi dhunë mbi mua, me një egërsi të pashoqe, nxori prangat dhe me tepër forcë, duke u shprehur “policia kriminale” (tamam kriminale) i mbërtheu duart. Pas reagimit të personit, i cili u shpreh se po vij vetë, s’ka nevojë për pranga, një breshëri grushtesh dhe shqelmash u drejtuan mbi të. Agjenti hipi me nxitim në një makinë private “Benz Mercedes” (targën ia dhashë një eksponenti në Ministrinë e Brendshme) u largua me nxitim. Ne vazhduam të qëndronim të ngrirë me dy të tjerë që na rrinin tek koka. Një furgon policie ndaloi pak më tej dhe dy agjentët me shpejtësi kërkuan që të hipnim tek ai. Por një person që doli nga furgoni nuk i lejoi të na merrte dhe ne, kështu që të tronditur u kthyem sërish në tavolinë. Menjëherë u nisa të bëj denoncimin fillimisht në komisariatin numër dy, e më pas në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku më adresuan. Nënoficeri tek dera, me mirësjellje (e para që pashë dje nga uniformat) më tha se duhej të prisja të vinte një oficer i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Teksa po prisja, për ironi të fatit, në Drejtorinë e Policisë hyn një furgon policie dhe në vend të parë njoha personin, i cili më goditi. Pas pak çastesh erdhi drejt meje dhe me një arrogancë shembullore tha: Hë u sqarove?! As falje, as gjë prej gjëje. Pas rreth 45 minutash pritjeje u largova. 
Unë nuk e di pse i kanë vënë prangat personit (nuk ia dija as emrin) në lokal. Nuk e di as se çfarë aksioni ishin duke bërë këta agjentë. E vetmja gjë që di është se në sy të shumë banorëve, shumicën e të cilëve i njihja dhe më njihnin, në pragun e shtëpisë sime, teksa qëndroja i qetë në punën time, teksa kurrë s’kam pasur ndonjë problem me ligjin, por madje kam qenë pjesë e tij, si Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Ministrinë e Rendit, u godita dhe u fyeva nga një agjent me flokë shumë të shkurtër gati qeros, me tuta dhe bluzë blu, me një portofol që e mbante në gjoks të zbërthyer, ku i dukej fare qartë pistoleta, i cili as u identifikua si punonjës policie.
Zoti Ministër! Unë dua të di pse u ushtrua dhunë ndaj meje? Kush e mban përgjegjësinë për këtë? Kush i kërkon llogari këtij personi? Kush e vë në vend dinjitetin tim? Ky është policimi në komunitet që propagandoni ju? Për më tepër personi i marrë zvarrë me pranga në duar është liruar po atë ditë duke i thënë se e kishin ngatërruar. Dje njerëzit tuaj kanë terrorizuar shumë banorë. Mos mendoni se mund të gjeni ndihmë tek ata pas asaj që panë dje?!  Këto metoda që përdoren nga njerëzit tuaj, kjo sjellje ndaj qytetarëve që përdoret nga njerëzit tuaj, të kujtojnë sigurimin e dikurshëm, apo akoma më keq sjelljen e Gestapos. 
Zoti Ministër! Dje nuk arrita të bëj denoncimin. Sot do të provoj sërish. Kërkoj mbështetje prej jush.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›