Ndërrimi i viteve, 20 të helmuar, 7 të plagosur
Fier
Dy persona mbetën të dëmtuar aksidentalisht në një lokal nate nga rikosheta e një arme të shkrehur aty
Urgjenca e spitalit rajonal të Fierit në hyrjen e Vitit të Ri vizitoi rreth 20 persona të alkoolizuar dhe të helmuar nga ushqimet e konsumuara gjatë festës. Një situatë e tillë ka zgjatur edhe në ditët në vijim, duke shkaktuar edhe probleme për shkak të grindjeve të pacientëve të dehur me mjekët.
Ndërkohë, gjatë festimit të ndërrimit të viteve ka pasur edhe përdorime të armëve të zjarrit, përveç fishekzjarreve duke lënë edhe të plagosur.
Kështu, në Patos dy persona janë plagosur dhe janë dërguar me urgjencë në spital. Sipas policisë, është identifikuar autori i ngjarjes, e cila ka ndodhur në një disko, ndërsa mësohet se plumbi ka bërë rikoshet e më pas ka plagosur dy të rinjtë që ndodheshin aty për të festuar.
Ndërkohë, në spital mësohet të ketë mbërritur edhe një i plagosur me thikë, banor i lagjes "1 Maji" të Fierit, ndërsa bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, brenda familjes. Policia ka identifikuar autorët për të dyja ngjarjet, ndërsa dy vetë janë shoqëruar në komisariat.
Po kështu në këtë vit të ri kanë ndodhur dy aksidente automobilistike. Një aksident ka ndodhur në aksin Fier - Seman në vendin e quajtur "Fermë Çlirimi", rreth 3 kilometra larg qytetit të Fierit.
Aksidenti i pari ka ndodhur rreth orës 18:00 të datës 2 janar, kur dy motoçikleta të drejtuara nga dy të rinj janë përplasur fort me njëra-tjetrën. Si rezultat të dy drejtuesit kanë marrë plagë në trup, por njëri prej tyre, nga Topoja e Fierit, është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, në Tiranë, pasi ka marrë fillimisht ndihmë në spitalin e Fierit.
Vetëm një orë më pas, po në të njëjtën rrugë, si pasojë e shpejtësisë së lartë, janë përplasur një automjet tip "Benz" me targa të Fierit, dhe një automjet tip "Toyota" me targa greke. Drejtuesit e mjeteve janë plagosur, ndërsa janë dërguar në spitalin e Fierit, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa në datën 3 janar, një automjet tip "Golf", me targa italiane ka marrë flakë ndërsa lëvizte në aksin Fier-Vlorë. Ajo drejtohej nga një 17-vjeçar dhe bashkë me të ndodheshin në automjet edhe dy pasagjerë. Mësohet se zjarri është parë të dilte nga kroskoti i makinës.
Nga frika, të gjitha udhëtarët kanë braktisur mjetin. Mësohet se shkak për këtë ka qenë përdorimi si karburant i gazit. Gjatë kohës së shuarjes së zjarrit, aksi rrugor është bllokuar për rreth 30 minuta. K.Thanasi