Prishtina feston bombardimet, Beogradi akuzon për grabitje
• Dje Kosova shënoi nëntë vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, duke e vlerësuar këtë ditë si një kthesë historike drejt lirisë...... së popullit të Kosovës, ndërsa pikërisht në këtë ditë SHBA vendosi të shtojë kontigjentin e trupave me 1000 ushtarë. Liderë të institucioneve të Kosovës falënderuan NATO-n e SHBA-në për vendimin e fundit duke premtuar se do të justifikojnë këtë përkrahje, duke respektuar të drejtat e njeriut, veçanërisht duke mbrojtur komunitetet pakicë në Kosovë. “Më 24 mars 1999, Aleanca më e fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, e nisur nga ideja humane për shpëtimin e popullit të Kosovës, kur këtij i kanosej gjenocidi dhe shpërbërja fizike, filloi sulmet ajrore kundër forcave serbe në Kosovë dhe në Serbi. Këtë vit, kjo datë e gjen vendin tonë me ëndrrën e përmbushur të shumë e shumë brezave: me Republikën e pavarur e sovrane të Kosovës”, thuhet në mesazhin e presidentit Fatmir Sejdiu. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi kujtoi se lufta e drejtë e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, bëri që aleanca ushtarake më e fuqishme në botë të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor në Kosovë, lirisë, paqes dhe demokracisë. Koshtunica reagon Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica e përkujtoi përvjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër serbëve me akuza drejtuar Perëndimit për grabitje cinike të territorit të Serbisë në emër të veprave humanitare. “Vendi ynë u bombardua që në Kosovë, të krijohet shteti i NATO-s. Tashmë është më se e qartë se shkatërrimi mizor i Serbisë në bombardimet e NATO-s ka pasur vetëm një qëllim, që provinca e Kosovës të kthehet në shtetin e parë të NATO-s në botë” ka deklaruar Koshtunica. Serbët duan armë Edhe pse kanë kaluar nëntë vjet, serbët e Kosovës e shohin si një hap të gabuar ndërhyrjen e NATO-s, edhe pse pranojnë se popullatës shqiptare po u shkeleshin të drejtat në mënyrë drastike nga regjimi i Millosheviçit. “Te populli serb në Kosovë dhe Serbi është krijuar perceptimi se fushata e NATO-s mbi Serbinë ka pasur për qëllim krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe kjo fatkeqësisht u tregua me njohjen e njëanshme si shtet i pavarur”, thotë Goran Bogdanoviç, përfaqësues në Kosovë i Partisë Demokratike të presidentit serb, Boris Tadiç. Serbët protestuan në Mitrovicë duke kërkuar edhe furnizimin me armë nga Rusia dhe Serbia si përgjigje kundër vendimit të SHBA-së për të dërguar armë në Kosovë.