E Diel, 1 Nëntor 2026

Enciklopedia maqedonase, protestojnë intelektualët

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje keqardhjen për përmbajtjen e Enciklopedisë së Republikës së Maqedonisë, e cila paraqet pasaktësi historike për prejardhjen e shqiptarëve dhe për figura të rëndësishme të historisë së tyre. "Një reagim i tillë do të ishte i panevojshëm nëse kjo Enciklopedi nuk do të ishte botim i Akademisë së Shkencave të Republikës së Maqedonisë, një institucion shtetëror i saj", u shpreh kreu i KDK-së, Edmond Haxhinasto. "Ne vlerësojmë se përcaktimet joshkencore dhe arkaike të kësaj Enciklopedie nuk i shërbejnë as historisë, as së vërtetës, as kompleksit për të errësuar apo ngritur identitetet e kombeve. "Këto qëndrime janë manipulime politike dritëshkurtra, të cilat rrjedhin në kah të kundërt me frymën e harmonisë e bashkëjetesës midis kombeve dhe rrymat e integrimit të kombeve, të rajonit mes tyre dhe në strukturat euroatlantike", tha ai. LSI uron që kundër këtyre qëndrimeve të shprehet vetë shoqëria maqedonase, për të treguar pjekurinë e saj dhe respektin për shqiptarët si pjesë shtetformuese e Republikës së Maqedonisë.

Enciklopedia maqedonase ngjall zemërimin edhe të intelektualëve fierakë. Përfaqësues të shoqatave me karakter kombëtar dhe dhjetëra qytetarë fierakë zhvilluan dje paradite një tubim paqësor në sheshin kryesor të qytetit, ku i kanë kërkuar qeverisë dhe të gjitha autoriteteve shtetërore të reagojnë ndaj shpifjeve të fundit që janë lëshuar nga Maqedonia. Tubimi paqësor është drejtuar nga Shoqata Atdhetare e Bashkimit Kombëtar dega Fier. Përfaqësuesit e kësaj shoqate, në shenjë simbolike, kanë marrë pesë arkëmorte dhe mbi to kanë shkruar emrat e pesë heronjve të Vigut dhe i kanë vendosur ato në shesh. "Në shenjë simbolike për luftën e zhvilluar nga 5 heronjtë e Vigut, duam t‘i bëjmë thirrje jo vetëm kombit shqiptar për bashkim, por duam ti‘ tregojmë se ne jemi autoktonë, të gjitha atyre shtresave të huaja që tentojnë të cenojnë integritetin e shqiptarëve në Ballkan dhe në Europë, duke u përpjekur të hedhin baltë mbi këtë komb vital", është shprehur sekretari i Shoqatës Atdhetare për Bashkimin Kombëtar dega Fier, Kristaq Ziu. Pjesëmarrja e jashtëzakonshme, ngjyrimi kuqezi i gjithë qytetit të Fierit dhe kumtesat që u mbajtën nga intelektualë dhe përfaqësues të shoqatave të shumta, treguan themelin më solid të aktivitetit patriotik në shërbim të ringjalljes së ndenjës kombëtare. "Nuk ka shembull të dytë si ky yni, të ndarë në gjashtë shtete, të rrethuar nga vetvetja e të paintegruar më së pari si shqiptarë. Ne shqiptarët nuk kërkojmë më shumë se të jemi vetvetja, të jemi një e të integruar me njëri-tjetrin, të ulemi në tavolinat e NATO-s e të Bashkimit Europian ashtu siç na takon, me të drejta të barabarta si të gjithë shtet-kombet pjesëmarrëse në to", ka thënë përfaqësuesi i shoqatës "Kosova".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›