Krerët e "Omonia"-s sfiduan Bollanon
Ditën e shtunë, disa anëtarë të këshillit të përgjithshëm të organizatës së minoritetit etnik grek, "Omonia", organizuan një mbledhje pa kreun e saj, Vasil Bollano. Në përfundim u dol në një deklaratë me disa kërkesa. Mes tyre, si më i rëndësishëm është vlerësuar vendimi që "Omonia" të ndërpresë çdo marrëdhënie preferenciale me PBDNJ-në, për aq kohë sa Vangjel Dule të reflektojë mbi shkeljet statutore dhe të vullnetit politik të "Omonia"-s, që ka votuar ndryshe për aleancat para dhe paszgjedhore. Njëkohësisht u përsërit kërkesa që Dule të dorëzojë mandatin e deputetit, pasi ai është i omonistëve dhe jo i tij. Mbledhja e së shtunës vendosi të mos njihet asnjë vendim i marrë pas 1 korrikut 2009, pasi, sipas deklaratës, ato janë vendime personale dhe jo institucionale të KPD-së. Mbledhja u drejtua nga zëvendëskryetari i këshillit të përgjithshëm, Spiro Ksera, njëherësh edhe ministër i Punës në qeverinë "Berisha 2", si dhe nga nënkryetari tjetër, Kristaq Kali. I pranishëm ka qenë edhe ish-ministri Kosta Barka.