E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enciklopedia maqedonase: Bekim Fehmiu është serb

Një tjetër incident shkaktohet nga enciklopeditë maqedonase kur iu referohen shqiptarëve. Këtë radhë është "Enciklopedia filmike", e botuar këto ditë nën sponsorizimin e Ministrisë së Kulturës, me autor Georgi Vasilevski që injoron dhe falsifikon kinematografinë shqiptare, duke tjetërsuar edhe aktorët e famshëm shqiptarë. Përveçse mungesës së një historiku, në këtë botim të ri, aktori i njohur, Bekim Fehmiu, konsiderohet serb. Në "Enciklopedinë filmike" që u botua këto ditë, nuk përmendet asnjë fjalë për filmin, kinematografinë shqiptare dhe aktorët shqiptarë. Enciklopedia flet për ngjarje, personalitete e krijime nga bota e filmit. Në kuadër të filmave dhe aktorëve botërorë vend të konsiderueshëm zënë edhe filmat dhe aktorët serbë, pastaj ata kroatë, boshnjakë, turq dhe si shkarazi do t‘i jepet një shtyllë hapësirë edhe aktorit me përmasa botërore, Bekim Fehmiut. Asgjë nga bota filmike shqiptare. Bekim Fehmiu emërtohet si aktor serb dhe tekstualisht thuhet se: "Bekim Fehmiu është aktor serb i filmit dhe i teatrit". Agjencitë e lajmeve i mëshojnë idesë se autori i kësaj enciklopedie nuk nënvizon faktin që, në vitin 1987, në mënyrë demonstrative Bekim Fehmiu hoqi dorë nga shfaqja "Madame Kolontine" të autorit Anete Playel, jo për shkaqe teknike, por pikërisht për faktin se serbët e kishin mbushur kupën e propagandës antishqiptare. Në enciklopedinë e famshme maqedonas filmike nuk përmendet aktorët e mirënjohur shqiptarë nga Maqedonia, të cilët janë të shquar dhe të vlerësuar me çmime nga bota e filmit, duke përfshirë edhe filmat dokumentarë. Gjithashtu, në nivelin e kinematografisë ndërkombëtare nuk janë përmendur aktorët e mëdhenj si: James dhe John Belushi, Eliza Dushku, Luan Bexheti, apo edhe emra të tjerë. E pyetur rreth këtij fakti, Ministria e Kulturës nuk ka reaguar. Botimi i kësaj "Enciklopedie Filmike" vjen fill pas botimit të enciklopedisë maqedonase nga Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedonase, e cila shkaktoi një valë reagimesh në qarqet kulturore shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›