Emri i pemës
Fredi S. MERKURI
Emri i pemës
Oxhaku po përtypte
në qetësinë e vet dimërore copa kujtimesh,
që dikur përbënin së bashku
të njëjtën pemë.
Plaku i mbështetur në qosh
mundohet të lexojë mbi hirin e mbetur
historinë e pemës.
Shirat e parë që kishin lagur pemën
avullojnë përpara syve të tij.
Kurse diellin e parë e gëlltitën flakët.
Në tymtoren e zezë u shkrua me blozë,
krah emrave të tjerë edhe emri i pemës.
Në një natë dimri, që plaku të ngrohej,
oxhaku përtypi trupin dhe kujtimet e një peme.
Dje pashë
Dje pashë vjeshtën e parë tek po ikte.
Nga larg më jepte idenë e një plaçkatari
Në qerren e saj kishte ngarkuar gjethe të zverdhura
e kafe. Kurse nga xhepat i vareshin mbrëmjet e mëngjeset.
Diej nuk kishte,
ishin tretur kur thanin gjethet. Rrallë herë rrotat e qeres
përplaseshin mbi kurrizin e ndonjë ere, që ish nisur herët
dhe nga spondat e drunjta binte ndonjë gjeth.
Sot pashë veten time me një krah të mbushur me kujtime,
e përsipër tyre një shije e hidhur.
Mbas çdo kthese binte përtokë një kujtim.
Në kryqëzim portreti i saj u shpërbë krejtësisht.
Në fund të rrugës ngeli vetëm kujtesa e emrit të saj.
Një ditë
Një ditë në bahçen tënde kishe vënë kapelën e verdhë
dhe po mblidhje pjeshkë. Ishe një mrekulli.
Të pa vjeshta teksa mblidhte dhe ajo
gjethe të thata pemësh, dhe e kapi smira...
Atëherë, ajo i ngjeu në të verdhë ditët.
Të verdha i ngjeu fustanet e pemëve.
Të verdha dhe flokët e saj,
por zilia nuk do t’i kalojë kurrë,
derisa të kesh në dollap kapelën tënde të verdhë.
Klithma
Dilni një mbrëmje në bregun e detit,
kur shpirti juaj të jetë i qetë e brengën e përditshme
ta keni lënë brenda thonjve të vetmisë së saj.
Dilni në çastin kur varkat kthehen nga peshkimi,
dhe tufa pulëbardhash i shoqërojnë me klithma.
Atëherë kapni një klithmë pulëbardhe
vendoseni mbas xhamit të një kornize, ose mbi bezen
e bardhë të një tabloje.
Bëni pak mbrapa dhe vërejeni me kujdes.
Vërtet, vërejeni me shumë kujdes.
A s’është ai portreti i emigrantit?
6 Korrik 2009