E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Buka për të burgosurit, tërhiqet zvarrë në thasë”

• Në Burgun 313 mungojnë kushtet për ajrimin e të burgosurve, kushtet e higjienës së ushqimit, pastërtia e tualeteve dhe transferimi nga burgu si masë ndëshkimore.Fatos Mahmutaj Skënder Haluca, komisioner i Avokatit të Popullit që inspektoi dje qelitë e paraburgimit të Krimeve të Rënda pohoi në një prononcim për “Panorama” se për këto shqetësime u kishte dhënë të drejtë të burgosurve. Zoti Haluca, një ekip i Avokatit të Popullit, inspektoi dje qelitë e paraburgimit 313, ku pretendohet nga të burgosurit se u mungojnë disa nga kushtet elementare. Kush e inicioi inspektimin dhe cilat ishin ankesat e të burgosurve? Pas telefonatave që patëm në institucion për disa shqetësime të të burgosurve të 313 në kryeqytet, një ekip i Avokatit të Popullit, i përbërë nga unë dhe dy ndihmës komisionerët Petrit Azemaj dhe Ervin Karamuço inspektuam dje këtë institucion paraburgimi ku morëm takime thuajse më të gjithë të burgosurit. Madje takuam edhe femrat e paraburgosura dhe të miturit. Nga vetë të burgosurit dëgjuam shqetësimet që kishin të cilat më kryesoret ishin: ajrimi, higjiena e ushqimit dhe higjiena e tualeteve. Për këto u dhamë të drejtë. Përsa i përket ajrimit në këtë burg ekziston vetëm një vend i tillë në katin e tretë me zgarë hekuri në të cilën të burgosurit kanë mundësi të shohin qiellin. Por kjo hapësirë është e pamjaftueshme të për të gjithë të burgosurit kështu që pjesa më e madhe e tyre e bëjnë ajrimin nëpër qeli, dhe megjithëse qëndrojnë edhe dy orë, këto nuk përmbushin kushtet për të qenë dhoma ajrimi. Ushqimi i ofruar nga institucioni ishte skandaloz. Buka mbahej në thasë, të cilët në momentin e shpërndarjes tërhiqeshin zvarrë nëpër korridore. Po kështu edhe tenxheret në të cilat gatuhej, qëndronin nëpër korridore dhe transportoheshin nga të burgosurit. Pra higjiena e tyre linte shumë për të dëshiruar. Nga të burgosurit u ngrit edhe problemi i tualeteve, të cilat gjithashtu ishin të papastra dhe të papërshtatshme. Në të njëjtën kohë të burgosurit u ankuan se nuk u lejoheshin ushqimet e familjarëve. Një problem tjetër shqetësues për të burgosurit ishin transferimet si masë ndëshkimore. Për shkelje të disiplinave të burgosurit shpeshherë transferohen nga njëri-burg te tjetri, ç’ka është e jashtëligjshme dhe është hequr si masë në rregulloren e burgjeve. Transferimi për ndëshkim është i paligjshëm, ndërkohë lejohet vetëm në rastet kur paraqet rrezikshmëri jeta apo shëndeti i të burgosurit. Për këto kërkesa u dhamë të drejtë, ndërkohë pati edhe kërkesa, zgjidhja e të cilave është kompetencë e institucioneve të tjera dhe që u premtuam se do i përcillnim. Pastaj si vepruat?Pasi u njohëm me shqetësimet e të burgosurve takuam drejtorin e këtij burgu, kreun e burgjeve Gazmend Dibra dhe komunikuam me telefon me ministrin e Drejtësisë. Atyre u komunikuam paketën e ankesave të të burgosurve. Këta na premtuan se këto probleme megjithëse të mbartura, deri në fund të prillit do kenë gjetur zgjidhje. Na thanë se tashmë ka nisur puna për rregullimin e vendeve të ajrimit në burg, të cilët do të jenë në dispozicion të burgosurve. Kërkesa e të burgosurve për ndryshimin e rregullores për katër orë ajrim në ditë dhe ndryshimet në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale për lirimet me kusht na u bë e ditur se është kompetencë e qeverisë. Nga kreu i paraburgimit 313 dhe drejtori i burgjeve gjetëm mirëkuptim. Të burgosurit ankohen për dhunë ndaj tyre nga ana e Policisë së Burgjeve, ç’mund të thoni për këtë?Gjatë inspektimit ata u ankuan për këtë gjë, por fakti që ne nuk konstatuam shenja të dhunës aktuale nuk do të thotë se në burgje nuk teprohet nga ana e policisë. Jemi të bindur se nëpër burgje përdoret dhunë. Pak ditë më parë të burgosurit e 313-ës njoftuan nisjen e një greve deri në zgjidhjen përfundimtare të problemeve të tyre, gjatë inspektimit tuaj ai ishin në grevë ata?Gjetëm disa të burgosur që kishin nxjerrë ushqimet jashtë qelive dhe disa të tjerë që kishin refuzuar ushqimin e institucionit por që ende mbanin ushqime të familjes nëpër qeli. Ne i kemi kërkuar institucioneve shtetërore të nxjerrin një urdhëresë, në bazë të së cilës të menaxhohen grevat në burgje.UshqimiSipas komisionerit të Avokatit të Popullit ushqimi i ofruar nga institucioni 313 i paraburgimit ishte skandaloz. Buka mbahej në thasë, të cilët tërhiqeshin zvarrë në korridore. Po kështu edhe higjiena e tenxhereve në të cilat gatuhej, linte shumë për të dëshiruar.Tualetet Të burgosurit e 313-ës ngritën dje edhe problemin e tualeteve, të cilat gjithashtu ishin të papastra dhe të papërshtatshme. Ministra e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve i kanë premtuar dje ekipit të Avokatit të Popullit se brenda prillit ky problem do zgjidhej.Transferimi Transferimi i të burgosurve si masë ndëshkimore është konstatuar si veprim i paligjshëm nga komisionerët e Avokatit të Popullit, të cilët thanë se kjo është hequr si masë në rregulloren e burgjeve dhe se kjo lejohet vetëm në rastet kur ka rrezik për jetën e të burgosurit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›