Projektligji “Për besimet fetare” i kalon Kuvendit për miratim

TIRANE - Parlamenti pritet të miratojë gjatë seancës së tij të fundit për këtë legjislaturë, më 11 maj, “Projektligjin për financimin e besimeve fetare”.
Nga miratimi i këtij projektligji, do të financohen katër besimet fetare në vend, muslimane, ortodokse, katolike dhe bektashie. Ndër 14 nenet që përbëjnë këtë projektligj, është parashikuar financimi që do të përfitojnë besimet fetare, të cilat do të përdoren për mirëmbajtjen apo ndërtimin e objekteve të kultit, objekteve të turizmit fetar dhe restaurim të qendrave të pelegrinazhit.
Në projektligj parashikohet gjithashtu edhe financim për shkollat që administrohen nga komunitetet fetare, për të cilat shteti do të mbështesë pagat e arsimtarëve të cilët do të japin mësim në këto shkolla fetare.
Këto financime nga ana e shtetit do të bëhen në bazë të projekteve që të katërta besimet fetare do i paraqesin Komitetit Shtetëror të Kulteve.