E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, maskat grabisin dy makina

 

VLORE - Rishfaqen maskat në Vlorë. Dy drejtues automjetesh denoncuan mbrëmjen e së mërkurës në Policinë e Vlorës. Sipas tyre, një person me maskë dhe i armatosur i kishte ndaluar dhe iu kishte grabitur para dhe bizhuteri. Policia bëri të ditur se i njëjti person me maska në harkun kohor të disa minutave ka bërë të dy grabitjet. Ato janë ndodhur në afërsi të plazhit të Vjetër, në perëndim të qytetit. Në fillim preh i grabitjes ka rënë makina me targa VL 5522C. Sipas të dëmtuarve, personi me maskë dhe me pistoletë në dorë kërcënoi pronarin e makinës, duke i marrë atij  një shumë prej 500 eurosh dhe një varëse floriri. Ndërkohë që pak minuta më pas, i markuari ka ndaluar edhe makinën me targa VL 5831 B. Në këtë automjet grabitësi ka mundur të marrë 27 mijë lekë, një byzylyk dhe një varëse floriri si dhe kasetofonin e makinës. Policia në bazë të të dhënave ka nisur hetimet, por autori i ngjarjes e ende nuk është identifikuar.                                       q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›