E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enciklopedia dhe havjari

Havjari, për ata që nuk e dinë, një kombinim specash të bluara, herë djegës, herë të ëmbël e ndonjëherë drithëruese, është element i rëndësishëm në jetën e ish-jugosllavëve. E përziejmë në mënyra të ndryshme, por e përbashkëta është se të gjithë e hanë. Megjithatë, edhe si njerëzit e këtij rajoni, i pari në Bashkimin Europian ka hyrë havjari slloven.

Një kompani sllovene e ka regjistruar këtë prodhim të kuzhinës, që na e kanë lënë trashëgimi nga Perandoria Osmane, si prodhim slloven. Kjo i ka irrituar serbët, kroatët dhe të tjerët. Në tërë rajonin ekziston havjari dhe nuk ka mundësi të jetë prodhim slloven. Por më pas, për inat të sllovenëve, serbët kanë zhvilluar idenë se byreku është bërë për herë të parë në qytetin jugor të Nishit. Aty, gratë serbe, paskan tëholluar petët e para e më pas të tjerët e kanë marrë recetën.

Ekziston edhe një gjë tjetër e famshme në rajon. Sallata shope, shopska dhe emra të tjerë. Bullgarët thonë se është recetë e tyre që të grijnë perime dhe t‘i hedhin djathë sipër. Ata thonë se emrin e ka marrë nga një zonë e Sofjes dhe që aty ka nisur fama e sallatës. Por, më pas serbët janë revoltuar, duke thënë se sallata ka qenë e tyre dhe ata e kanë bërë të parët, herë me djathë e herë pa djathë.

Por, një gjykatë europiane ka kthyer mbrapsht vendimin se havjari është slloven, edhe pse ata kanë hyrë të parët në Bashkimin Europian dhe kanë pasur mundësinë për ta regjistruar si prodhim të tyre. Kjo do të nënkuptonte se, kompanitë dhe fabrikat që prodhojnë havjar në vendet tjera, do të detyroheshin të marrin leje ose licencë nga fabrikat sllovene për të prodhuar atë që e prodhojnë prej qindra vitesh. Kjo nuk është lejuar, pas shumë ankesave, dhe havjari ka mbetur i përgjithshëm.

Megjithatë, maqedonasit kanë gjetur një ide më gjeniale: havjarin maqedonas. Ata kanë filluar të kërkojnë një modalitet për ta regjistruar havjarin në stilin maqedonas. Mbase është më i veçantë, i hedhin dy lugë kripë më shumë.

Kështu ndodh edhe me kafen turke në Bosnj]ë, në Serbi i thonë kafe e shtëpisë, në Greqi kafe greke. Në zonën e ish-Jugosllavisë kafes i thonë kafa, ose kava ose kahva.

Enciklopedia e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, ku shqiptarët përshkruhen si ardhacakë, tregon më së miri faktin se sa budallenj e të mjerë janë njerëzit në këtë zonë të Ballkanit. Ekziston që nga Sllovenia ndaj Kroacisë, Serbia ndaj Bosnjës, Kosovës, Maqedonisë; Greqia ndaj Maqedonisë, Bullgaria ndaj Maqedonisë. Maqedonasit e dinë vetë edhe më mirë se çfarë populli janë dhe duhet të falënderojnë ish-presidentin Josip Broz Tito që e ka zyrtarizuar si shtet. Serbia nuk ua njeh kishën, Greqia emrin, Bullgaria gjuhën. Ky është zinxhiri i presionit të shteteve ndaj shteteve. Ata nuk kanë kë të keqtrajtojnë, përveç shqiptarëve, dhe kjo për faktin se Shqipëria është kushëriri i keq që nuk merr përgjegjësi ose nën mbrojtje asnjë nga "pakicat" e veta në rajon. Tirana zyrtare jeton vetëm për vetë me politikat e saj patetike dhe me aspiratat europiane të një shteti që jeton mes paradoksesh të thella. Tirana nuk e di që bashkëkombësit shqiptare në Preshevë, Maqedoni e në Mal të Zi, mund të mbrohen vetëm nga shteti shqiptar, sepse ata konsiderohen "pakicë" shqiptare. Ndërsa Kosova e ka shpallur veten shtet multietnik, Shqipëria duhet ta kuptojë që nuk është më ai shteti i Enver Hoxhës, që i turpëron shqiptarët jashtë.

Megjithatë, problemi i Maqedonisë është se ata nuk e kuptojnë situatën ku ndodhen. Nuk e kuptojnë se shteti i tyre është në rrezik, nëse vazhdojnë kështu. Ata mendojnë se janë të fuqishëm për faktin se garojnë më Greqinë, e cila ua bojkoton të gjitha proceset. Dhe, shfrytëzojnë faktin që politikanët shqiptarë të Maqedonisë shërbejnë si ‘USB‘ e qeverisë dhe mendojnë të integrohen me politikën e odave konservative.

Nuk ka asgjë tragjike në këtë situatë më shumë se fakti që të gjitha këto presione po ndodhin në rajonin tonë. E gjithë situata i ngjan një loje fëmijësh, e derisa njerëzit të mos integrohen mes vetes, Bashkimi Europian mund të ketë shumë prodhime të specave dhe sallatave.

Sa për maqedonasit, nuk është shqetësim se çfarë shkruajnë. Edhe ne mund t‘u themi që Kryeministri i tyre është refugjat grek, kurse ish-kryeministri me pasaportë bullgare. Por, nuk duam t‘ua kujtojmë kush janë ata. Më tragjikja është se këta njerëz, që e kanë për hobi të bëjnë presione folklorike ndaj njëri-tjetrit, duan të shkojnë në botën e familjeve demokratike e tolerante. Këta njerëz e këta politikanë rrinë tërë ditën duke hedhur zaret e budallallëkut, ndajnë popujt më shumë sesa urrejtja e vetë popujve. ... Dhe mendojnë të integrohen diku. Para se kjo të ndodhë, të gjithë ballkanasit duhet ta kuptojnë se Bashkimi Europian, por as shteti i tyre, nuk është ring boksi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›