E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos e kanë fajin ndërkombëtarët?

Këto zgjedhje treguan edhe njëherë se komuniteti ndërkombëtar vazhdon të mbetet një palë e tretë përbri aktorëve tradicionalë politikë, pozitë-opozitë. Evidentimi i shkeljeve të ndodhura gjatë procesit zgjedhor, si dhe thirrjet të drejtuara në adresë të opozitës për t‘iu kthyer jetës parlamentare dëshmojnë për një rol të dyzuar të faktorit ndërkombëtar. Ky dualizëm, prodhon një hapësirë politike "hibride" ku standardet dhe procedurat demokratike nuk janë të vetmet elemente përcaktuese në lojën politike. Madje, sa më shumë cenohen këto standarde, aq më shumë bëhet i domosdoshëm roli i komunitetit ndërkombëtar, që shpesh është shfrytëzuar nga forca në pushtet për të bllokuar aksionin politik të opozitës.

Disa analistë e kanë kritikuar këtë pozicion dyzues të faktorit ndërkombëtar, pasi ata në sytë e bashkësisë politike dhe të qytetarëve të thjeshtë po identifikohen me palën në pushtet pra "janë bërë njësh me ta", ndërkohë që siç theksohet nga vetë ata përgjegjësinë për shkeljet e konstatuara në radhë të parë e mban qeveria si administratorja e procesit, por edhe subjektet e tjera politike kanë pjesën e tyre. Si ta kuptojmë këtë qëndrim? Apo kritikën e adresuar ndaj tyre?

Me një analizë të sipërfaqshme mund të thuhet se faktori ndërkombëtar në lidhje me qëndrimin që po mban ndaj zgjedhjeve po tregon se është më shumë i interesuar për stabilitetin e vendit sesa për konsolidimin e standardeve demokratike që i mungojnë institucioneve të vendit.

Por siç dihet tashmë, këto qëndrime nuk mund të shpjegohen me një model të thjeshtëzuar të tipit shkak-pasojë. Shkeljet e konstatuara nuk janë rezultat i një faktori të vetëm, por përkundrazi i një numri faktorësh. Tendenca për ta përqendruar zgjidhjen e problemit vetëm te një faktor, e bën qesharake nivelin e analizës dhe të pamundur zgjidhjen e saj. Pikërisht, kjo mënyrë e të analizuarit të problemit ka sjellë që, në njërën anë të shikojmë një angazhim të vazhdueshëm të aktorëve politikë për ta zgjidhur problemin dhe në anën tjetër të përballemi me rezultate të dobëta.

Ky kontrast, midis premtimit dhe rezultatit ka ardhur për arsye se rrënjët e fenomenit vazhdojnë të prekin jo vetëm aktorët politikë dhe administrativë, por të gjitha strukturat sociale, politike, ekonomike të mbarë shoqërisë. Dhe në këtë kontekst, zgjidhja e problemit fatkeqësisht vazhdon të mos varet shumë nga modelet që ofrohen nga aktorët politikë, por nga normat kulturore dhe sociale që kemi ndërtuar si shoqëri.

Këto normat shoqërore, të cilat pasqyrohen në mendjen e individëve përcaktojnë suksesin e zbatimit me rigoroz të sanksioneve dhe mbikëqyrjes, si dhe masat organizative dhe ligjore. Njerëzit, duke imituar njëri-tjetrin, përvetësojnë vlera të familjes, grupit dhe të shoqërisë. Pikërisht këto vlera dhe qëndrime të përvetësuara nga individët dhe grupet reflektohen në mendjen e individëve dhe grupeve sociale. Në këto kushte, përcaktuesi kryesor i veprimeve të korruptuara, antiligjore dhe imorale nuk janë rrethanat objektive, por përkundrazi, normat shoqërore, kulturore, ligjore dhe etike që mbart ky individ dhe grupi në përgjithësi.

Janë pikërisht këta faktorë që i shtyjnë sociologët (Durkheim, Tonnies, Parsons) ta konceptojnë shkallën e ulët të zhvillimit të institucioneve demokratike si një shtrembërim "patologjik i detyrimeve normative". Pasi këto norma shoqërore, të pasqyruara në mendjen e individit apo grupit, përcaktojnë atë çfarë konsiderohet korrupsion, shkelje ligji, veprim imoral, e në fund të fundit përcaktojnë edhe suksesin e zbatimit me rigorozitet të sanksioneve dhe mbikëqyrjes, si dhe të masave organizative dhe ligjore në drejtim të parandalimit të tyre.

Jo rastësisht vërejmë që synimet administrative nuk mbështeten mbi nevojat shoqërore dhe politike të shoqërisë, por mbi kapriciot personale të drejtuesve të tyre. Nepotizmi dominon organizimin e administratës, kriteret për të pasur një post nuk janë aftësitë apo njohuritë, por lidhjet, origjina e duhur e familjes dhe kontaktet personale me eprorët. Zyrtarët janë më të interesuar për postet e tyre dhe më pak të interesuar për politikën e shtetit dhe ndikimin e saj. Është pikërisht kjo mënyrë ndërveprimi, karakteristike e shoqërive të pazhvilluara do të shprehej Weber që me kalimin e kohës, përjashtimet e bëra për të afërm, miq, klane apo për shkaqe korruptive dhe ryshfeti e gllabërojnë të gjithë sistemin.

Ky aspekt kulturor përcakton sjelljen shoqërore, e cila është në kontradiktë me natyrën e normave ligjore të huazuar nga vende me demokraci të zhvilluar, pasi formulimi i rregullave dhe ligjeve janë sipas standardeve ndërkombëtare, por interpretimi dhe zbatimi i tyre në realitet kushtëzohen nga botëkuptimi që kanë vetë aktorët. Kështu që reformat që ndërmerren në planin juridik dhe administrativ janë të mirëmenduara, por kur vjen momenti për t‘i zbatuar këto norma shikojmë se zbatimi i tyre në praktikë ndryshon shumë nga ajo çfarë kërkohet në normën e shkruar. Kjo mënyrë që zgjedh shoqëria për ta përshtatur normën abstrakte që vjen si imponim nga "lart" me normën kulturore që i buron nga "brenda" individit, përcakton standardet demokratike të vendit tonë.

Ky hendek ndërmjet frymës së ligjeve dhe kulturës së shoqërisë për ta zbatuar atë kërkon kohë dhe angazhimin e të gjithë palëve. Por, për ne shqiptarët koha është shumë e shtrenjtë dhe padurimi për të pritur kohën, nxit presionin ndaj aktorëve politikë dhe atyre ndërkombëtarë për të influencuar në korrigjimin e situatës. Shumë qytetarë janë të interesuar ta shpejtojnë kohën duke menduar se të vetmit që mund ta realizojnë këtë gjë janë aktorët politikë dhe faktori ndërkombëtar. Por për fat të keq kompleksiteti i fenomenit i prek të gjithë dhe nuk mund të përjashtosh një palë nga përgjegjësia për të anatemuar një palë tjetër, siç po bën opozita. Në këto rrethana, shkaqet e fenomenit duhet t‘i kërkojë secili brenda vetes dhe jo jashtë tij. Në këto realitete kushtëzohet edhe vendimmarrja e faktorit ndërkombëtar, i cili është i vetëdijshëm për kohën e gjatë që do të na nevojitet për t‘u unifikuar me vende me demokraci të konsoliduar, si rrjedhim zgjedh kompromisin si armë kundrejt fajësisë së palëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›