E Shtunë, 31 Tetor 2026

KOSOVE, DESHTIMI I SKENAREVE TE ZYMTE

Çështja kryesore përcaktuese e qëndrueshmërisë së Ballkanit Jugor në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë ka qenë gjithnjë çështja e statusit të Kosovës. Në gjysmën e parë të shekullit mund të thuhet se çështja maqedonase ishte më e rëndësishme, por ajo ishte eklipsuar nga përfundimi i Luftës Civile Greke në vitin 1949 dhe ndarja praktike e Maqedonisë së vjetër gjeografike midis Greqisë, Jugosllavisë së dytë socialiste dhe Bullgarisë. Ka shumë mënyra për leximin e historisë së periudhës së trazuar midis viteve 1939 dhe 1949, por një kuadër me vend është të shohësh rezultatin e Luftës Civile Greke si një fitore për qëndrueshmërinë, e cila u ble me çmimin e kostos së imponimit të kufijve të Luftës së Ftohtë dhe mosndërhyrjen gjatë Luftës së Ftohtë nga ana e NATO-s kundër ndarjes së rajonit nga Traktati i Varshavës, me Jugosllavinë titiste që kishte zënë një vend qendror të parehatshëm.

Me mbarimin e komunizmit në rajon dhe fundin e Jugosllavisë, mori fund edhe ky qëndrim pezull me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftën në Kosovë midis viteve 1997 dhe 1999, si dhe në Maqedoni në vitin 2001. Ndryshime madhore rajonale në strukturat e sigurisë kanë pasuar gjetiu, si pranimi i Bullgarisë dhe Rumanisë në NATO dhe në Bashkimin Europian, por Ballkani Perëndimor mbetet në shumë mënyra ende në një pozitë të papërcaktuar. Ka një mungesë qartësie në mendimin e bashkësisë ndërkombëtare për shumë çështje. Formula e pranimit në "strukturat euro-atlantike" është përdorur në vijimësi si përgjigje ndaj problemeve rajonale nga politikanët në Bruksel dhe në rajon, por nuk është fort e qartë nëse kjo është e vërteta. Në realitet, ka vetëm një "strukturë Euro-Atlantike", NATO-ja, së cilës tashmë i përkasin Bullgaria, Rumania, Shqipëria dhe Kroacia, ndërsa Mali i Zi mund t‘i bashkohet në një të ardhme jo të largët. Është gjithashtu e rëndësishme të theksojmë që anëtarësimi në BE dhe në NATO i Bullgarisë dhe Rumanisë nuk është shoqëruar me aq shumë reforma strukturore dhe progres në këto vende, ndërsa elitat sunduese parimisht kleptokratike që e kanë prejardhjen nga strukturat shoqërore të regjimeve komuniste revizioniste vazhdojnë të jenë në pushtet. Bashkimi Europian ka qenë aq i pakënaqur nga rezultatet e anëtarësimit bullgar, saqë kundër Sofjes kanë vazhduar të zbatohen sanksione serioze financiare.

Në periudhën që nga viti 1990, dhe vargun e luftërave jugosllave, çështja e Kosovës mbeti mbizotëruese me ngjitjen në pushtet të Millosheviçit, i cili mbështetej në përtëritjen e ideologjisë së Serbisë së Madhe në një kontekst specifik të "mbrojtjes" së serbëve të Kosovës. Shteti pasardhës i FYROM/Republikës së Maqedonisë votoi për pavarësi në vitin 1991, ndërsa e ka vendosur veten si një faktor të qëndrueshëm në skenën ndërkombëtare, por nuk ka qenë në gjendje të krijojë njohje me emrin e parapëlqyer të Republikës së Maqedonisë kudo që ndikimi grek ka arritur ta parandalojë atë. Në këtë kuptim, debati për emrin është shumë më tepër se një argument për një emër. Ai ka të bëjë me çështjet qendrore të identitetit politik dhe strukturën e gjerë të sigurisë për rajonin.

Shqetësimi kryesor i bashkësisë ndërkombëtare në kohën e vendimit të pavarësisë së Kosovës në mënyrë të pakuptueshme ishte përqendruar nëse deklarata do të çonte në një konflikt ushtarak apo paramilitar vendor, ose në një dhunë të brendshme në Kosovë midis shumicës prej 90% të shqiptarëve etnikë dhe pjesës së mbetur të serbëve të Kosovës. Pasi ka kaluar më shumë se një vit, skenarët e zymtë kanë dështuar dhe në të vërtetë pak gjë ka ndryshuar në Kosovë që nga shkurti i vitit 2008. Suksesi i sigurisë ka sjellë një shkallë vetëkënaqësie, ndërsa shumë probleme të theksuara nuk kanë ndodhur. Një Udhëzues Politik, i hartuar nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave dhe organizata përkrahëse e quajtur "Muaji i Parë i Kosovës", paraqitën problemet dhe fushat kryesore në prill 2008 dhe është e habitshme se sa mirë dokumenti përshkruan zonat e shqetësimit, të cilat edhe sot ekzistojnë saktësisht në të njëjtën formë.

E vetmja çështje për të bërë lajm në mediat ndërkombëtare ka qenë çështja evidente e tensionit në Mitrovicë dhe lumin Ibër, me problemin e ndarjes gjithnjë në sfond, por në fakt është e diskutueshme që kjo nuk është tani çështja e re më e rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë. Në planin e brendshëm, qeveria e re e drejtuar nga Kryeministri Hashim Thaçi ka shënuar disa suksese, siç është njohja ndërkombëtare graduale, në mos e ngadaltë dhe mbi të gjitha njohja së fundmi nga Arabia Saudite në të njëjtën kohë me pranimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Në planin e jashtëm, interesimi ngulmues i bashkësisë diplomatike për të nxitur dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit ka çuar në një shpërfillje të çështjeve të mëdha të frenuara nga mungesa e qyshkurshme e strukturave të sigurisë në rajon. Çështja e së ardhmes së FYROM/Republikës së Maqedonisë është rishfaqur tani në këtë kontekst, që me lidhjet e shtuara në botën shqiptare në nivelet kulturore, tregtare dhe komerciale midis Shqipërisë, Kosovës dhe trevave me shumicë shqiptare të Maqedonisë perëndimore është duke çuar në ndryshime themelore në dinamikën e sigurisë rajonale.

Qëndrueshmëria në Kosovën e pas pavarësisë ka çuar në tërheqjen e trupave të disa anëtarëve të NATO-s nga Kosova, përfshi aktorë madhorë në NATO si Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar. Reformat aq shumë të nevojshme strukturore të misionit kosovar të NATO-s - KFOR, në mënyrë të veçantë zyrat qendrore të Film Siti-t nuk janë bërë pas pavarësisë. Disa njësi të vogla kombesh të KFOR-it, si fjala vjen trupat lituaneze, janë tërhequr për arsye ekonomike. Sipas planit të Ahtisarit, shteti i ri i pavarur i Kosovës nuk lejohet të ketë një ushtri, ndaj dhe Forca e Sigurisë së Kosovës është shumë më e vogël se paraardhësja e saj, Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Prania e policisë ndërkombëtare e organizuar nëpërmjet misionit EULEX të drejtuar nga Bashkimi Europian ka filluar të formësohet, por nuk e ka fuqinë numerike të planifikuar, kualitetin e drejtimit dhe funksionimi i brendshëm është i paprovuar, me përjashtim në rrethanat e krijuara së fundmi në Mitrovicë dhe të dhënat vendore tregojnë se ka shumë çështje komplekse për t‘u zgjidhur për të krijuar një lidhje të mirë me policinë e Kosovës. Formimi i misionit ka qenë i ngadaltë dhe i ndikuar nga shkurtimi i buxhetit në vendet anëtare të BE-së, të cilat kontrollojnë edhe zona të tjera duke përcaktuar masën dhe kapacitetin e EULEX-it.

Kjo do të thotë që megjithëse të dhënat janë interpretuar, ka shumë më pak kompetencë rendi publik efektiv në Kosovë se sa ndonjëherë gjatë dhjetë viteve të fundit, dhe më pak mundësi për të mbrojtur në të vërtetë kufijtë e rinj të Kosovës. Megjithëse bazat e rëndësishme të KFOR-it mbetën të gjitha në gjendje pune, si kompleksi masiv amerikan në Kampin e Bondstillit, dhe të paktën në letër numri i trupave të KFOR-it është i njëtrajtshëm, shumë pikëpyetje mbeten mbi aftësitë aktuale operacionale në disa pjesë të forcave të sigurisë në një rast krize të brendshme apo të jashtme. Është e vështirë për analistët të verifikojnë gjendjen në shumë qendra të vogla të KFOR-it bazuar në informacionin e disponueshëm, por ka një perceptim të përhapur gjerësisht në një nivel anekdotik brenda Kosovës, që shumë baza nuk mund të veprojnë me gjithë efektshmërinë në rastin e një krize. NATO-ja nuk ka filluar ende të përballet me reformat e brendshme radikale të misionit të KFOR-it që i lipsen një Kosove të pavarur, nuk ka ndonjë strategji të qartë dalëse nga premtimet e kapërcyera prej kohësh (domethënë, përkrahja e kthimit të refugjatëve nga Serbia në bashkësitë ku ka pak, në mos hiç, prani të pakicës serbe dhe/ose perspektivë reale për jetesën e përhershme të tyre), si dhe nuk ka asnjë ide se si Forca aktuale e Sigurisë në Kosovë do të shndërrohet në një ushtri të ardhshme kosovare. Doktrina e parashkruar e KSF-së është e njëjtë me atë të TMK-së dhe përjashton madje shumë nga tipet e funksioneve të padiskutueshme atdhembrojtëse, dhe akoma më pak një mision të mbrojtjes së kufijve të Kosovës. Vendimet arbitrare të ikjes, si ai i marrë nga Spanja në fillim të këtij viti, sido që ta marrësh, janë vetëm maja e ajsbergut të sigurisë, çështja reale është se çfarë do të ndodhë brenda vendit me atë kapacitet që i është lënë situatës së sigurisë në Kosovë.

Është e paqartë, në rastin më të mirë, se si pjesa e sistemit të sigurisë (policia) e kontrolluar nga qeveria e Kosovës do të bashkëveprojë me forcat ndërkombëtare në ngjarjet e vështira që mund të shfaqen, edhe pse të një natyre relativisht minore. Bashkësia ndërkombëtare është në thelb duke rrezikuar me një vazhdimësi të qetësisë së brendshme dhe mungesën e ndonjë kërcënimi të jashtëm nga ana e Serbisë. Kjo ka krijuar ndjesinë e një perspektive afatshkurtër, por që nuk shmang nevojën e një strukture të re më të madhe të sigurisë për rajonin, pasi ka të ngjarë që ndërsa kriza ekonomike ndërkombëtare të fillojë të ndihet më shumë në rajon, forcat nacionaliste të forcohen duke mbartur rrezikun e problemeve të vogla që çojnë në konflikte të mëdha. Një tregues për t‘u parë është marrëdhënia e monedhave vendase si dinari serb dhe maqedonas, kuna kroate, leku shqiptar dhe leva bullgare me euron. Në shumicën e rasteve, rënia ekonomike e kohëve të fundit do të bëjë që monedhat e zhvlerësuara vendase janë, ose do të shërbejnë, shumë shpejt si një vjegë që regjimet aktuale që veprojnë në disa nga këto vende do të shtyjnë edhe më shumë ndonjë mundësi të hyrjes së euros. Vjega e monedhës është shumë ndihmuese për elementët kleptokratikë brenda elitave, ndërsa fondet e jashtme që paguhen në euro mund të pastrohen në tregun monetar vendas dhe pastaj të këmbehen sërish në euro për t‘u vendosur jashtë vendit.

Çështjet e brendshme politike në Kosovë

Qeveria e Thaçit, që përbën një koalicion midis partisë së Thaçit - PDK dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të themeluar nga Ibrahim Rugova, ka siguruar qëndrueshmëri, ndërsa forca kryesore opozitare në Parlament është AAK (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës) e drejtuar nga Ramush Haradinaj. Haradinaj është vërtetuar se është një udhëheqës opozitar efektiv e krijues, dhe disa nga idetë e tij (fjala vjen ajo për çështjen e Veriut të Mitrovicës) janë miratuar pa bujë nga bashkësia ndërkombëtare. Duke inkurajuar formimin e kësaj qeverie pas pavarësisë në vitin 2008, bashkësia ndërkombëtare është orvatur të ndërtojë urat e bashkëpunimit midis ndarjes së thellë në Kosovë ndërmjet atyre që kanë marrë pjesë në luftë në përbërje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atyre që nuk kanë marrë pjesë në luftë. Kjo ishte një politikë e kuptueshme, por që ka çuar në disa zhvillime të ngadalta në disa sfera qeverisëse, dhe që në fakt ka operuar një sistem zhvatës mbi baza partiake. Marrëdhëniet midis Kryeministrit Thaçi dhe Presidentit Sejdiu kanë qenë përgjithësisht të frytshme dhe të kënaqshme, por prirja ekzistuese e qendërsimit të pushtetit real dhe vendimmarrës përreth një numri të vogël njerëzish në majë ka vazhduar. Midis formave të ndryshme të lidhjeve zyrtare që ekzistojnë midis qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare, ka pasur një prirje të dukshme drejt vendimeve të pavarura të marra nga kosovarët, ndërsa i vetmi ndikim real ose efektiv mbi shumicën e udhëheqjes qeverisëse vjen nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Ka mbetur një pakicë e vogël e pranisë së misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK, megjithëse qeveria e Prishtinës ka thënë se nuk sheh asnjë rol të UNMIK-ut në rrethanat e tanishme ndërsa plani "gjashtë pikësh" i Kombeve të Bashkuara i gjysmës së dytë të vitit 2008 në të vërtetë është tretur si kripa në ujë. Përfaqësuesit e EULEX-it dhe të rendit janë vendosur në shumë nga të njëjtat ndërtesa që ka pas përdorur misioni i UNMIK-ut, ndërsa ka një ndjesi déjà vu të krejt situatës, me ish-makinat e bardha të UNMIK-ut tashmë të lyera me një ngjyrë të këndshme blu të EULEX-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›