Vrasjet ende të pazbardhura të shkrimtarëve shqiptarë në MaqedoniNga Fadil Curri, “Lajm”Rrallë shtet tjetër në Evropën Juglindore është si Maqedonia. Ajo ende nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e vrasjeve, burgosjeve, vëzhgimeve, përgjimeve, përndjekjev
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Vrasjet ende të pazbardhura të shkrimtarëve shqiptarë në MaqedoniNga Fadil Curri, “Lajm”Rrallë shtet tjetër në Evropën Juglindore është si Maqedonia. Ajo ende nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e vrasjeve, burgosjeve, vëzhgimeve, përgjimeve, përndjekjeve e internimeve të shkrimtarëve e intelektualëve të saj, ndonëse është krijuar një komision lustracioni. Me pak fjalë, Maqedonia nuk dëshiron ndarjen nga komunizmi jugosllav.
Gjatë Luftës së II Botërore Maqedonia ishte laborator eksperimentues për shfarosjen e hebrenjve. Nga 8.000, sa kishte atëbotë këtu, sidomos në Shkup, Shtip e Manastir, vetëm disa qindra i shpëtuan vdekjes, duke u strehuar nëpër botë. Shpëtues më të denjë të jetëve të tyre në Ballkan ishin shqiptarët. Gjermania hitleriane hebrenjtë që i falte nga vrasja ishin vetëm intelektualët e artistët. Rrëfimet e hebrenjve (me disa shkupjanë të shpëtuar nga vdekja kam biseduar), dhe dëshmitë arkivore e botuese bindin se në mars 1943 i tubuan dhunshëm në Shkup dhe i internuan drejt Serbisë, ku u bë shfarosja e parë masive, pjesa e mbetur nga këndej në dhomat e vdekjes nëpër Evropë. Maqedonia atëbotë sundohej nga Bullgaria mbretërore, por Ligji i kobshëm fashist për “shëndet publik popullor”, që dekretonte shfarosjen e hebrenjve në Mbretërinë e Borisit, nuk u zbatua në tërë territorin monarkik bullgar. Brenda Bullgarisë së sotme nuk pati antisemitizëm shtetëror, si në Maqedoni. Disponimi antisemitik në Maqedoni duket se pati frymëzim serb dhe ky edukim gjenocidal u vazhdua ndaj shqiptarëve etnikë në Maqedoni.
Me shqiptarët ndodhi e njëjta gjë. Në Maqedoninë gjysmëshekullore u bë shtypje e nduarnduart ndaj shqiptarëve; përzënia e tyre në Turqi, vrasja e likuidimi misterioz në APJ e burgje, rrënimi i shtëpive, mos-hapja e shkollave dhe e institucioneve shqipe, ndalimi i flamurit, ndalimi i së drejtës së prindërve të kenë më tepër se tre fëmijë, ndalimi i emërtimit të fëmijëve dhe toponimeve sipas dëshirës, mohimi i autonomisë e shtetshmërisë shqiptare. Në Maqedoni burgjet, sidomos Idrizova famëkeqe, u bënë shtëpi e dytë e shumë shqiptarëve që mendonin kombëtarisht e fetarisht.
Deri më sot ende nuk janë hapur dosjet e qindra e mijëra shqiptarëve të burgosur, vrarë, përndjekur, përzënë nga puna e shumë mynxyra të tjera jetësore në Jugosllavinë e dikurshme, opinioni nuk ka dijeni për peripecitë skllavëruese të intelektualëve, ndër ta shumë artistë e shkrimtarë në binomin primitiv komunist Beograd-Tiranë (në këtë segment edhe Shkupi), nuk di për fatin e librave të zhdukur e të ri-autorizuar te tjetri, pak di për Kapllan Resulbegoviçin dhe “Tradhtinë e madhe” të tij të thjeshtësuar në “Tradhti” edhe më të madhe, madje edhe pa thonjëza. Është interesant si një ulqinak të përjetojë me përshkim shpirtëror “Ushtimën e Korabit”, si të ishte dibran.
Censura letrare bëhej nga gjyqi e policia, ushtria e junta, në krye me UDB e LKJ, saktësisht mashat e tyre nëpër redaksi e forume letrare. Mes viktimave kishte edhe shumë tekste-shkrues. Shkrimtarët të padrejtësuar ishin në jetë e në burg, madje edhe pas vdekjes e pësonin familjet, duke ua nëpërkëmbur gratë e fëmijët deri në çnderim, duke ua hequr të drejtën për jetë të dinjitetshme.
Në Maqedoni ende nuk është bërë zhdosjeizimi shoqëror, si ndodhi në vendet postkomuniste në Evropë e gjetiu, madje edhe në Gjermaninë rehabilituese ndaj viktimave hebreje. Është interesante për opinionin jo-komunist të dihet si duket vesi i kodoshllëkut, persekutuesit, liruesit, pastaj për motivin si janë burgosur për “arsye” të mendimit të lirë, pse ky ka qenë i ndaluar, si të ishte plumb terrorist. Dosjet do të ishin lëndë interesante për shkrimtarët e artistët e tjerë: këngëtarët, regjisorët, artistët figurativë, politikologët, filozofët etj.
Në Maqedoni ende nuk janë ndriçuar dosjet misterioze të disa shkrimtarëve që jetuan, vuajtën, vepruan dhe e pësuan në këtë nënqiell të zymtë ballkanik. Është fjala për Mahmud Dumanin, intelektual elitar, dyshohet edhe autor i veprave të zhdukura ose të ri-autorizuara dikujt tjetër sa ishte në burg; Sadudin Gjurrën e Shipkovicës së Tetovës, i cili, pasi doli nga burgu në gjendje të rrënuar mendore, vdiq pashpjegueshëm bjeshkëve të Sharrit; Sefer Selimin e Gostivarit, poet e gazetar, e vranë para shtëpisë së tij; Jusuf Gërvallën e “Flakës” së Shkupit, i vrarë në Shtutgardt të Gjermanisë; Gafurr Lokun, i burgosur i disahershëm politik edhe në Shkup, shpërndarës ilegal i librave e revistave të Shqipërisë, vrarë më 1999 në Paldenicë të Hanit të Elezit nga dora e pazbuluar; Shaqir Sadikun e Kërçovës e çmendën në burg dhe sa ishte gjallë jetoi shpirtërisht e mendërisht i dëmtuar; Avni Elmazin, i burgosur në Maqedoni, vdes në mënyrë të dyshimtë në Itali. Kemi edhe shumë poetë e shkrimtarë që më shumë jetuan me gardianët e burgut se me gratë, fëmijët e prindërit e tyre, gati në të gjitha komunat shqiptare në Maqedoni.
Heshtja dhe moskërkimi i zhdosjeizimit të shkrimtarisë viktimë duket se bëhet nga frika e ri-inkarnimit monist në Maqedoni ose e komoditetit shqiptar në kolltukët e harresës. Në shtetet postkomuniste të vrarët e të burgosurit nga regjimet u dëmshpërblyen. Madje, ndonjë i burgosur erdhi në krye të parlamentit shtetëror (Pjetër Arbnori në Shqipëri) dhe të vetë shtetit (Vaclav Haveli në Çekosllovaki), që të dy shkrimtarë të burgosur në vendet e tyre komuniste. Më tepër punë duhet të bëjnë Shoqata e lodhur e të Burgosurve dhe e të Përndjekurve Politikë Shqiptarë, ajo e historianëve dhe tjetra e shkrimtarëve të disperzuar shqiptarë në Maqedoni (ShShShM)”, apo ndonjë shoqatë tjetër, secila të sferës vepruese.
Amullia konformiste e shoqatave shqiptare në Maqedoni po krijon pastrimin e njollave shpirtërore të disa të dyshimtëve, madje edhe rehabilitimin kombëtar e kulturor të tyre, në vend që ky nder t’u bëhet viktimave të tyre. Ndaj, lëvizjet e figurat historike si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Skënderbeu, Nënë Tereza bëhen pronë përfituese e obskurantistëve letrarë e kulturorë nëpër simpoziume, konkurse shpërblyese e forume, sepse klanet e njëjta të dikurshme komuniste, me “flegmatikën” hipokrite dhe kryekëput në thelb mediokre, të veshur me gëzofët ideologjikë, të trimëruar edhe nga ithtarët e tyre naivë ose mitomanë në Kosovë e Shqipëri, kontinuitetin e riviktimizimit të shkrimtarisë e bëjnë edhe sot pavërejtshëm nga mendja populiste shqiptare. Logjika e mjegulluar e vegjëlisë nga intelektualizmi snobist i klanit obskur, si po rrjedhin trendet opinionore, një ditë do të votojë që edhe bashkëpunëtori i Millosheviçit të nderohet me shpërblimin “Adem Jashari”, mbase në ndonjë forum a parlament ku merr pjesë shqiptari.
Leximi publik i dosjeve të shkrimtarëve dhe të njerëzve të librit të kohës së komunizmit në Maqedoni do të ishte lëndë me interes interdisiplinar drejt hulumtimit e edukimit shoqëror perspektiv. Viktimat janë zemërgjera, falin dosjebërësit dhe kodoshët e tyre, sepse kanë falur edhe shumë gjëra më të shtrenjta e më të dashura për popullin e tokën. Si ka thënë lideri i ndjerë i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II (alias shkrimtari polak Karol Vojtila), kriminelët duhet të falen, por nuk duhet të harrohen. Ndaj, jeta e viktimave duhet të zhdosjeizohet për hir të opinionit, të lirohet shpirti i viktimave gjallë dhe të çlirohet historia e popullit të nëpërkëmbur e të ndaluar, të bindet bota se Maqedonia është përshëndetur pakthyeshëm me komunizmin, njëmendësinë që krijonte antishqiptari.
Zhdosjeizimi i biografive të dënuara dhe të poshtëruara më vonë të tekste-shkruesve shqiptarë duhet të bëhet sa më shpejt, më saktë dhe pa dhelpëri deri në shkallë të rehabilitimit ligjor (lustrues) edhe për një arsye: Kohët e fundit në faqet e internetit publikohen lista emrash të kodoshëve e spiunëve, ata që shkaktuan vrasjen, burgosjen e përndjekjen e shkrimtarëve. Shpesh mes kodoshëve figurojnë vetë shkrimtarë të burgosur e të përndjekur, sa njeriu që i merr informatat e pagdhendura fiton bindjen se shumë shkrimtarë paskan qenë kodoshë të përpunuar nga UDB, madje edhe kundër vetes. Ndonjë hartues listash përpiqet ta mjegullojë rolin e tij keqbërës, tjetri hakmarrës fut pameritueshëm dikë, të tretët pandehin se mund ta fshehin përjetësisht të vërtetën, disa heshtin duke ndërtuar yjësi andrallash për rikthimin e sistemit të sigurimit KOS. Paqartësia autoriale e listave me emrat e kodoshëve, viktimat e singularizmit jugosllav (lexo: maqedonas) shpirtërisht i ri-vret, i ri-burgos, i ri-përndjek, i ri-censuron në të gjallë dhe druhen se vepra e tyre nuk do të nderohet edhe në pas-jetë, duke i bindur fëmijët e të afërmit e viktimave të komunizmit se prindërit e tyre paskan qenë antikombëtarë!
Gjatë Jugosllavisë së Titos mediokritetet e tubuara rreth partisë së vetme LKJ (atdhetarët e intelektualët e rrallë dialektikisht i shuante shteti), me injorancë semantike të fjalive patriotizmin e tyre proletar e artikulonin me betimin “Pasha fenë e Muhamedit, a ina komunista a jo?” Doktrina hipokrite e tyre për mendjen populiste të hipnotizuar ishte e kapshme, kurse për intelektualët e urtakët e popullit dukej farsë deklarativiste politikaneske, sepse feja fisnike e Muhamedit asgjë të përbashkët nuk kishte me komunizmin kundër-islam, madje antipode me njëra-tjetrën. As shterpësia dehumanizuese e ndonjë personi në komunizëm dhe laurimi i tij për “humanizëm, ndikim në popull” s’ ka të përbashkët me veprën e devotshme të së lumnuemes Nënë Tereza. Analogjikisht shpërputhës është emblematizimi e laurimi i klanit kulturo-letrar me biografi plot njolla në Tomorin (jo Olimpin e tyre) e dijes e letërsisë, me tendencë përfaqësuese para botës (duke i përkthyer e promovuar në gjuhët e ndryshme) si të ishte shlyer kujtesa popullore, ende pa vdekur dëshmitarët e dëshmitë e freskëta e të pa-rehabilituara të vuajtjeve, kronikanët e krimit e të dënimit të përjetuar.
*Botohet me shkurtime. Titulli është redaksional