E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja 70 mijë euro e Priftit, gati kërkesa për pavlefshmëri

SHKRUAN: Leonard Bakillari 15-07-2011 11:17

Tiranë- Vendimi i Gjykatës së Lartë, që shpalli të pavlefshëm akt-ekspertimet e kryera nga ekspertët e huaj për videon Meta-Prifti, ka ngritur një pikëpyetje të madhe mbi çështjen që po hetohet aktualisht nga Prokuroria e Përgjithshme, për videon 70 mijë -euroshe të Dritan Priftit. Tashmë, debati juridik pritet të përqendrohet në vlefshmërinë ose jo të videos së dytë, të zbuluar nga eksperti amerikan, Glenn Brand, ku shfaqet ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti dhe zëvendësi i tij, Leonard Beqiraj. Kjo çështje pritet të zgjidhet nga Gjykata e Lartë, pas përfundimit të hetimeve, megjithatë avokati mbrojtës i ish-zv.ministrit të Ekonomisë thotë se kjo provë është nul. Duke iu referuar vendimit të para pak ditëve të Gjykatës së Lartë, avokati Vladimir Meçi shprehet se tashmë kjo provë është “proceduralisht e vdekur”, pasi vendimi i paankimueshëm i kolegjit penal ka ndikim të drejtpërdrejtë për çështjen objekt hetimi të Prokurorisë së Përgjithshme. Burime pranë organit qendror të akuzës shprehen se zbulimi i videos nga eksperti amerikan është një rast i veçantë dhe proceduralisht kjo provë është e vlefshme. Vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e avokatëve të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, për pavlefshmërinë relative dhe papërdorshmërinë, përkatësisht të akteve procedurale dhe akteve të ekspertimit të përpiluara nga eksperti amerikan, Glenn Bard dhe eksperti nga Mbretëria e Bashkuar, Adrian Philips. Arsyetimi i gjykatës kishte të bënte me procedurën e ndjekur për caktimin e ekspertëve dhe veprimet e mëvonshme të kryera nga prokuroria, lidhur me marrjen e aktit të ekspertimit, të cilat sipas gjykatës janë kryer në shkelje të Kodit të Procedurës Penale. Pikërisht ky vendim pritet të shfrytëzohet nga avokati i z.Beqiraj, për të kërkuar pushimin e çështjes penale në ngarkim të klientit të tij. “Ky vendim i Kolegjit Penal, për më tepër i paankimueshëm, ka ndikim edhe në procedimin penal që Prokuroria e Përgjithshme po zhvillon ndaj ish zv.ministrit të METE-s, Leonard Beqiraj. Arsyeja është e thjeshtë, për shkak se regjistrimi i realizuar nga Dritan Prifti me të mbrojturin dhe përfaqësuarin prej meje, Leonard Beqiraj, është zbuluar gjatë ekspertimit të videos Meta-Prifti nga eksperti amerikan Glenn Bard” - shprehet avokati Vladimir Meçi. Sipas tij, në kushtet kur Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e konsideron të pavlefshëm ekspertimin e kryer nga eksperti amerikan, si dhe cilëson të papërdorshme të gjitha veprimet e mëvonshme që pasojnë caktimin si ekspert të tij nga ana e prokurorisë, rrjedhimisht ka deklaruar të tillë edhe “zbulimin” nga ana e këtij eksperti të regjistrimit Prifti-Beqiraj. “Kjo do të thotë se ky regjistrim, në momentin që Kolegji Penal është shprehur, është një provë “proceduralisht e vdekur”, e paqenë”- thotë mbrojtësi i ish-zv.ministrit të Ekonomisë, Leonard Beqiraj. Në deklaratën e tij, avokati Meçi shkon më tej duke kërkuar nga prokuroria pushimin e kësaj çështjeje penale, pasi për fillimin e procedimit ndaj Leonard Beqirajt, ka shërbyer si e vetmja provë pikërisht ky regjistrim, që sipas tij nuk ka më vlerë ligjore. “Prokuroria duhet që menjëherë të pushojë çështjen ndaj Leonard Beqirajt dhe, mua më duket se nuk ka rrugë tjetër” - tha avokati Vladimir Meçi. Lidhur me këtë çështje, burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se i takon gjykatës të vendosë nëse kjo provë është ose jo e vlefshme. Megjithatë, çështja komplikohet akoma më shumë, pasi në të njëjtën seancë, kur u shpallën të pavlefshme akt-ekspertimet, me kërkesë të avokatëve, kolegji penal pranoi të administrojë si provë në procesin gjyqësor ndaj Metës edhe video-përgjimin mes ish/zv.ministrit Dritan Prifti dhe vartësit të tij, Leonard Beqiraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›