Berisha merr mesazhe urime për rizgjedhjen si Kryeministër
Kryeministri Berisha vijon të marrë mesazhe urimi për rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë shqiptare nga homologët e huaj. Dje ka qenë Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, e cila i ka dërguar Kryeministrit Berisha një mesazh urimi. Në mesazhin e saj, Kryeministria e Ukrainës pasi e uron homologun shqiptar, duke deklaruar se "rezultatet që paraprinë katër vitet e punës suaj në krye të qeverisë së Shqipërisë kanë treguar sukses thelbësor në zhvillimin dhe reformimin e vendit, në rrugën drejt integrimit euro-atlantik. Këto rezultate janë kthyer në një provë të sigurt të profesionalizmit dhe patriotizmit tuaj. Unë do të dëshiroja të uroja Qeverinë, të cilën Ju keni drejtuar, për punën e suksesshme drejt rritjes ekonomike të Shqipërisë, forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon, si dhe për forcimin e institucioneve demokratike". Kam besimin, thekson Tymoshenko, se bashkëpunimi midis qeverive tona do ta lehtësojë zhvillimin e marrëdhënieve midis Ukrainës dhe Shqipërisë, në të mirë të prosperitetit të popujve tanë. Ajo i uron Berishës "suksese dhe arritje të reja në aktivitetet tuaja të rëndësishme për reformimin dhe zhvillimin e Shqipërisë si një shtet europian, demokratik dhe të fortë ekonomikisht. Gjithashtu, Berisha ka marrë dje mesazhe urime edhe nga Kryeministri polak, Donald Tusk. Në mesazh, Kryeministri polak thekson se "jam i bindur që kursi i reformave euro-atlantike të vendit Tuaj do të sjellë domosdoshmërish rritjen ekonomike dhe rritjen e begatisë së qytetarëve shqiptarë. Besoj se bashkëveprimi i Polonisë dhe Shqipërisë në drejtim të integrimit evropian, si dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik do të krijojë lidhje edhe më të afërta të shoqërive tona dhe të bashkëpunimit dypalësh".