E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lëkundet" koalicioni Gruevski-BDI

Enciklopedia maqedonase, e botuar javën e kaluar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM), vazhdon të shkaktojë tensione dhe përkeqësime në raportet e koalicionit qeveritar mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Nga burime të larta qeveritare mësohet se, në mbledhjen e qeverisë, të mërkurën në mbrëmje, ka mbretëruar atmosferë tejet e tensionuar midis Kryeministrit Nikolla Gruevski nga njëra anë dhe ministrave të BDI-së nga ana tjetër, për shkak të enciklopedisë famëkeqe. Nuk dihet saktësisht se ç‘akuza ka pasur në adresë të Gruevskit, apo nga ky i fundit në drejtim të ministrave të BDI-së, mirëpo mësohet se Gruevski, pas pak kohe, ka braktisur mbledhjen, duke ia lënë drejtimin e saj zv/kryeministrit Zoran Stavrevski.

BDI ka kontestuar 50 dispozita në këtë enciklopedi, duke kërkuar njëherësh që akademiku Bllazhe Risteski të japë dorëheqje nga funksioni redaktor kryesor në Enciklopedinë maqedonase, pasi ai paralajmëroi se, në botimin e korrigjuar nuk do të bëhen korrigjime të mëdha në dispozitat që janë ofenduese për shqiptarët. Përveç reagimeve të ashpra ndaj ASHAM-it, BDI insiston që edhe qeveria të distancohet nga pjesët kontestuese në enciklopedi. BDI kërkon tërheqjen e tërësishme të enciklopedisë dhe formimin e një një këshilli të ri redaktues, në të cilin akademikë dhe profesorë shqiptarë do të marrin pjesë në përgatitjen e dispozitave që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›