E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia kërkon hetim mbi vizitën e Sejdiut në OKB

Ishte ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, që ka deklaruar se Beogradi ka dërguar një notë proteste në Sekretariatin e OKB-së dhe ka kërkuar hetim urgjent se pse Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ishte i pranishëm në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Serbia pretendon se Presidenti Sejdiu dhe anëtarët e delegacionit të Kosovës janë qytetarë privatë dhe thotë se atyre nuk mund t‘u lejohet pjesëmarrja në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kosova nuk ka marrë pjesë në punimet e asamblesë, por Presidenti dhe ministri i Jashtëm kanë shfrytëzuar sesionin vjetor të OKB-së për të takuar në Nju-Jork udhëheqësit e një numri shtetesh, nga të cilët kanë kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Delegacioni i Serbisë ndërkaq u ka bërë thirrje shteteve anëtare të OKB-së që nuk e kanë njohur Kosovën, të mos e bëjnë këtë dhe të presin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka përfunduar vizitën e tij në Nju Jork, ndërsa ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, do të vazhdojë aktivitetet lobuese edhe për një javë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›