E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Terminator 4”, saga e “Terminator” mbërrin në Tiranë



Saga e famshme e “Terminator” vazhdon me serinë më të fundit të këtij filmi, e cila ka nisur këto ditë projektimin në Kinemanë “Millenium” në kryeqytet. Filmi nuk do të ketë aktorin e famshëm Arnold Shvarceneger për vet impenjimet që ka guvernatori aktual i Kalifornisë, i cili fillimisht kishte ndërmend të luante një rol episodik, por që u ndal prej reagimit jo pozitiv të popullit që i kishte dhënë votën. Megjithatë, seria e radhës e sagës së luftës mes njeriut dhe makinave, (terminatorëve, robotëve dhe teknologjisë që avancon veten duke sfiduar dhe kërcënuar njerëzimin) propozohet me një kast që nuk duhet nënvleftësuar si aktorët Kristian Bale (ka interpretuar te filmi “Batman: Kalori i zi”), Sem Uorthington te “Avatar”, Enton Jelsin “Star Trek”, Mun Blodgud “Katastrofë në Hollivud”, Brus Dallas Hauard “Spider-Man 3”, Komon “Uanted”, Xhen Alexander “Il mio nato”, Helena Bonham Karter etj. “Mendova se e njihja mirë armikun tim, por paska ndryshuar. Makinat janë bërë më të shumta se njerëzit, por ne kemi kaq shumë forcë sa nuk mund të bëhemi skllevër. Unë jam Xhon Konor e nëse dëgjoni këtë mesazh atëherë jeni bërë pjesë e Rezistencës”. Këto janë fjalët e shqiptuara nga Kristian Bale në trajlerin e dytë të filmit “Terminator Salvation”, me të cilin bëhet një ringjallje e sagës së famshme pikërisht në 25-vjetorin e krijimit të saj. Rikthehen kështu në ekranin e madh, makinat Terminator me aventura që të bëjnë të mbash frymën deri në fund. Fansat shqiptarë të tre filmave të parë “Terminator”, do të kenë mundësi të shohin projeksionet e episodit të katërt në kinema “Millenium”, ku seria e katër e “Terminator” ka nisur të shfaqet që të premten.

Subjekti
Eshtë viti 2018. Dita e Gjykimit ka mbërritur duke përmbytur qytetërimin modern. Një ushtri terminatorësh kalon në të gjithë territorin postapokaliptik, duke vrarë e duke kapur njerëzit të cilët fshihen në qytetet e izoluara apo në shkretëtira. Por grupe të vogla të të mbijetuarëve janë organizuar në një resistencë, duke u fshehur nëpër bunkerë nëntokësore dhe duke luftuar sapo u jepet mundësia kundër një force shumë të superiore se ata. Këto makina Terminator i kontrollon rrjeti i inteligjencës artificiale i quajtur Skynet, i cili është bërë i vetëdijshëm për aftësitë e tij 14 vjet më parë dhe në një moment të caktuar i është kundërvënë krijuesëve të vet, duke e ccuar në shkatërrimin bërrthamor një botë që nuk kishte as dyshimin më të vogël për atë që do t’i ndodhte. Vetëm një njeri e pat’ parashikuar Ditën e Gjykimit, një burrë, jeta e të cilit është lidhur gjithnjë me mbijetesën e qenies njerëzore, Xhon Konor (interpretuar nga aktori Kristian Bale). Tani bota rrezikon të mos ketë të ardhme, për të cilën ka punuar aq shumë Konor, gjatë gjithë jetës së tij. Por është dikush që vjen nga e shkuara dhe i jep shpresë planit për të shpëtuar botën. Së bashku me Markus Urajt (interpretuar nga Sem Uorthington), ata do të hyjnë në zemër të rrjetit të Skynet për të nisur një luftë të ashpër...

Regjisori McG: “Një film për të gjithë”
Gjatë një interviste, regjisori McG është shprehur për filmin: “Një nga aspektet më interesante të këtij filmi është të shikosh se ccfarë ndodh në Ditën e Gjykimit dhe lindjen e T800. Me Salvation nderojmë tre filmat e mëparshëm, por fillojmë gjthashtu, një start të ri. Kemi marrë disa elementë të filmave të mëparshëm dhe i kemi futur në personazhin e Kili Ris (Enton Jelsin); zbulojmë si është bërë i zoti për të vjedhur makinat dhe zbulojmë historinë e shotganit të tij. Të gjitha këto nuk i ka mësuar nga Konor por nga Markus". Vecc të tjerash, regjisori McG thekson se “fansat duhet të jenë të gëzuar nga shumë referime që u bëjmë filmave të tjerë, por ky episod është ndërtuar në mënyrë të tillë që të jetë i kuptueshëm dhe mjaft i kënaqshëm edhe për një spektator që nuk i ka ndjekur seritë e mëparshme.

Skeda e filmit

Titulli: “Terminator Salvation: The Future Begins”
Regjia: McG
Skenari: Xhon Brankato, Majkëll Ferris, Xhonatan Nolan
Gjinia: Aksion, Aventurë, Fantashkencë, Triller
Aktorë: Kristian Bale, Sem Uorthington, Mun Blodgud, Helen Bonham Karter, Komon, Brus Dallas Hauard
Kohëzgjatja: 114 minuta

6 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›