Me reformat e qeverisë, Shqipëria pranë anëtarësimit në BE
Fatmir Mediu takon në Korçë anëtarë dhe simpatizantë të PR-së
TIRANE - Kryetari i Partisë Republikane z. Fatmir Mediu, shoqëruar nga anëtarë të kryesisë zhvilluan takimin e radhës në qytetin e Korçës.
Gjatë fjalës së tij Mediu theksoi se arritjet e këtyre viteve qeverisjeje janë meritë e reformave qeverisëse.
“Në këto katër vite ne jo vetëm arritëm të marrin ftesën për anëtarësim, por dhe e anëtarësuam Shqipërinë, me të drejta të plota në NATO. Kjo është një fitore e madhe, të cilën duhet ta shohim si moment triumfi dhe angazhimi serioz. Tashmë ne jemi përkrah vendeve më demokratike dhe më të përparuara të botës. Kjo është një rrugë pa kthim pas. NATO është fryt i punës dhe bindjeve tona. Ne do të ecim të gjithë bashkë, të gjithë shqiptarët pa dallim, duke bërë hapa para me mendje të kthjellët. Ashtu si ne arritëm të anëtarësohemi në NATO, tashmë jemi afër anëtarësimit në BE”, tha Mediu.
Më tej, gjatë fjalës së tij kreu i PR-së, Fatmir Mediu, u shpreh se nëpërmjet reformave të qeverisë, të vlerësuara edhe nga FMN, Shqipëria do të jetë i vetmi vend në Ballkan i cili do të njohë rritje ekonomike.