E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godina, studentët e juridikut transferohen te shkolla “Migjeni”

 

“Problemi i pezullimit të mësimit në Fakultetin e Drejtësisë, të Universitetit të Tiranës do të marrë një zgjidhje të shpejtë”, këtë bëri me dije dje Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Ndërkohë, Drejtoria Arsimore e Tiranës do të vërë në dispozicion të Universitetit të Tiranës për fakultetin përkatës, shkollën “Migjeni” te Rruga “Fortuzi” në kryeqytet. Mësimi do të zhvillohet në këto ambiente  deri sa  të kryhen të gjitha verifikimet e grupit të ekspertëve. Nga sa bëri me dije MASH është kërkuar ngritja e një grupi të ri ekspertësh në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit”. Ata së bashku me përfaqësuesit e MASH dhe Universitetit të Tiranës do të angazhohen menjëherë për të saktësuar veprimet e nevojshme, që zhvillimi i mësimit në godinën e Fakultetit të Drejtësisë të jetë i garantuar”, sqaroi zëdhënësja e MASH. Në mbështetje të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Shkencave Sociale doli dje edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, “Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të marrë seriozisht shqetësimin e studentëve dhe pedagogëve për godinën që ka pësuar çarje në ambientet e katit të parë”, tha Kule. Ai shtoi se orët që studentët po humbin do të zëvendësohen në fundjavë, sapo të zgjidhet problemi i godinës. Rreth 3000 studentë të Fakulteteve të Shkencave Sociale dhe të Drejtësisë kanë pezulluar mësimin prej tri ditësh, pasi ndihen të rrezikuar nga çarja e mureve të ndërtesës. Dekanët e Fakulteteve të Shkencave Sociale, Dhori Karaj dhe Drejtësisë, Skënder Kaçupi, janë në pritje të verifikimit të parametrave inxhinierikë të ndërtesës, pas vendimit të marrë për këtë qëllim në mbledhjen e fundit të Senatit të Universitetit të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›