E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria i dërgon fletëthirrjen e dytë Damir Fazlliçit

Hetuesit i kërkuan avokatit të njoftonte një datë për paraqitjen.

Habjon Hasani
Prokurorët e çështjes “Fazlliç” i kanë komunikuar zyrtarisht pak ditë më parë avokatit të Fazlliçit, Genc Gjokutaj, interesin e tyre për ta marrë të dyshuarin Fazlliç në pyetje. Si rregull, avokati Gjokutaj do t’u komunikojë prokurorëve një datë në të cilën klienti i tij do të jetë i gatshëm për t’u paraqitur para tyre. Por burime nga organi i akuzës kanë bërë të ditur se “avokati mund të komunikojë dhe mosdëshirën e Damir Fazlliçit për t’u paraqitur, ndërsa ai mund të autorizojë avokatin e tij për ta kryer këtë procedurë”. Megjithatë, hetuesit e çështjes janë shprehur se deri tani nuk kanë asnjë arsye që të paragjykojnë vendimin e Damir Fazlliçit për paraqitje ose mosparaqitje, ndërsa është konfirmuar fakti se avokati Gjokutaj u ka premtuar atyre një përgjigje të shpejtë pasi të marrë orientimet nga klienti i tij.
Fletëthirrjet
Kjo është hera e dytë që prokurorët kërkojnë të pyesin të dyshuarin për pastrim parash, Damir Fazlliç. Hera e parë ishte kur Fazlliç u paraqit në Tiranë për një intervistë televizive dhe u nis me shpejtësi drejt Rinasit(në çarterin e tij) porsa u sinjalizua se prokurorët kishin vendosur që ta pyesnin lidhur me aktivitetin e tij. Momenti kur u dërgua fletëthirrja e parë ishte shumë delikate pasi të gjitha mediat pa përjashtim flisnin dhe raportonin vetëm për këtë skandal, epiqendër e të cilit ishte Fazlliç, së bashku me disa familjarë të qeveritarëve më të lartë dhe ortakëve të tyre. Prokuroria e nisi fletëthirrjen e parë vetëm pak orë pasi kishte regjistruar çështjen, ndërsa tentativa e tyre për të pyetur(me dëshirë) të dyshuarin Fazlliç u interpretua nga qeveria si një veprim me motive politike dhe i qëllimshëm. Konflikti arriti kulmin kur qeveria kërkoi “hetim ndërkombëtar” për Fazlliç, veprim ky që nxiti një reagim të madh të ndërkombëtarëve. Hetimi në Tiranë për pastrim parash i serbo-boshnjakut Damir Fazlliç ka vënë në lëvizje dhe struktura hetimore të shteteve të tjera, ku Damir Fazlliç kryen aktivitet tregtar. Madje, “Albania” ka informuar e para se pak kohë më parë disa hetues të huaj kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë marrë kontakte me zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa njëra prej hetueseve, Sindi Eldrixh, asiston në Prokurorinë e Përgjithshme hetimin e çështjes “Gërdeci” dhe të çështjes “Fazlliç”.
Fazlliç
Të tjera të dhëna të rëndësishme i janë shtuar listës së provave lidhur me aktivitetin tregtar të shtetasit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç. “Albania” ka mësuar se Prokuroria ka marrë në dorëzim disa të dhëna faktike, të cilat lidhen me veprime financiare të Fazlliçit që duket se kanë lidhje me kompanitë që ai ka ngritur në Shqipëri. Më konkretisht, Fazlliç ka arritur të kalojë në llogarinë e tij personale të paktën 2 milionë e 500 mijë euro falë transaksioneve që janë kryer nga llogari bankare të Zvicrës, ndërsa dërguesja ka qenë një firmë që mendohet se është qipriote dhe një firmë angleze. Njëra prej firmave quhet “Pluto co ltd”, ndërsa ajo angleze quhet “Rouservices”. Në të dy rastet, veprimet janë kryer nga Zvicra. Të dhënat Prokuroria i ka bashkëngjitur me dokumentacionin ekzistues, ndërsa paraprakisht mendohet se të dhënat bankare të dërguesit dhe të marrësit të sasisë së parave përkojnë me disa dërgesa dhe veprime që Fazlliçi i ka kryer nëpërmjet kompanive të tij në Tiranë.

20 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›