E Diel, 1 Nëntor 2026

Enciklopedia maqedonase, fyese për shqiptarëtNga Isuf Kadriu, RFE“Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre”. “Vërshimin e tyre dr

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Enciklopedia maqedonase, fyese për shqiptarëtNga Isuf Kadriu, RFE

“Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre”.

“Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë perëndimore. Shqiptarët, veç tjerash, njihen edhe si njerëz malorë...”.

Këto janë vetëm disa pjesë të shkëputura për shqiptarët nga Enciklopedia e re maqedonase, e botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë, e që ka shkaktuar reagime të ashpra në mesin e qarqeve të ndryshme shqiptare në Maqedoni.

Akademikët maqedonas, në promovimin e kësaj enciklopedie, nuk kanë dhënë detaje, përveç faktit se ajo përfshin edhe të kaluarën e bashkësive etnike në Maqedoni, që nga historia e hershme e deri në ditët e sotme dhe se për këtë kanë qenë të angazhuar edhe historianë shqiptarë.

Një nga emrat e redaktorëve të botimit, është edhe ai i historianit Shukri Rahimi, për të cilin nga Akademia thonë se ka punuar në pjesën e historisë shqiptare.

Mirëpo, zoti Rahimi distancohet, jo vetëm nga pjesa që është shkruar për historinë shqiptare, por nga e tërë përmbajtja e Enciklopedisë së Maqedonisë.

Ai thotë se që në fillim kishte refuzuar të jetë pjesë e grupit punues dhe se për vendosjen e emrit të tij aspak nuk është konsultuar.

“Unë kam qenë i propozuar për anëtar të komisionit në pjesën që ka të bëjë për historinë shqiptare, kurse një koleg maqedonas për historinë maqedonase, por unë këtë e kam refuzuar, pra nuk desha të jem redaktor, pasi me atë kolegun maqedonas edhe më parë, gjatë programeve shkollore që kemi bërë, kurrë nuk jemi pajtuar”.

“Ata, gjithkund, në këtë mënyrë janë përpjekur të shpjegojnë historinë, prandaj edhe me kohë e kam refuzuar dhe nuk kam dashur që emri im të jetë aty”, - deklaroi Shukri Rahimi.

Akademia e Shkenca dhe e Arteve e Maqedonisë në radhët e saj ka edhe tre akademikë shqiptarë.

Njëri nga ata, akademiku Alajdin Abazi, thotë se anëtarët shqiptarë me kohë janë distancuar nga projekti i Enciklopedisë, pasi që në fillim ishin injoruar kërkesat e tyre për një përfshirje reale të historisë së popullit shqiptar.

“Që në atë kohë kemi paraparë se do të dalë një Enciklopedi, që do të shtrembërojë shumë çështje, shtrembërimi më i madh qëndron në atë se, sipas saj, shqiptarët janë vendosur këtu si ardhacakë në shekullin XVI”.

“Pra, edhe një herë e them se ne, si anëtarë shqiptarë të Akademisë, distancohemi nga kjo Enciklopedi”, - theksoi akademik Aljadin Abazi.

Nga Shoqata e historianëve shqiptarë të Maqedonisë thonë se Enciklopedia maqedonase nuk ka asgjë të përbashkët me shkencën, pasi mesazhi kryesor i saj është urrejtja dhe nxitja e ndarjes mes bashkësive etnike.

Shoqata e historianëve shqiptarë kërkon nga akademikët shqiptarë të distancohen nga, siç thuhet, politika famëkeqe e akademikëve maqedonas.

“Nuk kemi të bëjmë fare me shkencën, por është kryekëput politike dhe jep mesazhe ndarjeje. Shoqata e historianëve shqiptarë kërkon nga akademikët shqiptarë të kësaj akademie famëkeqe, që të distancohet nga kjo politikë dhe enciklopedi fashizoide dhe të kushtëzojnë pjesëmarrjen në këtë akademi me tërheqjen e enciklopedisë nga përdorimi dhe t’i kërkohet falje publike popullit shqiptar”, - u shpreh Skënder Asani.

Gjithashtu, ka reaguar edhe lëvizja qytetare “Zgjohu”. “Akademikët maqedonas duhet t’i japin fund politikës së satanizimit të shqiptarëve dhe përvetësimit të historisë së tyre”, - thotë kryetari i saj Artan Grubi.

“Konsiderojnë se ky institucion, i cili ka më tepër axhendë politike sesa shkencore, duhet njëherë e përgjithmonë të ndalojë me satanizimin e shqiptarëve dhe me përvetësimin e historisë së tyre”.

“Gjithashtu, ftojmë anëtarët e Akademisë që janë me përkatësi etnike shqiptare që të ngrenë zërin kundër kësaj enciklopedie, të distancohen nga përmbajtja e saj, të reagojnë dhe të na prijnë në protestat për largimin e kësaj enciklopedie nga tregu”, - deklaroi Artan Grubi, nga lëvizja qytetare “Zgjohu”.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë ende mbahet mend me propozimin e saj të vitit 2001 për shkëmbimin e territoreve dhe popullatës mes Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Ky propozim ishte mbështetur edhe nga kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë, Lubco Georgievski, por ishte kundërshtuar nga partitë shqiptare, opozita e atëhershme maqedonase, LSDM dhe faktori ndërkombëtar.

SHBA-Britani: Enciklopedia maqedonase është false

Ambasada e SHBA në Shkup dhe ajo e Britanisë i kanë hedhur poshtë si të pavërteta shkrimet në Enciklopedinë e promovuar nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë.

Nga kjo ambasadë thonë se janë të zhgënjyer nga ky institucion, i cili e ka vënë emrin e vet mbi një pohim të pabazë. Nga ambasada e SHBA vlerësojnë se ky institucion duhet të mendojë se çfarë do të ndërmarrë për të përmirësuar kredibilitetin e saj.

“Pohimet se oficerë amerikanë kanë trajnuar ish-ushtarë të UÇK janë të pabaza dhe “të turpshme”. Do të jemi në kontakt me Akademinë për këtë gjë, dhe jemi të dëshpëruar nga fakti se ky institucion ka vendosur emrin e vet, mbi një pohim të pabazë”, - thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Edhe nga Ambasada e Britanisë së Madhe kanë pohuar se “Britania nuk ka bërë asnjë trajnim të UÇK”, dhe se pohimet të tilla janë false.

Turpi akademik, të japin dorëheqjen

Ka dalë në shesh pjesëmarrja e akademikëve shqiptarë, por edhe shkencëtarëve shqiptarë, që kanë qenë pjesë e skenarit të redaktimit të “Enciklopedisë Maqedonase”. Disa mohojnë se kanë gisht në këtë skenar të turpshëm për shqiptarët, por një pjesë e tyre pohon se ka marrë përgjegjësi dhe honorare për punën e bërë.

Bëmat e akademikëve shqiptarë kanë dalë në shesh nga akademiku Blazhe Ristevski, i cili ka bërë të ditur emra të përfshirë në këtë projekt si akademikët dhe shkencëtarët shqiptarë: Shukri Rahimi, Agim Poloska, Alajdin Abazi, Ali Aliu dhe Luan Starova. Disa prej tyre kanë heshtur, ndërsa pjesa tjetër ka folur, duke tentuar të shmangë përgjegjësitë.

Në mesin e këtyre emrave të akademikëve akoma nuk janë rrëfyer Ali Aliu dhe Luan Starova, dy veteranët, që kohët e fundit janë shmangur larg opinionit publik, pas gjithë atyre zhvillimeve diskriminuese shqiptare në arsim, kulturë dhe shkencë.

Anëtari i kësaj akademie, Alajdin Abazi, që njihet si rektori i UEJL në Tetovë, ka theksuar se si anëtar i këtij institucioni ka qenë i anashkaluar edhe përkundër sugjerimeve të dhëna. “Me kohë u bënë përpjekje që të paralajmërohet institucioni shkencor për konsekuencat komplekse që mund t’i shkaktojë një “dokumentim” me qasje e tij të paargumentuar, por nuk kishte as mirëkuptim e as kujdes për këtë”, - ka theksuar akademik Abazi, duke pohuar se distancohet me vonesë nga ky projekt. Shukri Rahimi figuron si redaktor i enciklopedisë në pjesën e historisë shqiptare, por ai, edhe pse është deklaruar nga krerët e ASHAM se ka marrë honorare për punën e bërë, mohon pjesëmarrjen e tij në shtrembërimin e fakteve historike. Por një nga akademikët, Bllazhe Ristovski, ka theksuar se Rahimi ka qenë i përfshirë dhe tërë kohën ka marrë honorare për pjesëmarrje. “Enciklopedia Maqedonase” ishte një goditje e radhës antishqiptare, e cila konteston historinë dhe vlerat kombëtare shqiptare në këtë troje dhe ajo u përpilua para syve të shkencëtarëve shqiptarë, që paguhen nga ASHAM me honorare të majme.

INA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›