E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta lobon për Kosovën te homologu i tij indonezian

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, në kuadrin e pjesëmarrjes në Sesionin e 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 26 shtator 2009, ka vijuar takimet intensive me homologët e tij në mbarë vendin. Dje ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Indonezisë, Hasan Uirajuda. Zyra e shtypit të Ministrisë së Jashtme bën të ditur se në këtë takim u trajtuan kryesisht çështje të bashkëpunimit dypalësh, situata në rajon e në veçanti çështja e Kosovës. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka vënë në dukje rëndësinë që Shqipëria u kushton marrëdhënieve me Indonezinë dhe vlerësoi rolin e këtij vendi në rajon e në organizmat ndërkombëtare. Ai u shpreh për shtimin e kontakteve midis dy ministrive të Jashtme në të gjitha nivelet, si dhe kompletimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit reciprok.

Lidhur me çështjen e Kosovës, ministri Meta vuri në dukje se pavarësimi i Kosovës është një fakt dhe proces i pakthyeshëm, i cili ka ndikuar mjaft pozitivisht në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Duke respektuar qëndrimin e palës indoneziane për çështjen e Kosovës, zëvendëskryeministri Meta shprehu dëshirën që ky realitet të njihej e reflektohej edhe në politikat e qeverisë indoneziane. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta, mori pjesë gjithashtu në disa veprimtari shumëpalëshe, si Takimi Ndërkombëtar mbi Partneritetin për Sigurimin e Ushqimit dhe Takimi Vjetor i Miqve të Aleancës së Civilizimeve. Në fjalën e tij në Forumin e Aleancës së Civilizimeve, Meta vuri në dukje punën e bërë nga qeveria shqiptare në kuadrin e realizimit të synimeve të aleancës dhe shprehu vullnetin dhe angazhimin e qeverisë së re për të vazhduar më tej në këtë drejtim.

Po më 26 shtator, ministri Meta mori pjesë në një takim me përfaqësues të diasporës që kanë dhënë kontributin e tyre kulturor, social e ekonomik në shoqërinë amerikane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›