QSU, 962 mijë euro për djegie-plastikën
Plot 962 mijë euro për një ndryshim rrënjësor të shërbimit të djegie Plastikës në spitalin “Nënë Tereza”. Në ambientet e tij u nënshkrua dje kontrata me Komisionin Evropian për projektin 1 vjeçar që do të nisë shumë shpejt nga zbatimi. Qëllimi i këtij projekti është trajtimi në mënyrë bashkëkohore i patologjisë së djegies, ndaj përfshin përshtatjen e infrastrukturës së reanimacionit të këtij shërbimi me standardet evropiane. Gjithaq do të përshtaten dhomat e terapisë intensive. Do të mundësohet instalimi i pajisjeve mjekësore të reanimacionit si dhe furnizimi me materiale mjekimi për një vit. Projekti parashikon gjithashtu trajnimin e stafit prej 6 mjekë kirurgë, 5 anestezistë-reanimatorë dhe 25 infermierë. “Implementimi me sukses i projektit në 4 komponentët e tij do ta afrojë shërbimin e djegie-plastikës me standarde evropiane dhe do të shërbejë si shembull për të vijuar punën për përfitimin e mëtejshëm të projekteve, po kaq të rëndësishëm në të ardhmen”, tha Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Projekti është përgatitur nga mjekët specialistë të shërbimit të djegie-plastikës dhe ekspertë të Ministrisë së Integrimit. “QSUT ofron shërbime terciare, të cilat nuk mund të ofrohen nga spitale të një niveli tjetër, ndaj ka rëndësi kombëtare, pasi synon që shërbimi i djegie-plastikës të shërbejë si qendër e rëndësishme në ndihmë të pacientëve”, tha Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli.