E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDSH rikthehet në kabinetin qeveritar

• Partia Demokratike Shqiptare ka vendosur të kthehet në koalicionin qeveritar pasi ka arritur një marrëveshje me partinë e Kryeministrit Nikolla Gruevski VMRO-DPMNE për zgjidhjen e kërkesave të saj.Duket se një gjykatës kushtetues i ka vlerësuar si të realizueshme kërkesat e palës shqiptare në qeverinë maqedonase. Pikat themelore të kërkesës së PDSH-së, ishin: Ligji “Për përdorimin zyrtar të gjuhëve në përputhshmëri me kushtetutën dhe me Marrëveshjen e Ohrit”; ligji “Për përdorimin e flamujve në përputhje me kushtetutën”; një plan veprimi (brenda 10 ditësh) për realizimin e përfaqësimit të së drejtës së bashkësive etnike jo shumicë në Maqedoni; çështjet e lidhura me viktimat e konfliktit në përputhje me ligjet ekzistuese; katër rastet e Gjykatës së Hagës të zgjidhen në kuadër të institucioneve shtetërore në përputhje me Kushtetutën. Për këto pika u ra dakord që të diskutohet në qeveri pas arritjes së marrëveshjes mes kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, dhe Kryeministrit Gruevski. Një pikë themelore në kërkesat e PDSH-së për qeverinë maqedonase, e cila mund të veçohet nga të tjerat, ishte njohja e shtetit të Kosovës, për të cilën Thaçi tha se do të ndodhë brenda disa ditësh. Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, anëtari i kryesisë qendrore të partisë opozitare shqiptare, BDI, Xhevat Ademi, tha se PDSH-ja nuk ka dalë ndonjëherë nga qeveria. Disa prej kërkesave të PDSH-së janë pjesë e diskutimeve midis BDI-së dhe Kryeministrit Gruevski, kjo si pjesë e marrëveshjes midis kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti dhe kryeministrit në muajin maj të vitit që shkoi. Pas vendimit për rikthimin në qeveri, Imer Aliu, zëvendës/kryeministri, tha se do të japë dorëheqjen nga posti i tij. Më parë ai kish deklaruar se asnjëherë nuk do të punonte më me Kryeministrin Gruevski. Aliu u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve “që të bojkotojnë institucionet për sa kohë ato i drejtonte Nikolla Gruevski, pasi ai ishte i papërgjegjshëm dhe po çonte vendin në humnerë”, pasi Gruevski akuzoi anëtarët e kabinetit nga PDSH-ja se punonin për interesa të huaja. Berisha përshëndet PDSHKryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka përshëndetur dje marrëveshjen e arritur mes Partisë Demokratike të Shqiptarëve të Maqedonisë, drejtuar nga Menduh Thaçi dhe Partisë së kryesuar nga Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, VMRO DPMNE. Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë marrëveshje si një zhvillim të rëndësishëm pozitiv, në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, në stabilitetin e Maqedonisë, si dhe në procesin e integrimit të saj në NATO. Pak ditë më parë kreu i qeverisë shqiptare u takua me liderin e partisë përfaqësuese të shqiptarëve në qeverinë maqedonase për të diskutuar mbi vendimin e kësaj partie për të braktisur kabinetin qeveritar. Në këtë takim u vlerësua respektimi i Marrëveshjes së Ohrit.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›