Enciklopedia e Maqedonisë, ndryshon emrin e Skënderbeut
• Botimi i fundit enciklopedik, dalë në qarkullim në Maqedoni ngre mjaft pikëpyetje mbi historinë shqiptare.Eshtë një botim i shtëpisë botuese “MI-AN” i titulluar “Enciklopedia e përgjithshme dhe maqedonase”, i cili këto ditë ka ngjallur mjaft reagime tek historianët. Nëpërmjet gazetës shqiptare “Koha” në Shkup të Maqedonisë, ata i kanë cilësuar faktet e dhëna në enciklopedi si një provokim dhe fyerje e radhës ndaj shqiptarëve. Dhe pikat mbi të cilat provokohet antishqiptarizmi sipas tyre janë të shumta. Historiani Nevi Dervishi në një letër të hapur shkruan se në faqet e kësaj enciklopedie theksohet se Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina e të tjerë, si kryengritës më 12 gusht 1912, paskan hyrë në Shkup të papenguar nga askush dhe e paskan plaçkitur qytetin e Shkupit…. Por një tjetër fakt edhe më tronditës sipas tij, në letrën e hapur në të cilën i bën një analizë të thellë botimit me 2014 faqe është mbi Gjergj Kastriot Skënderbeun, sipas të cilit, në botim autorët ia ndryshojnë edhe emrin, duke ia bërë kështu Gjorgjia, ndërsa më tej mes faqesh, origjinën ia bëjnë sllave. Edhe Nënë Tereza vihet në mëdyshje në këtë botim, thekson ai në letër, ku në enciklopedi e nxjerrin si vllahe dhe jo sllave. “Enciklopedia e përgjithshme dhe maqedonase” është një botim me katër vëllime, ku pritet nga historianët të kenë një reagim publik për të. Sipas gazetës “Koha” mësohet se më datën 7 prill historianët e USHT-së do të kenë gati memorandumin, të cilin do ta dorëzojnë pranë të gjitha institucioneve me kërkesën për anulimin dhe daljen e këtij botimi nga qarkullimi. Në shkrimin kryesor të kësaj të përditshmeje “Të anulohet enciklopedia antishqiptare”, shkruhet se shefi i katedrës së historisë, Vebi Xhemaili pohon se vendimi është marrë në mbledhjen e mbajtur me të gjithë historianët, të cilët kanë kërkuar unanimisht korrektimin sa më të shpejtë të gabimit të bërë me lejimin e botimit të enciklopedisë. “Do të kërkojmë të hiqet nga përdorimi, nuk mund të lejojmë që shqiptarët të injorohen, të përgënjeshtrohet e kaluara e tyre dhe të shtrembërohet e vërteta historike e prejardhjes së tyre”, thotë Xhemaili. Ndërsa katër vëllimet dhe 2014 faqet e “Enciklopedisë së përgjithshme dhe maqedonase” botuar nga shtëpia botuese MI-AN, nën redaktimin dhe përgjegjësinë kryesore të shkrimtarit dhe publicistit, Jovan Pavllovski janë mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës. Në këtë botim janë publikuar 22 mijë zëra nga fusha të ndryshme, si personalitete, ngjarje historike, ekonomike, politike, gjeografike, kulturore, religjione botërore, flora e fauna etj. Por në Enciklopedi janë përfshirë edhe tetë mijë zëra të tjerë nga Maqedonia, të cilët siç shkruhet në parathënie të saj “kanë të bëjnë me kufijtë etnike, gjeografike e historike”. Ndërkohë 50 zëra të tjerë i përkasin shqiptarëve, ku përfshihen në të shqiptarët si akademikë, politikanë, poetë, shkrimtarë, terma gjeografike si dhe disa figura e ngjarje historike. Në letrën e tij të hapur historiani Nebi Dervishi gishtin ia drejton arkitektit të saj, Jovan Pavlloski, duke e akuzuar se së bashku me ekipin e vet, falsifikon dhe në mënyrë të turpshme dhe përvetëson historinë e të tjerëve, duke filluar që nga lashtësia e antikiteti e duke vazhduar deri në ditët tona. “Pra, kjo është një periudhë shumë e gjatë, në të cilën studiuesit “e nderuar” nuk mund ta gjejnë vetveten, thotë Dervishi duke shtuar se këta “studiues e krijues” vazhdojnë me të njëjtin “avaz” deri sot dhe gjithë ditën, për çka ne do të përpiqemi për lexuesit të hedhim dritë në disa të dhëna”.“Historigrafinë shqiptare që po e ndërtojmë ne e nderuar redaksi e Enciklopedisë, është e krijuar në tabanin kombëtar të shëndoshë, e zhveshur nga shpifjet dhe fantazitë e sëmura, pa vjedhje dhe pirateri, të cilët gjëra për fat të keq tuajin në historiografinë sllavo-maqedonase, e cila qëndron në këmbë të qelqta, nuk mund të gjejë vetveten”, thotë Dervishi ndër të tjera në letrën e hapur. “Gjergj Kastriotin e kanë quajtur, Gjorgjia”Në letrën e hapur të historianit Nebi Dervishi, një pjesë e shkëputur është botuar në gazetën shqiptare “Koha” të Maqedonisë. Në të historiani shkruan me detaje se sipas autorëve të “Enciklodepisë së përgjithshme dhe maqedonase” pellazgët paskan ardhur në Ballkan nga Kreta, Sicilia, Italia e Jugut dhe Etruria”, fakt që vërtetohet sipas tij në faqen 1269 të botimit. Ndërkohë në faqen 572, sipas Dervishit autorët bëjnë tkurrjen e shtrirjes territoriale të fiseve ilire, territor të cilin e ngushtojnë vetëm në brigjet e detit Adriatik. “Pak faqe më parë nga 533 deri në 534 jepen të dhëna për Nekropolet e Trebenishtit. Kultura e gjetur në 32 nekropolet “janë gjoja” të maqedonasve në periudhën helenistike. “Ekipi” i Pavllovskit, merret me shqiptarët dhe gjuhën e tyre. Në faqen 32, shqiptarët paraqiten sipas gjuhës dhe specifikave etnike si dy grupe popujsh “gegë e toskë”. Për trevën e Pollogut shkruhet se “këtu nuk ka pasur asnjë mysliman dhe se popullsia shqiptare fillon të vendoset nga administrata osmane për të ndërruar strukturën e banorëve pas vitit 1690, pas Luftës me Austrinë” shkruan historiani. Ndërkohë në pjesën tjetër të letrës bën fjalë për ndryshimet në historinë shqiptare. “Në faqen 33 të Enciklopedisë shkruan se Isa Boletini, Bajram Curri, Hasan Prishtina e të tjerë, si kryengritës më 12 gusht 1912, paskan hyrë në Shkup të papenguar nga askush dhe e paskan plaçkitur qytetin e Shkupit… Ndërsa në faqen 719, shkruan për Gjergj Kastriotin, të cilit ia ndryshon edhe emrin, ia bën Gjorgjia. Në faqen 957 shkruan për origjinën e tij sllave, ndërsa Nënë Terezën nuk e bëjnë sllave, por vllahe” shpjegon më tej në letër Dervishi.