E Diel, 1 Nëntor 2026

Ende nuk ka mbaruar

Edmond Arizaj 

Për ditë me radhë, dy mbrojtësit kryesorë të Kodit Zgjedhor në shumicën e debateve publike, ishin Skënder Gjinushi dhe Erion Veliaj. Njëri i mbijetuari i madh i politikës (së vjetër) dhe tjetri i kapur fort pas këmbëve të Edi Ramës me politikën e re dhe obamizmit. Për çudi kanë qenë të paktë për të mos thënë fare përfaqësimi nga krahu i djathtë që mbronte Kodin e ri. Mungesën e tyre e plotësonte përfaqësuesi i të majtë-të djathtës (social-demokrate) dhe përfaqësuesi i numërorëve (99). Asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk mori guximin që gjatë një greve urie të kolegëve të tyre, të dilnin në një debat publik për të mbrojtur qëndrimin politik të kryetarit të tyre, apo qëndrimin personal për votimin. Madje, një gjë të tillë gati nuk e bënë edhe në seancën e votimit, por e mbushën seancën e zbrazur me retorikë anti-berishiane, kur dukej haptazi pazari nën tavolinë dhe jo bashkëpunimi transparent. Mosguximi i tyre lidhet ose me respektin ndaj grevës së kolegëve, gjë që duket e pamundur, ose ata nuk e njihnin Kodin dhe as e çonin në mendje t’i hynin një debati ku do të dilnin të humbur, ose e kuptonin që po bënin një rrëmbim në plot kuptimin e fjalës dhe nuk donin të bëheshin më shumë antipatikë.
Megjithatë, kush ishin mbrojtja e vetme e Gjinushit dhe Veliajt për Kodin. Gjinushi, si një politikan që nuk ia ha qeni shkopin, por mbi të gjitha si matematicien, ku vlen sërish shprehja me qenin, në çdo debat e ka futur bisedën në ca hullira përqindjesh dhe presjesh dhjetore, nga e cila dilej vetëm duke lajmëruar bllokun e reklamave. Ndërsa nga ana tjetër, Veliaj si një rishtar në politikë, entuziazmohej nga mundësia se do të kishte vëzhgues, i cili do të mbante shënim të gjitha parregullsitë, do t’i kopsiste, do t’i çonte në gjykatë dhe së bashku me të gjitha ankesat e të dhjetëra vëzhguesve të tjerë do të priste i qetë përgjigjet pas pesë muajve, teksa qeveria e re do të ishte duke ndërruar ballin e parë të ministrave. Kjo në rastin kur dritat nuk do të ikin për asnjë sekondë dhe kutitë nga qendrat e votimit do të vijnë të pastra e të paprekura me votën e lirë të shqiptarëve.
Natyrshëm Gjinushit nuk i thua dot naiv, por cinik në të gjitha qëndrimet e tij. Sepse kryetari i PSD-së e di fort mirë se asnjë prej partive të tjera aleate të PS dhe PD nuk mund të krahasohen me LSI-në. Ndërsa ai përpiqet me plotë mundim ta ngatërrojë edhe LSI-në te “partitë e vogla”, duke justifikuar me këtë rast edhe mërzinë e gjatë të ndërkombëtarëve për ngatërrestarët e vegjël politikë, mes të cilëve ndër vite flamurin e ka mbajtur vetë Gjinushi. Ndërkohë që LSI në 2005 vetëm pas një viti krijim konkurroi e vetme përballë PD, PS dhe Dushkut. Dhe po të njëjtën gjë ka kërkuar edhe për zgjedhjet e 2009-ës. Secili të konkurrojë i vetëm në mënyrë të ndershme. Gjinushi e di shumë mirë se ndershmëria vdiq me këtë kod.
Ndërsa për Veliajn mund ta përmbledhim vetëm në eksitim politik gjithë adrenalinën e shkarkuar kundër grevistëve, kundër çdo debatuesi që i dilte përballë, dhe lumturinë e madhe që ndiente se nesër mund të ishte një deputet në Kuvend, sepse votën ia ka mbrojtur Berisha dhe Rama si dhe pionieri (pionerja) që do të vendosë si vëzhgues. Në fakt, populizmi i tij lë paksa për të dëshiruar, sepse në kundërshtim me të gjithë demagogët, nuk ka aspak politikë brenda. Madje, as shpresë. Në kundërshtim nga idhulli i tij i ri amerikan. 
E përbashkëta e të dyve, Gjinushit dhe Veliajt është fjala, ishte se partitë e tjera duhet të kishin më shumë besim. Ndoshta Gjinushi më pak të artikuluar këtë pjesë. Por nëse gjithçka tashmë papritur duhet të ndërtohet mbi besimin, pse Berisha dhe Rama nuk kishin besim tek administrata shqiptare, tek njerëz apolitikë. Ose tek e fundit, pse Berisha dhe Rama, të sigurt në arritjet dhe suksesin e padiskutuar të tyre nuk kishin besim te partitë e tjera dhe le të ishin ato shumica e komisioneve. Apo Berishës dhe Ramës u lejohet dyshimi, ndërsa të tjerëve jo.
Zgjedhjet e 2009-ës tashmë janë në dyshim serioz. Madje, vetë politika shqiptare është në dyshim serioz, pasi në 18 vjet ndodhën shumë ngjarje, por dy partitë e mëdha, opozitare mes tyre, ende nuk kishin arritur të ndanin çdo gjë nën tavolinë. Kjo ndodhi mes Ramës dhe Berishës. Dhe ç’është më e keqja, ende s’ka mbaruar. Tani do pjesë edhe Veliaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›