Enciklopedia, dokument antishkencor
Analisti politik, Jeton Shasivari, vlerësoi se promovimi dhe publikimi i enciklopedisë, siç e quan ai, pseudoshkencore, ka përkeqësuar situatën politike të vendit në dy plane, në atë të marrëdhënieve ndëretnike dhe në planin tjetër të proceseve euro-integruese të vendit. "Kjo pseudo-enciklopedi shkakton urrejtje ndëretnike, duke gërryer themelet e mirëbesimit ndëretnik, për të cilin është investuar mjaft pas vitit 2001 e këndej. Plani i dytë ka të bëjë me integrimin euroatlantik të vendit, për shkak se kjo pseudo-enciklopedi hap konteste të paqena historike me fqinjët, duke përkeqësuar raportet me Tiranën, Prishtinën, Sofjen dhe Athinën, por edhe me Uashingtonin e Londrën. Maqedonia, në vend t‘i përmirësojë raportet me fqinjët, ende i përkeqëson ato, gjë që do jetë një element mjaft negativ para Këshillit të Ministrave lidhur me rekomandimin e një date për fillimin e bisedimeve me Brukselin", theksoi Shasivari, analist politik. Apelet e VMRO-së për organizimin e debateve apolitike në nivel ekspertësh, ai i vlerëson si mjaft qesharake dhe absurde, për shkak se, sipas tij, askund në botë nuk debatohet për falsifikime dhe trillime, por falsifikimet, trillimet dhe gënjeshtrat mënjanohen e tërhiqen. "Sa më parë kjo pseudo-enciklopedi duhet të tërhiqet, që të krijohen kushtet e duhura për organizimin e një debati të hapur shkencor, pozitiv e rajonal për të gjitha çështjet e hapura, që dekada me radhë kanë qenë nën hipotekën e regjimeve të ndryshme komuniste në këto hapësira", shtoi Shasivari.