E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu, tërhiqen këshilltarët

 

BURREL/ HASAN PASHA

Kryefjala e mbledhjes së djeshme të Këshillit Bashkiak Burrel ishte tërheqja e mendimeve të specialistëve të fushës për heqjen e bustit të Skënderbeut nga sheshi para bashkisë. Ndryshe nga dy mbledhjet e mëparshme, shumica e këshilltarëve janë tërhequr në argumentet e tyre duke u shprehur se pa dhënë mendimin e tyre historianët, arkitektët, urbanistët, skulptorët, etj., nuk mund të vendoset spostimi i bustit të Skënderbeut dhe vendosja aty e shtatores së ish-mbretit Zog. Rreth dy orë, 13 këshilltarët e pranishëm kanë debatuar se cili duhet të ishte vendimi i këshillit, pas tre mbledhjeve për të njëjtën çështje. Kryetari i Këshillit, Besnik Murati tha se paçka se ai është dhe kryetar i degës lokale të PLL-së nuk ka imponuar këshillin të vendosë për vendvendosjen e shtatores së ish-mbretit. “Unë jam shprehur dhe po e përsëris, - nënvizoi Murati, - duhet të presim mendimin e specializuar për miratimin e sheshit se ku do të vendoset shtatorja e Ahmet Zogut. Duhet t’i kërkojmë bashkisë të ngrejë një grup pune, me specialistë të fushës, dhe ky studim duhet të vijë për miratim në këshill”. Në diskutimet e shumta të këshilltarëve ra në sy debati mes tyre në lidhje me heqjen ose jo të bustit të Skënderbeut nga sheshi ku ndodhet aktualisht. Nezir Rizvani, këshilltar i kësaj bashkie dhe kryetar i degës lokale të PD-së pohoi se ai dhe kolegët e tij nuk po diskutojnë dhe nuk po mohojnë vlerat historike të Skënderbeut, por sipas tij madhësia e bustit aktual është e vogël për sheshe publike. “Ahmet Zogu është një figurë e gjithëpranuar nga banorët e Matit. Ai themeloi shtetin shqiptar, ishte mbreti i parë i Shqipërisë. Në shumë rrethe të tjera të vendit simbolet e Zogut po vendosen. Me rikonstruksionin e sheshit para bashkisë busti i Skënderbeut nuk mund të qëndrojë aty”, tha Nezir Rizvani. Krejt ndryshe nga ai u shpreh Adelina Farrici, këshilltare dhe kryetare e PS-së për Bashkinë e Burrelit. Duke iu kundërvënë mendimeve të shprehura në dy mbledhjet e kaluara dhe në atë të djeshmen, ajo tha se “jemi të vegjël të vlerësojmë Skënderbeun. Mua, më ka ardhur turp pse jemi bërë objekt mediatik, duke u marrë me një figurë kaq të madhe të historisë tonë kombëtare. Kemi folur e vazhdojmë të kërkojmë që për probleme kaq të rëndësishme gjithçka të vendoset me konsensus. Mendimi i shumicës së qytetarëve është që me figurën e Heroit tonë Kombëtar të mos luhet. Nuk mund të pranohet nga askush që në vend të bustit të Skënderbeut të vendoset shtatorja e Ahmet Zogut. Ne nuk jemi këtu që figurat historike të zëvendësojnë njëra-tjetrën. Jemi kundër mendimit që busti i Skënderbeut të mbyllet në Muzeun Historik të rrethit”, pohoi Farrici. Pas argumenteve pro e kundër këshilli vendosi të autorizojë administratën e Bashkisë Burrel për të ngritur një grup pune me urbanistë, skulptorë, arkitektë, historianë, ambientalistë, etj, të cilët të japin mendime rreth temës mjaft të debatuar të vendvendosjes së bustit të Skënderbeut dhe shtatores së ish mbretit.

Vlorë, ndihmë qeverisë për pallatin

VLORE – Këshilli Bashkiak i Vlorës vendosi dje që t’i drejtohen qeverisë për të zgjidhur problemin e pallatit që rrezikon shembjen në lagjen “29 Nëntori”. Pas tragjedisë së ndodhur në Gjirokastër, banorët e një pallati 5-katësh në Vlorë kanë ngritur shqetësimin në pushtetin vendor. Kjo çështje ka qenë dje pjesë e mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Sipas Kryetarit të Bashkisë, Shpëtim Gjika, pas marrjes së informacioneve nga banorët u ngrit një komision verifikimi dhe vlerësimi në vend, në bazë të të cilit rezulton se pallati është dëmtuar dhe vazhdon të dëmtohet nga dita në ditë, duke vënë në rrezik 80 persona. “Për këtë problem kam kërkuar ndihmën e kryeministrit, sepse bashkia nuk ka fonde të mjaftueshme dhe besoj se kryeministri do ta ketë në prioritetet e tija emergjente”. Po sipas Gjikës, toka ku është ndërtuar pallati të merret në pronësi nga banorët, të shembet pallati ekzistues dhe të sigurohet një fond për të ndërtuar një tjetër të ri. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›