Enciklopedia e Maqedonisë, Gruevski: Akademia e pavarur
Një seancë parlamentare për të diskutuar për enciklopedinë e botuar nga academia e shkencave në Maqedoni, është zhvilluar të enjten në këtë vend. Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski tha se nuk sheh përgjegjësi tek kabineti i tij në lidhje me enciklopedinë e Akademisë së Shkencave të botuar para pak ditësh, e cila fyen shqiptarët dhe paraqet fakte të shtrembëruara historike. Kreu i qeverisë, Gruevski gjatë një seance pyetje - përgjigjesh në Parlament foli për herë të parë për këtë çështje, duke thënë se Akademia është e pavarur dhe se ai nuk është përfshirë në punën e saj. Enciklopedia shkaktoi polemika dhe reagime të ashpra në radhët e komunitetit shqiptar jo vetëm në Maqedoni, por edhe ne vendet e tjera. Ndërkaq, sipas redaktorit kryesor të këtij botimi, Bllazhe Ristevksi, dispozitat kontestuese në enciklopedi nuk do të tërhiqen, por vetëm do të precizohen edhe me disa fjali. Sipas tij, ndryshimet nuk janë pasojë e presioneve politike, por bëhen me qëllim që faktet të jenë shkencërishtë më të qendrueshme. Akademiku Ristevski thotë se shqiptarët edhe më tej, në enciklopedi janë përshkruar objektivisht. Pas reagimeve të shumta të opinionit publik, Akademia e Shkencave dhe Arteve maqedonase mori vendimin që t'i korrigjojë pjesët kontestuese të enciklopedisë maqedonase, në të cilat, sipas ekspertëve, shoqërisë civile dhe partive politike shqiptare, ofendohen rëndë shqiptarët, përkatësisht qenia e tyre kombëtare dhe autoktonia.