Të përndjekurit i kërkojnë Kuvendit të miratojë hapjen e dosjeve
Shoqata e të Përndjekurve Politikë i bëri thirrje dje Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë sa më shpejt ligjin për hapjen e dosjeve. Sekretarja e kësaj shoqate, Liljana Ndoci, shprehu shqetësimin për reagimet e përfaqësuesve të majtë ndaj ligjit të dosjeve. Ajo shtoi se ligji duhej të ishte edhe më i ashpër. “I bëjmë thirrje të djathtës e të majtës në Kuvend të këmbëngulin që ky ligj të miratohet sa më parë, pavarësisht se ky ligj duhet të ishte me sanksione më të rënda për ish-persekutorët tanë. Gjykatësit dhe prokurorët, që dënuan me vdekje poetët, deputetët, fjalën e lirë, nuk mund të bëjnë më drejtësi në demokraci”, - u shpreh dje sekretarja e kësaj shoqate, Liljana Ndoci. Ajo shprehu shqetësimin për reagimet e përfaqësuesve të majtë ndaj ligjit të dosjeve, miratimi i të cilit po zvarritet ende nga politika shqiptare. “Këta zotërinj, duke pretenduar se ligji shkel Kushtetutën shqiptare dhe Rezolutën e KE-së për dënimin e krimeve të komunizmit, po i dalin zot krimeve monstruoze të komunizmit, duke i bërë kështu avokaturën më të turpshme sistemit më çnjerëzor që ka njohur njerëzimi që nga lindja e tij”, - është shprehur Ndoci.
Dule del në mbrojtje të Bollanos: “Akuzat janë shpifje”
Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, reagon për akuzat ndaj shoqatës "Omonia" dhe kryetarit të saj, Vasil Bollano. Vangjel Dule është shprehur dje se sulmet politike dhe mediatike ndaj Vasil Bollanos dëmtojnë proceset integruese të vendit dhe marrëdhëniet e mira mes Shqiperisë dhe Greqisë. Sipas kreut të PBDNJ-së, qëndrimet ndaj kërkesave të "Omonia"-s janë shpifje dhe trillime. Akuza të ashpra Dule hodhi edhe ndaj mediave, që, sipas tij, po i hedhin benzinë zjarrit duke ndikuar për keq në këtë konflikt të stisur. Pak ditë më parë, media shqiptare publikoi një dokument në të cilin kërkohej nga qeveria greke që të mos ratifikonte MSA-në me Shqipërinë nëse kjo e fundit nuk plotësonte disa kushte për minoritetet. Edhe gjatë seancës së fundit parlamentare, deputetë të Kuvendit kërkuan fillimin e procedimit penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Himarës.
20 Dhjetor 2008