E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongres me duar të lidhura

Sot më shumë se kurrë, të gjithë ne po reflektojmë ndaj zhvillimeve pozitive dhe negative që kanë shoqëruar tranzicionin e tejzgjatur shqiptar. Oratorët e të gjithë spektrit politik, me vite kanë dhënë dhe po japin alternativat që ky vend, në një të ardhme sa më të shkurtër, t‘i bashkëngjitet familjes së madhe europiane, e cila për hir të së vërtetës nuk ka përse të presë e të durojë në pafundësi nga gabimet e radhës.

Në vigjilje të zhvillimeve politike në vend, të kundërshtive dhe të aleancave, politikanët dhe ata që bëjnë rolin e oponentit mediatik, kanë të drejtë të pyesin e të kërkojnë një përgjigje se sa kohë na duhet që të anëtarësohemi në BE. Duke iu referuar asaj që po ndodh në atë që quhet politikë e ditës, është bërë progres, por për fatin e keq, regresi ka mbytur që në qelizë çdo mendim ndryshe.

Qytetarët shqiptarë kanë përballë një sjellje të tipit "gangster", ku "i forti" ka mundësinë e blerjes së kartonëve, me para apo me poste, e në fund është taksapaguesi ai që do të vuajë pasojat e shit-blerjes. Arsyet dihen, mbi të gjitha mundësia e rikuperimit mbetet e vakët, sepse mendimi reformator shuhet me një të rënë të lapsit. Gjithçka që bëhet në emrin "popull" për të rrëzuar njërën palë e për të ringritur palën tjetër, është veçse demagogji dhe asgjë më shumë. Të vjetër dhe të rinj i shikon në foltore, duke trumbetuar me të madhe humbësit dhe fitimtarët, dikush shkon më larg, duke i ngazëllyer qytetarët se po përpiqet për ta e se do të përmirësojë jetesën e tyre. Nga ana tjetër, ka një çoroditje totale të qytetarëve, të cilët shikojnë padrejtësi pikërisht nga njerëzit që u kanë besuar votën e tyre.

Në këtë situatë, ku askush nuk mban përgjegjësi për atë që bën, mbetet që i vetmi fajtor të jetë anëtarësia partiake, e cila ka të vetmen alternativë të nënshtrohet. Në të kundërt, dihet fati. Deformimet në vendimmarrje po shoqërojnë disa parti politike, të cilat e kanë bërë moto të funksionimit të tyre "o me mua, o kundër meje, rrugë të mesme nuk ka". Për pasojë, teori të tilla, që nuk kanë asgjë të përbashkët me funksionimin e brendshëm demokratik të partive, diktojnë largime pa dëshirë të anëtarësisë. Fjala "bojkot" tashmë ka hedhur rrënjët në pjesën më të madhe të politikëbërjes, sepse mbetet e vetmja alternativë për të qëndruar dhe për ca kohë në politikë, në pritje të ndryshimit të artë.

Në frontet e kundërta vihet re një disnivel qëndrimesh dhe sulmesh pa princip, a thua se këta njerëz asnjë ditë nuk kanë debatuar apo nxjerrë përgjegjësi për gabimet e radhës. Beteja e fjalëve shkon edhe më larg, duke e cilësuar kundërshtarin e veshur me petkun e abuzuesit, njeri i lidhur me botën e krimit, e të tjera si këto. Qytetari e ka shumë të vështirë t‘u besojë fjalëve që thuhen vetëm gjatë kohës kur ka zgjedhje, ndërsa gjatë ditëve të qeta politikanët preferojnë të sulmojnë më lehtë apo të heshtin atëherë kur duhet folur.

Partitë politike, që janë ngritur mbi baza vullnetare, detyrimisht duhet të funksionojnë mbi bazën e rregullave të brendshme, por kurrsesi kryetari nuk duhet të sillet si "pronar". Në të vërtetë ai është thjesht një administrator, të cilin koha e vendos në majë kur fiton, apo e nxjerr në fund nëse politika e tij merr ndëshkimin me votë nga ana e votuesve.

Për sa më lart, në këto vite demokraci kanë qenë të pakta rastet kur kryetari ka dhënë dorëheqje pas humbjes në zgjedhjet e radhës. Shumëkush e ka interpretuar si një qëndrim modern, pavarësisht se nuk është i gjithë faji i kryesuesit të një force politike. Të tjerë kanë menduar se dorëheqja e kreut do ta dëmtojë rëndë partinë. Ka të tjerë që mendojnë se vetëm kështu mund të reflektohet që të mos përsëriten më gabimet. Ridalja e vazhdueshme në skenë e atyre që mendojnë ndryshe, tregon në radhë të parë se sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë bëhet më e ashpër etja për pushtet të pakufizuar.

Me keqardhje konstatohet se veprime të tilla të kujtojnë kohën e "partisë shtet", e cila vazhdimisht nxirrte armiq, sot me ndryshimin e vetëm se ato nuk quhen të tillë, nuk burgosen apo internohen, por flaken në rrugë sikur të mos kishin dhënë asnjë kontribut. Të ndodhur përballë kësaj situate aspak të këndshme, shumë pak politikanë nuk janë tunduar për të themeluar një parti të re. Por, ky fenomen nuk shoqëron vetëm politikën, ai ka shtrirë tentakulat edhe në organizatat shoqërore, të cilat statutet i bëjnë dhe i zhbëjnë sipas interesave të krerëve. Shumë pak drejtues të këtyre shoqatave kanë dhënë dorëheqjen nga posti, për t‘u lënë radhën të rinjve që, gjatë kësaj periudhe, e kanë pasur të vështirë të bëhen pjesë e rëndësishme e vendimmarrjeve. Kongreset e radhës tashmë janë kthyer në fasadë arritjesh dhe jo debati apo ndryshimi në lidershipin aktual. Mbetet të themi se është shumë e largët dita për të pasur të rinj dhe të reja në drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›