LIBRI I SHPIRTRAVE
Moikom ZEQO
Në shekullin X lindi një njeri me vizione të mëdha. Lindja e tij ishte historike, vendi ku lindi legjendar. Thuhet se qe kurd, armen nga fisi i Khazarëve, ose pers i popullit të zarathustrianëve. Lindi pa emër. Qe fëmija i prindërve shumë të moshuar (as emrat e tyre nuk dihen!), pesëmbëdhjetë-vjeçar u lye me bajgat e deveve, ra në ekstazë, dëgjoi zëra të artikuluar njerëzorë prej disa shqiponjave që ushqeheshin duke gëlltitur gjarpërinj dhe rubinë, dhe vendosi të udhëtonte në botë.
Nisi t’i lexonte sendet si të ishin shkronja. E quajti veten Adas, pasuesve që e ndoqën u tregoi historinë e tij hyjnore, që e shkëputi përfundimisht nga mjerimi njerëzor. Ndërsa po ecte nën dritën e hënës, pa një varr rrëzë një bjeshke. Befas iu paraqitën dy deve, të cilat ngjasonin me njerëz. Varri filloi të ngrihej në drejtim të qiellit, mori formën e një kolone tempulli zigurat, pastaj u transformua në formën e një djaloshi që kishte një bisht palloi. I tha: “Mos u frikëso, kolona mund të bjerë dhe të shkatërrojë botën, por ti dhe ata që do të pasojnë ty, jeni të mbrojtur e do të sundoni mbi gërmadha. Unë jam Engjëlli yt Pallua. Të kam zgjedhur që t’i shpallësh botës fenë e së vërtetës!”
Pastaj Engjëlli ia mori shpirtin dhe ia çoi në qiell te Zoti, ia pastroi, e mbushi me diturinë e pafund hyjnore dhe ia kthehu përsëri në trup. Devetë në formë njerëzish u bënë dy kodra graniti të zi, ku shndrisnin cifla diamantesh. Abazi u end në pyje, kuptonte gjuhët e majmunëve të kuq dhe bisedonte me ta, i mësoi si ndizeshin pishtarët dhe si të bënin rrjeta për të kapur tigrat.
Shkoi në Damask dhe mësoi nga një murg tibetian, që jetonte aty i fshehur si tregëtar, shkrimin e fshehtë të popullit të zhdukur prej shekujsh “elbuzarët e bardhë”, që mbanin si tatuazh në lëkurë gjethen e palmës dhe të një zvarraniku me kokë peshku. E shkroi librin që e quajti “Kabrasa”, domethënë “Pasqyra”. Gjatë shkrimit të librit komunikonte me hyjnitë e “elbuzarave të bardhë”. Mësoi i tronditur se feja e tyre kishte si kult vaginën e një kryehyjneshe femër, që kishte lindur kozmosin. Mblidheshin para një simboli të vaginës dhe shqiptonin fjalët magjike “Turkmek uza shabla”, që përktheheshin: “Nga ti kemi dalë, te ti do të kthehemi”. Libri “Pasqyra” qe fragmentar, por universal. Shtjellonte idenë se njeriu është mbeturinë e paditur e kozmosit inteligjent, që është në vetvete Qenia-zot. Por ka një ndjesi treguese të pakufishme. Ka një arkiv gjigand imazhesh, që deri diku mund t’i kuptosh. Imazhet vetëm lëvizin, vështirësia e egër është si mund t’i shikosh.
Adasi arriti t’i shihte. Ai kuptoi se shpirti qe në të njëjtën lëvizje me idetë e figurave. Shpirtëzimi është kuptimor, vetë lëvizja është kuptimore. Adasi shkruan se shpirti i Nabukodonëzorit (mbretit babilonas) ka kaluar në trupin e mbretit persian Shahpurit, pastaj në trupin e perandorit bizantin Herakliut. Më pas në trupin e filozofit Pitagora, te princi Buda dhe kishte përfunduar te vetë Adasi. E vërteta është se emrat e mësipërm Adasi vetë nuk i dinte më parë, shpirti mbartte gjatë shtegtimit dhe vizionet e këtyre emrave të mëdhenj, që të mos harroheshin kurrë. Adasi fitonte kështu diturinë, që i kishte munguar, boshllëku humbiste, brendia e mbushte tërësisht.
Adasi në tekstet e tij shënonte gjithashtu një lëvizje të re: shpirti i Sadrudinit, një Guru në Hindi i shekullit VII, iu fut në trup gjatë një gjumi pa ëndrra, pa rënë në konflikt me shpirtin që i zotëronte trupin më parë, mësoi përfundimisht se shpirti i hyjnisë hinduse Vishna kishte kaluar tek imam Aliu i Madh, që u mbiquajt si “Vishna i dhjetë” i rilindur, shpirti i profetit Muhamet kishte hyrë te hyjnia Brahma, ndërsa shpirti i Adamit te hyjnia Shiva. Tërë këta shpirtra qenë në fakt i njëjti shpirt si degëzimi i një peme e vetmja pemë. Te libri “Pasqyra” shtjellohet edhe subjekti se shpirtrat janë figura mendore që përbëjnë një objekt, të quajtur konvencionalisht pasqyrë, ku e padukshmja mund dhe duhet të bëhet e dukshme. “Pasqyra” është edhe një njeri i gjallë, pra vetë Adasi. Pasuesit e Adasit e ndoqën me bindje të plotë. Adasi i ndaloi të ngrinin tempuj, ritualet i bënin në natyrë, gjatë lindjes së Diellit.
Thuhet se Adasi jetoi 144 vjet, pastaj u zhduk misteriozisht. Nuk e panë më askush. Por libri i tij “Pasqyra” i shumëfishuar në lëvore drurësh, pergamenë, qilima të thurur me flokë njerëzish (të pasuesve të tij), në letër, ose i skalitur në faqet e brendshme të shpellave të Bengalit, Tajlandës, Kaukazit e deri në shpellat e Spanjës, nuk humbi. Një kopje e librit në pergamenë, çuditërisht e ilustruar me miniatura që thuhet se qenë përfytyrime të ekstazave e meditimeve të Adasit, ruhet në bibliotekën e pasur të Oksfordit.
Më 1886 eruditi i vetmuar, kanadezi Dr. Nojmar Struk bëri botimin për herë të parë në anglisht në Amsterdam të librit “Pasqyra”. Shkroi për të një studim mahnitës, por jo shterrues. Ai ngriti tezën heretike se nuk ka histori të feve, sepse vetëm simboli i pasqyrës është esenca e tyre, te pasqyra fetë koncentrohen e bëhen kuptimshmëri e qartë, duke humbur veçantitë dhe metaforat stolisëse, parazitare e të kota. Më 1942 argjentinasi Borges, në një doracak të tij, shkroi diçka për studimin e pavënë re nga të tjerët të Nojmar Strukut. Borgesi e urrente simbolin e pasqyrës, fobia e tij qe ajo e të verbrit, që nuk i duhej dhe nuk i interesonte fare shpikja e pasqyrës. Pasqyra për Borgesin qe rutina e dyzimit të figurave e pamjeve, pra e njëjtë me raportin seksual që shton fare kot numrin e njerëzve. Ky është një vulgaritet. Diçka e panevojshme. Humbakohëse! Por, tek analiza e N. Strukut, Borgesi kuptoi diçka më të qenësishme. Simbolin e pasqyrës Struku e kishte zhvendosur në një tjetër mbretëri simbolesh, aspak të rëndomta. Tërë tekstet nuk pasqyronin, por mbartnin. Dihet se çdo lloj pasqyre reflekton, por nuk i mbart dot figurat. Shkrimi i librit “Pasqyra” nuk qe aspak e mekanikisht pasqyrues. Bota rreth e qark qe pasqyruese, kurse libri jo.
Klasifikimi si “pasqyrë mendore” ende nuk i shpëton tiranisë së metaforizmit. Borgesi e pikasi (në të vërtetë e nuhati) se në studimin e Strukut idetë e kuptimeve të para zbuloheshin nga shtresat e kuptimeve të dyta, të treta etj., dhe se libri qe vetë i famshmi Adas, se Struku ishte rikarnacion i Adasit dhe Borgesi rikarnacion i Adasit dhe Strukut së bashku.
6 Korrik 2009