OSBE/ODIHR, kritika për zgjedhjet europiane
Raporti i OSBE/ODIHR kritikon zgjedhjet europiane që u zhvilluan në 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian nga data 4-7 qershor 2009. Në raport vlerësohet se në tërësi, në vendet e Bashkimit Europian ka mungesë të harmonizimit të kritereve për kandidatët. Disa shtete europiane, nga ana tjetër, kanë mangësi për masat që lejojnë pjesëmarrjen e kandidatëve të veçantë në zgjedhjet europiane. Raporti tregon se nuk është respektuar e drejta për të votuar nga të burgosurit dhe rezidentët e BE-së që nuk kanë shtetësi të ndonjë vendi anëtar. Angazhimet e OSBE-së nuk janë përmbushur për sa u takon masave për garantimin e aksesit të duhur e bashkëpunues për vëzhguesit e huaj apo vendas. Në raportin për zgjedhjet europiane shprehet shqetësimi dhe për mungesën e mundësisë për të apeluar në një gjykatë vendimin që lidhet me rezultatin zgjedhor në disa prej shteteve anëtare. Presidenca suedeze e Bashkimit Europian në emër të 27 vendeve anëtare ka përshëndetur raportin e vëzhguesve dhe angazhohet për përmirësime të nevojshme në përputhje me rekomandimet e bëra në raport nga OSBE/ODIHR.