E Diel, 1 Nëntor 2026

Godina e Prefekturës 4 muaj pa roje, rrezikohen dokumentet

• ELBASAN – Prefektura e Elbasanit, një nga institucionet më të rëndësishme në rang qarku prej gati 4 muajsh nuk ruhet nga punonjës të policisë, as të shtetit e as private.Kjo ndodh kur bëhet fjalë për një institucion, në godinën e të cilit gjenden shumë zyra të rëndësishme si Hipoteka, Zyra e Gjendjes Civile, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Agjencia e Legalizimeve, etj. Që në dhjetorin e shkuar, Policia e Shtetit largoi nga detyra e mbrojtjes së godinave shtetërore punonjësit e saj dhe në bazë të një vendimi të marrë nga Ministria e Brendshme, në vend të tyre do të punësohen roje private. Përballë këtij fakti, drejtues të prefekturës janë shprehur se nuk është përcaktuar ndonjë fond prej të cilit të mundësohet tenderimi i firmës së rojeve private. Mungesa e rojes gjatë 24 orëve ka krijuar shqetësim për drejtuesit e institucioneve që ndodhen në këtë ambient, pasi ka dokumente të ndryshme që rrezikojnë të bien në duar të personave të papërgjegjshëm. Ata janë ankuar në institucionet e larta të shtetit, nga ku duhet të lëshohet urdhri për të çelur fondin për të paguar më pas rojet private. Sipas tyre, Ministria e Financave gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2008 duhet të kishte akorduar një fond për rojet private, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për të evituar ndonjë ngjarje që do të krijonte probleme gjatë punës së institucioneve, drejtuesit e tyre kanë menduar të aplikojnë një formë tjetër për sigurimin e buxhetit. Nga paga e secilit nëpunës mbahet një përqindje, me anë të së cilës do të paguhet roja i vetëm gjatë paradites, ndërsa më vonë zyrat mjaftohen vetëm duke u mbyllur me çelës.                 a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›