“Koalicioni i PD-së, koalicioni i sigurt drejt fitores”

Arian Starova përshëndet Kuvendin rajonal të PBLD-së në Elbasan
TIRANE - Bashkimi Liberal Demokrat vijon mbajtjen e kuvendeve rajonale në të gjitha qarqet e vendit. Kuvendi i radhës ishte ai i Qarkut Elbasan, ku kryetari i BLD Arian Starova prezantoi pedagogun e mirënjohur të Universitetit të Elbasanit, Arben Haxhiymeri, i cili kryeson listën e kandidatëve liberaldemokratë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në nivel qarku. Duke përshëndetur delegatët e këtij kuvendi, përfaqësues të degëve të BLD të rretheve Elbasan, Gramsh, Librazhd e Peqin, Starova, shprehu bindjen se “koalicioni i djathtë i drejtues nga Partia Demokratike është koalicioni i sigurt drejt fitores”. Ai ka kërkuar angazhim e anëtarëve dhe simpatizantëve të BLD në nivel lokal për të marrë sa më shumë vota me 14 kandidatët përfaqësues, dhe të votojnë për mazhorancën.
Delegatët e këtij kuvendi i përshëndeti edhe kryetari i degës së PD Elbasan, Luçiano Boçi, i cili vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer PD-BLD ndër vite dhe vlerat intelektuale që ka Bashkimi Liberal Demokrat.