E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Kryeziut, policia në dilemë

 

Dashamir Biçaku

Zhdukja e Ismet Kryeziut shtatë ditë pas largimit enigmatik nga banesa e vjehrrit të tij në Tiranë, konsiderohet ngjarje në udhëkryq, pasi policia dhe prokuroria ende nuk kanë bërë një klasifikim për dosjen. Burime zyrtare nga hetimi thanë se të dhënat për atë çfarë ka ndodhur me 54-vjeçarin, ish-veprimtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë të vakëta. Në dosje ndodhet deri më tani versioni i dhënë nga familjarët për largimin nga banesa, por nuk ka asnjë provë për rrëmbim. Sipas zyrtarëve të policisë, kjo situatë nuk e ka ndihmuar hetimin dhe zbardhjen e të vërtetës për zhdukjen e ish-eksponentit të UÇK-së. Hetuesit konfirmuan se kanë marrë në pyetje të gjithë personat e përmendur sikur kishin lënë takim me Ismetin në kohën që ai iku pa adresë nga banesa dhe nuk u kthye më. Të gjithë këta persona janë shprehur në polici se nuk janë takuar me të zhdukurin. Njëri prej tyre, Dilaver Goxhaj, i njohur si mik i Ismet Kryeziut, ka pranuar se kishte lënë takim me të, por se nuk ishte takuar, pasi i zhdukuri nuk është paraqitur. Goxhaj ka pohuar se e ka pritur mikun nga Kosova në një kafe pranë shtëpisë së tij në Tiranë, porse ai nuk kishte ardhur. Dilaver Goxhaj ka pranuar se i ka vënë në dispozicion të policisë të gjitha mesazhet telefonike që ka shkëmbyer me Ismet Kryeziun ditën e zhdukjes së tij, kur 54-vjeçari humbi kontaktet me familjen. Sipas burimeve të Policisë së Tiranës, Dilaver Goxhaj ka pranuar përpara hetuesve se ka pasur mosmarrëveshje me Ismet Kryeziun, por nuk kishte arsye t’i bënte keq. Ndërkaq policia ka qenë në pritje të zbardhjes së tabulateve telefonike të celularit të Ismet Kryeziut në Shqipëri. Të njëjtat burime kanë pohuar për gazetën “Panorama”, se një urdhër i tillë pritet të nxirret nga Prokuroria e Tiranës me qëllim që kompanitë e telefonisë së lëvizshme të japin versionin e tyre mbi telefonatat dhe lëvizjen e të zhdukurit. Grupi hetimor po pret të marrë në pyetje edhe persona të tjerë, që mendohet se kanë pasur dijeni mbi lëvizjet e Ismet Kryeziut gjatë ditës së shtunë kur ndodhi zhdukja e tij. Agjentët e policisë thanë se hetimi për motivin e largimit nga banesa të Ismet Kryeziut mund të vazhdojë deri sa të afërmit apo persona të tjerë të hedhin dritë mbi shkakun e ngjarjes dhe personat që mund të jenë implikuar në largimin me dëshirë apo rrëmbimin e 54-vjeçarit. Nga të dhënat e sistemit TIMS, ai nuk ka dalë jashtë Shqipërisë të paktën nga pikëkalimet kufitare. 

Ish-komandanti i UÇK-së: I zhdukuri nuk kishte lënë të takohej me mua
TIRANE - Adem Shehu, ish-komandant i brigadave të UÇK-së në zonën e Llapit, i njohur i të zhdukurit Ismet Kryeziu, është njëri nga personat që është përmendur se kishte lënë takim me të zhdukurin ditën që ai humbi gjurmët. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Adem Shehu sqaroi pozicionin e tij në këtë ngjarje.   
Z.Shehu, në ç’rrethana keni mësuar për zhdukjen e Ismet Kryeziut dhe ç’dini për këtë fakt?
Largimin pa adresë të Ismet Kryeziut e kam marrë vesh nga bashkëshortja e tij, e cila më telefonoi ndërsa isha duke udhëtuar në Grykën e Këlcyrës, por aty nuk kishte valë, ndaj e mora unë kur isha në Mallakastër. Më pyeti nëse e kisha takuar Ismetin të shtunën në mbrëmje, sepse u kishte thënë në shtëpi se do pinte një kafe me mua dhe me Dilaver Goxhajn. I thashë të shoqes se me Ismetin nuk kam pirë kafe dhe nuk kishim komunikuar për të lënë takim. Për herë të fundit unë e kam takuar Ismetin në fund të gushtit. Ai erdhi atëherë Tiranë, ndërsa më tha se po merrej me përgatitjen e historikut të lëvizjes së Frontit për Çlirimin e Kosovës.
Pra ju thoni se nuk kishit lënë takim me të?
Jo, absolutisht. Nuk e dija që ai ishte në Shqipëri. Nëse do ta kisha ditur dhe do të kisha lënë kafe me të, do të kisha lënë më herët dhe jo ditën që do të largohej?!
Në polici, ju Adem Shehu, Dilaver Goxhaj dhe djali i tij, Dritan Goxhaj, jeni përmendur si personat që kishit lënë për të takuar Ismetin ditën që u zhduk...
Nuk e di kush ia ka dhënë këto informacione familjes së Ismetit. Të shtunën unë kam qenë në shtëpi, të dielën jam kthyer sërish në Tiranë. Pra, nuk kam pasur mundësi për ta takuar, pasi as nuk kisha lënë takim me të. Unë e mora bashkëshorten e Ismetit kur u ktheva dhe e sqarova. Pas kësaj bisede më ka marrë Dilaveri dhe gjithashtu atë e sqarova për këtë situatë. Ai më pyeti nëse Ismeti kishte qenë nga unë dhe i thashë jo. Në orën 22:00 më mori në telefon Çerçizi, vjehrri i Ismetit, dhe më tha që do të denonconte ngjarjen. Iu përgjigja që të bënte denoncim dhe nëse i duhej ndonjë ndihmë nga ana ime të më thoshte.
Një person nga Kosova i ka telefonuar familjes dhe i ka thënë se duhej ta kërkonte Ismetin tek miqtë e tij në Tiranë. Ju dhe Goxhajt jeni njerëzit e përmendur me të cilët thuhet se kishte lënë takim Ismeti, si është e vërteta?
Kam folur në telefon me këtë person, nuk ia mbaj mend emrin si quhej dhe e pyeta pse nuk vinte në Tiranë të bënte denoncimin. Më tha që s’mundej. Atëherë i thashë “të marr unë dhe të shoqëroj me njerëzit e mi, ose nga Qafë-Thana, ose nga Morina dhe të vinte në Tiranë të jepte deklarimin. Në të kundërt i thashë shko në përfaqësinë diplomatike tonë në Prishtinë, me një pasaportë me vete dhe kërko të japësh një deklaratë, ku të sqarosh ato që di dhe ato që i ke thënë Anila Kryeziut, të shoqes së Ismetit.
A ju ka thirrur policia për t’ju pyetur?
Më kanë njoftuar që do të thirrem të paraqitem në Komisariatin nr. 4 dhe pres të më thërrasin të shkoj të jap deklarimet e mia. Sigurisht që do të them ato gjëra që unë di për këtë çështje. Pak a shumë këto që ju thashë dhe ju.

Dilaver Goxhaj: Ismet Kryeziu kërkoi ndihmë nga ne për borxhin në Prishtinë

TIRANE - Dilaver Goxhaj është personi i dytë i përmendur nga të afërmit e të zhdukurit gjatë kallëzimit të bërë në polici. Sipas kallëzimit, Ismet Kryeziu kishte lënë takim me Dilaver Goxhajn kur doli nga shtëpia për të mos u kthyer. Goxhaj sqaroi versionin e tij për ngjarjen, gjatë një rrëfimi për gazetën “Panorama”.     
Z. Goxhaj ju jeni një nga personat e përmendur në polici, se kishit lënë takim me Ismet Kryeziun kur ai doli nga shtëpia dhe nuk u kthye më, a e keni takuar këtë person të shtunën në mbrëmje?
Është e vërtetë që unë kisha lënë një kafe me të, por nuk jemi takuar, sepse Ismeti nuk erdhi. Të shtunën paradite, rreth orës 10:00, më ka marrë në telefon dhe më pyeti ku mund të pinim një kafe. I thashë që isha te Panairi i Librit me ca miq, por kur të dilja nga panairi do e merrja. Dola nga panairi rreth orës 14:00 dhe i bëra një thirrje, sepse nuk kisha mbushje në telefon. Më ktheu sms dhe më pyeti ku mund të takoheshim. E lamë tek një kafe në rrugën “Bardhyl”, ku e kisha takuar për herë të fundit në Tiranë, në muajin shtator. E prita deri në orën 15:30, por ai nuk erdhi.
Më tej çfarë ndodhi?
Të nesërmen në mëngjes më mori në telefon bashkëshortja e tij, Anila, dhe më pyeti nëse e kisha takuar Ismetin, të shtunën në orën 18:00, sepse ai nuk kishte qenë në shtëpi atë natë. E sqarova që unë kisha lënë një takim me të, por ai nuk erdhi dhe unë vazhdova në punën time, sepse kisha një dasmë. Ajo më kërkoi numrin e telefonit të Adem Shehut dhe unë i dhashë atë të shtëpisë, sepse atë kisha. Në këto rrethana unë kam marrë vesh se Ismeti nuk ishte kthyer në shtëpi atë natë. Të nesërmen, ditën e hënë rreth orës 10:00, polici i lagjes erdhi dhe më njoftoi se duhej të paraqitesha në komisariat për një sqarim, por në fakt nuk më shkoi në mendje pse më kishin thirrur. Shkova në polici bashkë me djalin se thirrën dhe atë dhe na morën në pyetje ndarazi.
Për çfarë ju pyetën?
Si e kisha njohur Ismetin, për kafen që kisha lënë me të, pse nuk e kisha takuar e gjëra të kësaj natyre. U tregova se nuk e kisha takuar Ismetin dhe historinë e komunikimit tim me të, të shtunën.
Për herë të fundit kur e keni takuar Ismetin dhe për çfarë keni biseduar?
Për herë të fundit jam takuar me Ismetin në Tiranë në fund të gushtit, ose në fillim të shtatorit të këtij viti, ndërsa në Prishtinë në një dasmë që më kishte ftuar një miku im. Më kërkoi për të bërë një kumtesë për historikun e Frontit Çlirimtar, si dhe për një histori rreth aktivitetit të tij në Front. Më dërgoi materialet dhe disa pjesë gazetash për arrestimin e tij në Shqipëri në vitin 1993.
A ju ka folur ndonjëherë Ismeti për ndonjë problem shqetësim, apo ndonjë përplasje që mund të kishte?
Nuk di të ketë pasur armiq, apo njerëz me të cilët mund të jetë përplasur. Kjo është ajo që di unë, por më tej ai e di vetë ç’probleme ka pasur.
Është folur nga policia për një problem borxhi që ai ju ka kërkuar juve ose Dritanit që ta ndihmonit, për çfarë bëhet fjalë?
Me se mund ta ndihmoja unë, me paratë e mia!? Ka pasur diçka që ai erdhi dhe kontaktoi me tim bir Dritanin, dhe kërkoi ndihmë për t’i shtyrë afatin për një punë borxhesh në Prishtinë. Dritani u lidh me disa miq të tij në Prishtinë dhe mundi t’ia shtynte afatin e borxhit. Por se sa para borxh kishte dhe kujt ia kishte nuk e di. Ndoshta Dritani im bir e di.
Po me Dritanin, djalin tuaj, a është takuar gjatë kësaj kohe dhe a keni pasur mosmarrëveshje me Ismetin?
Nuk e di nëse janë takuar apo jo, por marrëdhëniet e tyre dhe tonat kanë qenë gjithmonë të mira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›