E Diel, 1 Nëntor 2026

“Koalicioni në 2009, vendosin forumet e PDS”

Sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkallari, kërkon nga e majta dhe kryesisht PS-ja që Kashari dhe Kodi i ri Zgjedhor, të jetë pikënisja e ndërtimit të strategjisë së ardhshme opozitare. 

 Sipas tij, pozicionimi i PDS-së për zgjedhjet e 2009 do vendoset nga forumet e larta të saj.        
Zgjedhjet e Kasharit ishin një sukses për koalicionin e ri "E majta për integrim", pasi doli i dyti në garën për kryetarin e komunës. Çfarë efekti ka dhënë kjo fitore në partitë përbërëse të këtij koalicioni dhe në elektoratin e majtë në përgjithësi?
Eshtë mëse e vërtetë që në zgjedhjet e parakohshme për kryetarin e komunës së Kasharit, PDS, e ftuar nga LSI, u angazhua në një koalicion të përbashkët opozitar me të dhe Partinë Aleanca Demokratike. Sigurisht që këto tre parti së bashku, sollën një rezultat pozitiv në këtë komunë, por kjo nuk mund të mjaftojë për sa kohë edhe kjo njësi vendore do të qeveriset nga Partia Demokratike. PDS nuk gëzohet për faktin se Partia Socialiste u rendit e katërta në këtë garë elektorale, pasi banorët e Kasharit sërish u detyruan të zgjidhnin midis disa alternativave të majta dhe përfunduan duke nxjerrë fitues kandidatin demokrat. Unë vlerësoj se ky pësim për të majtën duhet të quhet si suksesi i zgjedhjeve në Kashar.
Në rolin e sekretarit politik të PDS, cili është vlerësimi juaj dhe i partisë rreth aleancave parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009?
PDS është angazhuar dhe ka dëshiruar në çdo moment që partitë opozitare të bashkohen për të shkuar drejt zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare me një program të qartë, duke u thënë shqiptarëve se si do të qeverisen deri në vitin 2013. Megjithatë, opozita sot ende po harxhon kohë dhe energji me debate, ndaj dhe PDS është investuar me ftesa të vazhdueshme për të qetësuar gjakrat. Për ne, argumenti ynë kryesor ka qenë dhe mbetet se përballë qeverisë së Gërdecit, e cila merr jetë njerëzish dhe kërcënon liritë e qytetarëve duke bërë presion ndaj institucioneve të pavarura, hatërmbetjet dhe përçarjet brenda opozitës mund t'i zgjasin jetën Berishës në pushtet. Askush nuk mund ta konsiderojë sot PDS-në si pjesë të një koalicioni zyrtar, pavarësisht qëndrimeve të përbashkëta parimore për çështje të caktuara politike, siç ishin ndryshimet kushtetuese dhe mënyra e përzgjedhjes dhe miratimit të ligjit elektoral, pasi do të jenë organet e rëndësishme vendimmarrëse partiake, që do të përcaktojnë nëse do të hyjmë në zgjedhjet e ardhshme si forcë politike më vete apo në bashkëpunim me parti të tjera.
Një debat i gjerë publik ka nisur rreth një projekti të Bashkisë së Tiranës në bashkëpunim me ekzekutivin për të ndërtuar në ambientet e gjelbërta dhe sportive rreth Liqenit të Tiranës. Cili është qëndrimi i PDS rreth kësaj çështje dhe si mendoni se duhet të jetë zgjidhja e kësaj çështje?
Partia Demokracia Sociale shpreh shqetësimin e saj për klimën e akuzave dhe debateve brenda partive opozitare dhe kërkon sërish nga aktorët dhe faktorët politikë të së majtës që të gjejnë qetësinë e duhur për t'u ulur të gjithë së bashku e për të iniciuar debatin konstruktiv brenda kampit opozitar, në një tryezë të përbashkët, me qëllimin e vetëm për të larguar Sali Berishën nga pushteti. I takon Bashkisë së Tiranës të jetë transparente dhe të sqarojë në radhë të parë qytetarët për mënyrën e zhvillimit urbanistik të qytetit, për ruajtjen dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta, si dhe krijimin e hapësirave për të zhvilluar biznesin. Unë mendoj se nuk duhen lënë pas dore dhe politikat sociale në Bashkinë e Tiranës, se për pensionistët, fëmijët dhe njerëzit me aftësi të kufizuar, duhen ofruar më shumë projekte dhe zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›