E diela e aksidenteve, plagosen 6 emigrantë
LAÇ / KORÇE
Emigrantë të sapoardhur në Shqipëri janë bërë viktima të aksidenteve rrugore ditën e djeshme. Gjashtë emigrantë janë plagosur rëndë në dy aksidente të ndodhura në një hark të shkurtër kohor në orët e paradites në superstradën Fushë Krujë-Lezhë. Një nga makinat me tre emigrantë të ardhur nga Gjermania u përplas me një kamion, ndërsa një tjetër mjet doli nga rruga. Pas ndodhjes së aksidenteve në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë, ndërsa të plagosurit janë dërguar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, shkak i dy aksidenteve kanë qenë shpejtësia e madhe me të cilin po lëviznin automjetet, si dhe moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor. Aksidentet e emigrantëve nuk ishin të vetmet në rrugët e vendit dje. Në orët e pasdites një 53-vjeçar në Korçë humbi jetën, pasi automjeti i tij doli jashtë rruge, ndërsa një i moshuar 73-vjeçar u plagos pa rrezik për jetën, kur një automjet e përplasi në kohën që ai po ecte në një nga rrugët e Delvinës.
KRUJE/ LAÇ
Aksidenti i parë u regjistrua rreth orës 08:30 të ditës së djeshme në aksin rrugor Fushë Krujë-Lezhë, në afërsi të fshatit Borizanë të rrethit të Krujës. Mësohet se në aksident u përfshinë një kamion me targa TR 5801 I, i cili është përplasur me një automjet tip "Volksvagen" me targa gjermane. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, automjeti "Volksvagen" ku udhëtonin tre emigrantët e sapoardhur nga Gjermania, është përplasur me kamionin në pjesën e majtë të saj. Shpejtësia e madhe me të cilën ka qenë duke lëvizur automjeti i emigrantëve ka bërë që pas përplasjes, ai të përfundonte jashtë rruge. Për pasojë tre udhëtarët kanë pësuar plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Menjëherë ata janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak në kryeqytet. Vetëm pak orë pas aksidentit të parë, tre emigrantë të tjerë u aksidentuan në të njëjtin aks rrugor. Burime policore sqaruan se rreth mesditës së djeshme, pranë qytetit të Laçit, një automjet tip "Benz" ku udhëtonin tre persona, të tre emigrantë, ka dalë jashtë rruge dhe ka përfunduar në një kanal aty pranë. Në ndihmë të të aksidentuarve janë vënë banorë të zonës, pasi përveç përplasjes ata kanë rrezikuar edhe mbytjen. Për shkak të deformimit që kishte pësuar makina pas përplasjes, tre të rinjtë janë nxjerrë me vështirësi nga automjeti dhe menjëherë janë nisur me urgjencë për në Spitalin Ushtarak.
KORÇE
Fatmir Pelinxhi, 50 vjeç, gjeti vdekjen e menjëhershme dje kur automjeti me të cilin po udhëtonte u përmbys në një kanal në anë të rrugës. Burime pranë policisë së Korçës bënë të ditur se aksidenti që i kushtoi jetën Pelinxhit, nga fshati Podgorie, ndodhi rreth orës 14:50 në afërsi të fshatit Sheqeras të rrethit të Korçës. Po të njëjtat burime sqaruan se, "automjeti që drejtonte 50-vjeçari u përmbys në një kanal, në vendin e quajtur kthesa e Rëmbecit". Sipas policisë së Korçës, ende nuk janë bërë të njohura shkaqet që kanë shkaktuar aksidentin.
DELVINE
Një aksident me pasojë një të plagosur u shënua paraditen e djeshme në vendin e quajtur "Kthesa e Shijanit", në fshatin Shijan të rrethit të Delvinës. Automjeti me targë GJ 8864 A, i drejtuar nga Lutfi Dervishi, i cili po udhëtonte në drejtim të Sarandës, ka aksidentuar kalimtarin Stavro Nikolla, 73 vjeç, banor i fshatit Finiq të Delvinës. I aksidentuari është përcjellë drejt urgjencës "Stefan Mekshi" të spitalit të Sarandës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por me disa plagë të lehta. r.n/j.gj