Zgjerimi i mëtejshëm i BE-së pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës
Me përkthimin e legjislacionit, nis shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë në BE
TIRANE - Ish-Presidenti i Komisionit Evropian, Patrik Koks, beson se vendimi për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që të paraprihet nga miratimi nga të gjitha vendet anëtare të unionit të Traktatit të Lisbonës. Koks mendon se ky dokumenti duhet të hyjë në fuqi përpara se BE të marrë parasysh zgjerimin e bllokut 27-anëtarësh, pas anëtarësimit së Kroacisë.
Sipas tij, ratifikimi i traktatit është pika kyçe që mund të sigurojë hapjen e rrugës drejt BE për Ballkanin.
Në një intervistë për mediat polake, Koks tha se çdo vend i Ballkanit do
të trajtohet si një rast më vete, pasi të gjitha këto shtete janë në faza të ndryshme të zhvillimit.
I pyetur në lidhje me zgjedhjet e ardhshme në BE, Koks tha se krijimi
i koalicioneve do të jetë vendimtar pasi do të synohet shumica në parlament.
Megjithatë, ish-kreu i Parlamentit Evropian, aktualisht President i Lëvizjes
Evropiane, tha se është shumë herët që të hidhen supozime lidhur me aleancat
politike.
Ndërkohë mësohet se kërkesa e Shqipërisë për vend kandidat në Bashkimin Evropian do të shqyrtohet menjëherë pasi Shqipëria të përkthejë legjislacionin e saj në anglisht. Sipas drejtorit politik të Komisionit Evropian Tomas van Hondel, në këtë mënyrë komisioni do të jetë i aftë të vlerësojë progresin dhe për rrjedhojë kërkesën.
“Pas aplikimit të Shqipërisë në BE, hapi i radhës është që komisioni të përgatisë një vlerësimin për këtë kërkesë. Por që komisioni të jetë i aftë të nisë shqyrtimin duhet që legjislacioni shqiptar të përkthehet në anglisht. Vetëm kështu mund të bëjmë vlerësimin konkret të progresit që keni bërë deri tani”, shprehet Van Hondel.
Ndërkohë pjesa e mbetur e ‘aki komunite’, përkthimit të legjislacionit evropian për palën shqiptare do të kryhet nga Maqedonia dhe Kosova. Të tre vendet do të përgatisin një version kombëtar të akisë në shqip.