E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enciklopedia maqedonase dhe "shpata e Demokleut"

Botimi dhe publikimi i një enciklopedie ka përbërë gjithmonë një ngjarje të shënuar në jetën kulturore dhe shoqërore të një kombi. Madje ka raste siç është ai i botimit të enciklopedisë franceze nga viti 1751 deri në 1772, i cili ka qenë i një rëndësie të tillë politike, sa ka zënë dukshëm vendin më të rëndësishëm në historinë shoqërore dhe letrare të shekullit. Influenca e saj ishte shumë e madhe në formimin e mendimit të mëvonshëm europian, aq sa shpeshherë dhe modelet e enciklopedive të mëvonshme europiane e morën si model. Kjo influencë nuk i dedikohet shumë informacionit që enciklopedia në vetvete përmbante, pasi në vitet e mëvonshme sigurisht që ai do ishte shumë më bashkëkohor, por kriterit sesi ishte hartuar. E thënë me fjalët e Deni Diderot - njërit nga baballarët e enciklopedisë franceze, ky kriter shprehte se "të gjitha faktet duhen ekzaminuar, debatuar e studiuar pa asnjë përjashtim dhe pa marrë parasysh ndjenjat e asnjërit". Mesa duket problemi më i madh filozofik i filozofëve të këtyre popujve ballkanikë nuk ishin dilemat filozofike të ekzistencës, por justifikimi i përvetësimit të ekzistencës së tjetrit.

Një shembull klasik në këtë drejtim përbëjnë tezat e Akademisë Serbe për origjinën e shqiptarëve. Të kompleksuar nga autoktonia e shqiptarëve dhe të ardhjes së sllavëve në shekujt VI-VII në Ballkan, akademikët serbë u munduan që të jepnin një variant tjetër më të përshtatshëm për kombin e vet që ishte ardhës. Kështu faktin historik të ardhacakut u munduan t‘ua vishnin shqiptarëve, duke i shpallur si të ardhur në Ballkan nga Turqia dhjetë shekuj më vonë se sllavët, në shekullin XVII! Është e kuptueshme se përderisa kjo akademi kishte anëtarë njerëz që hartonin pogrome ndaj popullsisë shqiptare për ta shpërngulur me forcë në Turqi, siç ishte plani i akademikut serb Vasa Çubrolloviqit më 1938, nuk mund të kishte dyshim që ajo të ishte aq e aftë sa të fabrikonte lehtësisht origjina të çuditshme të shqiptarëve dhe të përpiqej t‘i shiste si për të vërteta.

Prezenca e shqiptarëve në Maqedoni datohet në shekullin XIX dhe ata konsiderohen si "popull malor", që kanë okupuar vatrat maqedonase. Nuk është e vështirë që të dallosh origjinën e këtyre tezave, por më e vështirë është të besosh se ka akoma në Ballkan popuj që, kur përpiqen të sendërtojnë identitetin e vet, e nisin mbrapsht përpjekjen, duke iu mohuar identitetin të tjerëve. Në fakt, përpjekja e popullsisë sllave në territorin e IRMJ për të formuar identitetin e vet vjen paksa e vonuar. Kjo gjë natyrisht jo për faj të tyre. Shpjegimin e gjen në të gjitha veprat historike që flasin për Ballkanin. Aty theksohet se kush kontrollon Maqedoninë, kontrollon Ballkanin. Kjo fjali mund të shpjegojë saktësisht se përse zgjimi nacionalist i kësaj popullsie fillon duke përqafuar identitetin bullgar e përfundon pas luftërave ballkanike me identitet serb e grek. Boshti Athinë-Beograd u bë protagonist për më pak se një shekull i politikave europiane në Ballkan. Shqiptarët dhe maqedonasit ishin nga viktimat kryesore të këtij boshti, ku Shqipërisë iu rrëmbyen pjesë virtuale të ekzistencës së saj, ndër to dhe territori i sotëm i shqiptarëve në Maqedoni, kurse popullsisë sllave të Maqedonisë nuk iu lejua të formonte identitetin e saj.

Në këtë kontekst, ekzistenca e shtetit modern të Maqedonisë të pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar e deri më sot, më shumë se një shprehje e vullnetit nacionalist të popullsisë sllave është një marrëveshje mes gjithë popullsive të tjera që banojnë në territorin e IRJM për të krijuar një shtet, ku natyrisht shqiptarët mbajnë peshën kryesore. Çdo përpjekje për t‘i trajtuar ata si minoritet ardhacak në Maqedoni dhe jo si popullsi shtetformuese, minon vetë themelet e shtetit maqedonas dhe tërë stabilitetin në rajon. Doktrina e nacionalizmit romantik të shekullit XIX nuk mund të jetë një zgjidhje e problemit maqedonas siç ka gjasa që popullsia sllave në Maqedoni po synon me botimin e kësaj enciklopedie, sepse në këtë rast shqiptarët mund t‘i rikthehen projektit të tyre të nacionalist të shekullit XIX-XX që Fuqitë e Mëdha ia mohuan.

Ata nuk mund të pranojnë të jenë sërish viktima të gjeostrategjisë dhe aq më tepër në një shtet që është shpallur multietnik dhe ku ata pretendohet se janë faktorë shtetformues. Marrëveshja e Ohrit është i vetmi çelës që hap portën e paqes në Maqedoni dhe është shumë gabim që qoftë komuniteti ndërkombëtar, qoftë popullsitë sllave dhe shqiptare të rajonit akoma nuk po e zbatojnë. Kjo kambanë alarmi është më tepër eminente për popullsinë sllave të IRJM, identiteti i së cilës pretendohet nga Bullgaria, ai fetar nga Serbia dhe identiteti nominastik nga Greqia. A mund ta kuptojnë ata vallë se, nëse shqiptarët fillojnë e kërkojnë afirmim të identitetit të tyre nacionalist, pasi deri tani vetëm sa kanë shprehur atë shtetformues, ç‘mund të ndodhë? Deklarata cinike e disa muajve më parë të ish-ministrit të jashtëm grek, Antonis Samaras se "territori i IRJM duhet të ndahet midis Bullgarisë, Shqipërisë dhe Greqisë, pasi nuk ekziston shtet me këtë emër" është realiteti i trishtë dhe "shpata e Demokleut" që qëndron mbi kokë ekzistencës të shtetit shumetnik maqedonas dhe klasa politike maqedonase dhe intelektualët maqedonas duhet të jenë të ndërgjegjshëm se vetëm vullneti i mirë i deritanishëm i shqiptarëve për të qëndruar në këtë shtet është peri që e mban për të mos rënë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›