E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria dënon dhunën

Nga Valmir Klaiqi më 12 maj 2011 në ora 21:30

(E plotësuar) Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqimisht manifestimin e dhunës ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, me rastin e vizitës së shefit të delegacionit të Serbisë për dialogun teknik, Borisllav Stefanoviq, e cila ka ndodhur me leje të Qeverisë së Kosovës.

“Shprehja paqësore e pakënaqësisë dhe protestës është e drejtë demokratike dhe kushtetuese e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ushtrimi i dhunës ndaj organeve të sigurisë së Republikës së Kosovës, me ç’rast pati të lënduar, dhe vandalizmi ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm. Aktet e tilla tregojnë se ky grupim politik, ashtu si në të kaluarën, nuk heq dorë nga dhuna për realizimin e qëllimeve të ngushta politike”, thuhet në deklaratë.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët e Kosovës për maturi dhe siguron ata, që procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të përfundojë me njohjen reciproke në mes të dyja shteteve dhe integrimin e tyre në BE dhe NATO.

Stefanoviq përfundon vizitën në Kosovë

Pak para orës 20.00 shefi i ekipit negociator serb Borisllav Stefanoviq ka lëshuar ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe është nisur drejt Serbisë, në përcjellje të Policisë së Kosovës.

Brahim Sadriu, zyrtar për media pranë Policisë së Kosovës ka thënë për Kosovapress se Stefanoviq pas përfundimit të takimeve me zyrtarë qeveritarë është nisur për në Serbi, i përcjellë nga Policia e Kosovës.

Ai nuk bëri të ditur se përmes cilës pikë kufitare do të kalojë Stefanoviq, i cili në mëngjes, edhe pse ishte thënë se do të hynte në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinjë, kishte “ndërruar mendjen”, duke kaluar përmes Merdares.

Në orët e mbrëmjes në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës është parë duke dalë edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Piter Feith, por ai nuk deshi të komentojë zhvillimet rreth vizitës së shefit të ekipit negociator serb Borisllav Stefanoviq.

“Rruga nuk është vend për deklarime”, ka thënë Feith.

21 të lënduar në protestat e Vetëvendosjes

Policia e Kosovës ka njoftuar se 21 persona janë lënduar, 15 policë dhe gjashtë protestues, gjatë protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje para ndërtesës së re të Qeverisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj vizitës së shefit të ekipit negociator serb Borisllav Stefanoviq në Kosovë. Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë konfirmuar se ka pasur të lënduar në mesin e protestuesve, përfshirë edhe liderin Albin Kurti.

Brahim Sadriu, zyrtar për media pranë Policisë së Kosovës, ka thënë se në protestën e sotme morën pjesë rreth 400 persona, një pjesë e të cilëve, 50 deri në 60 protestues kanë qenë të dhunshëm dhe kanë përdorë mjete të forta, ngjyrë, gurë, të cilat i kanë hedhur në drejtim të objektit të qeverisë dhe veturave zyrtare, duke shkaktuar dëme materiale.

“Si pasojë e këtyre veprimeve 15 zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore, prej tyre dy janë lënduar rëndë dhe janë nën kujdesin mjekësor. Në anën tjetër sipas, QKUK-së gjashtë persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore ku pesë prej tyre janë liruar pasi kanë marrë trajtimin mjekësor ndërsa një është ende duke u trajtuar. Veprime të tilla të dhunshme kanë vazhduar edhe para objektit të qeverisë dhe parlamentit dhe si rrjedhojë një numër i xhamave janë thyer nga hedhja e mjeteve të forta dhe gurëve. Policia për të parandaluar veprimet e tilla dhe pasojat nga këto veprime është dashur ta përdorë gazin lotsjellës dhe ndërkohë ka arrestuar dy protestues, të dyshuar si të involvuar në këtë rast”, ka thënë ai.

Sipas tij, aktualisht disa persona po vazhdojnë të qëndrojnë para ndërtesës së Qeverisë dhe Parlamentit, ndërkaq policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta kontrolluar situatën.

Por, Sadriu nuk ka dashur të komentojë akuzat e Vetëvendosjes për përdorim të dhunës nga ana e policisë.

“Për çdo veprim policor përpilohen raportet pas përfundimit të tërë të aktiviteteve dhe shihen se çka ka ndodhur në të vërtetë”, ka thënë ai.

Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë konfirmuar se ka pasur të lënduar në mesin e protestuesve, përfshirë edhe liderin Albin Kurti. Dardan Molliqaj, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për Kosovapress se si pasojë e ndërhyrjes policore janë lënduar shtatë aktivistë të Vetëvendosjes.

“Sipas informatave që kemi deri më tash janë lënduar shtatë aktivistë të Vetëvendosjes, tre prej tyre më rëndë, dy prej tyre janë në spitalin e Prishtinës, ndërsa një në institucionet private shëndetësore. Njëri ndër shtatë aktivistëve të lënduar të Vetëvendosjes është Albin Kurti, i cili është lënduar me një sasi të konsiderueshme spreji që i është hedhur në afërsi prej 1 metër në fytyrë dhe në sy”, ka thënë Molliqaj.

Për më tepër, Molliqaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po negocionin për Kosovën, duke pranuar të zhvillojë takime me zyrtarë të Serbisë, e cila vazhdon të kundërshtojë njohjen e shtetit të Kosovës.

“Vetëvendosja ka dashur t’ia pengojë hyrjen në takimin zyrtar, i paraparë në Qeverinë e Kosovës dhe t’ia skuqë veturën zyrtarit serb nga Serbia, për t’i treguar se ani pse politikanët tanë janë të korruptuar dhe të shantazhuar për faqe të zezë dhe i kanë xhipat e zi, në Kosovë ende është kuq dhe ai nuk ka çka të lypë në Kosovë, përderisa nuk e njohin vullnetin e popullit të Kosovës dhe nuk kërkojnë falje për atë që kanë bërë”, ka thënë Molliqaj.

Policia, sipas Vetëvendosjes, ka arrestuar aktivistët Abdyl Osmani, Albion Rexhepi dhe
Azbi Gashi, të cilët gjithashtu janë të lënduar rëndë.

16 persona të lënduar gjatë protestës

Policia e Kosovës ka njoftuar se deri më tash, 10 pjesëtarë të kësaj policie dhe 6 protestues janë lënduar gjatë protestës së sotme të Lëvizjes Vetëvendosje, të organizuar në shenjë kundërshtimi me vizitën e Borko Stefanoviqit, shefit të delegacionit serb në bisedimet me Serbinë.

Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë, tha se dy nga 10 pjesëtarët e lënduar të forcave të rendit janë në gjendje të rëndë. Këto lëndime janë shkaktuar derisa Stefanoviq takohej me zëvendës kryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, në objektin qeveritar, që ndryshe njihet si ish–Rilindja.

Protestuesit kanë hedhur mjete të forta në drejtim të ndërtesës qendrore të qeverisë, duke thyer disa nga dritaret në tre katet e para të kësaj ndërtese, derisa Stefanoviq takohej me homologen e tij, Edita Tahiri.

Thyhen xhamat e ndërtesës së Qeverisë

Derisa brenda në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës është duke u zhvilluar takimi në mes Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviqit, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar të hedhin gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë, kurse ka ndërhyrë edhe Njësia Speciale e Kosovës, e cila po gjuan gaz lotsjellës dhe ka filluar ta shpërndajë turmën e protestuesve. (KosovaPress)

Stefanoviq largohet, protesta vazhdon

Borko Stefanoviq është larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, nga një dalje dytësore, mëson Express nga burime të saj.

Megjithëse ishte planifikuar që shefi i delegacionit serb për bisedime, të takonte edhe homologen e tij kosovare, Edita Tahiri, nuk dihet nëse takimi do të zhvillohet.

Ndërkohë protesta e organizuar nga Vetëvendosje po vazhdon.

Në mesin e të lënduarve tashmë janë edhe tre policë, të cilët kanë pësuar nga gurët e hedhur nga protestuesit.

Eskalon protesta e Vetëvendosjes

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë gjuajtur me gurë dhe me shishe me ngjyrë të kuqe në oborrin e ndërtesës së re të Qeverisë së Kosovës, ku po zhvillohej takimi ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës Hajredin Kuçi dhe shefit të ekipit negociator të Serbisë, Borisllav Stefanoviq.

Policia ka përdorur gaz lotësjellës kundër aktivistëve të Vetëvendosjes, ndërkohë që janë lënduar një numër protestuesish.

Sipas një komunikate shtypi të Lëvizjes Vetëvendosje, nga dhuna e policisë janë lënduar aktivistët Gëzon Kastrati, Astrit Fazliu, Zgjim Hyseni, Veton Dragusha, Nystret Azemi dhe Naim Jakaj, të cilët janë dërguar në Emergjencë.

Vetëvendosje ka njoftuar se aktivisti i saj Beni Rakoci është i lënduar në kokë, pa dhënë më shumë detaje.

Në mesin e të lënduarve nga gazi lotsjellës janë edhe drejtuesit e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.

Aktivistët e Vetëvendosjes kanë gjuajtur me gurë dhe shishe me ngjyrë të kuqe në drejtim të veturave që ndodheshin në oborrin e ndërtesës së re të Qeverisë së Kosovës, me ç’rast disa vetura kanë pësuar dëme materiale, raporton KosovaPress.

Protestuesit kanë brohoritur “Vetëvendosje-Vetëvendosje”, “Marre-marre” dhe parulla tjera kundër Qeverisë së Kosovës.

Në vendin e ngjarjes, pasdite ndodhen ende forca të shumta speciale të policisë së Kosovës.

Policia ka ndërprerë qarkullimin për vetura në rrugën përballë ndërtesës së re të Ekzekutivit.

Aktivistët e Vetëvendosjes vazhdojnë protestën

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët po protestojnë para ndërtesës së Qeverisë, tek ish objekti i Rilindjes, kanë dëmtuar disa makina të Policisë së Kosovës duke hedhur gurë në oborrin e ndërtesës.

Ata kanë hedhur edhe ngjyrë të kuqe në oborrin e këtij objekti, duke kundërshtuar në këtë formë vizitën e udhëheqësit negociator serb Borko Stefanoviq.

Vetëvendosje bllokon hyrjet e Qeverisë

Aktivistë dhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bllokuar të gjitha hyrjet në Qeverinë e Kosovës, për të kundërshtuar në këtë formë ardhjen në Kosovë të udhëheqësit e ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanovic.

Shpend Ahmeti tha për Telegrafin se është e pakuptimtë që të pranohet në takim një person i cili lufton vazhdimisht kundër pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që zyrtarë të institucioneve të Kosovës janë treguar të gatshëm për tu takuar me të.

Ndryshe, udhëheqësi i ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanovic ka hyrë në Republikën e Kosovës. Ai dhe ekipi i tij janë nën përcjelljen e vazhdueshme të Policisë së Kosovës që po e shoqërojnë drejt Prishtinës.

Agjenda e tij ka ndryshuar. Stefanovic ka ardhur më herët se që është thënë, ndërkaq edhe takimet e tij me zyrtarë vendor pritet të mbahen më herët se që është paraparë.

Stefanovic hyri në Kosovë

Shefi i delegacionit serb në bisedimet Prishtinë-Beograd, Borko Stefanovic ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdare, thonë burime të ExpressOnline.

Nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, ai do të vijë në Prishtinë, ku do të takohet më Ministrin e Drejtësisë Hajredin Kuçi, pastaj me Shefen e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, Edita Tahiri.

Qeveria e Kosovës nuk ka lëshuar asnjë komunikatë për media lidhur me takimet që do të zhvillohen me zyrtarin serb. Nuk është paraparë as edhe mbajtja e ndonjë konferencë për media. Po ashtu, nuk pritet që Stefanovic, gjatë kësaj vizite, ta takojë ndonjë zyrtar tjetër shqiptar apo serb të Kosovës.

Pritet që ai ta jap një intervistë për një nga mediat e Kosovës.

Sefte n’Republikë

Për herë të parë që nga përfundimi i luftës, një zyrtar i Serbisë takohet me përfaqësues të Kosovës në Prishtinë. Shefja e delegacionit të Kosovës për dialog me Beogradin, Edita Tahiri, do ta presë Borko Stefanovicin në zyrën e saj, në ndërtesën e Qeverisë. Përfaqësues të opozitës refuzojnë ta takojnë atë. Presidenti serb, Boris Tadic, vizitën e cilëson të dobishme.

Nga Valmir Klaiqi

Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanovic, mbërrin të enjten (sot) në Prishtinë dhe në mesditë do të qëndrojë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Në orën 14, ai do të takohet me zëvendëskryeministren Edita Tahiri në kabinetin e saj, por në këtë takim ajo e pret mysafirin në kapacitetet e njëjta me të, si shefe e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe të Serbisë në Prishtinë, që nga përfundimi i luftës.

“Mund të konfirmojmë se shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, do ta presë të enjten në takim zyrtarin serb në zyrën e saj në Qeveri”, ka thënë Visar Xani, zyrtar në kabinetin e Tahirit.

I pyetur se a do të jenë prezente simbolet e Kosovës dhe të Serbisë në këtë takim, Xani tha se nuk mund të flasë për detaje, por shtoi se takimi do të mbahet sipas rregullave të protokollit.

Ai, po ashtu, tregoi se pas takimit, Tahiri e Stefanovic nuk do të kenë konferencë për gazetarë.

Deri të mërkurën në mbrëmje agjenda e Stefanovicit ende ka qenë e hapur për takime.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili në emër të institucioneve e ka aprovuar këtë vizitë dhe ka shprehur gatishmërinë ta takojë zyrtarin serb, megjithëkëtë, të mërkurën nuk ka mundur të konfirmojë përfundimisht.

Një tjetër zyrtar i Kosovës, zëvendëskryeministri Slobodan Petrovic, gjithashtu ka shprehur gatishmëri që të takohet me Stefanovicin.

Petrovic ka deklaruar për mediet serbe se “Stefanovic dëshiron ta promovojë vetveten gjatë kësaj vizite”.

Përfaqësuesi serb në dialogun me Kosovën ka shprehur dëshirë të takohet me zyrtarë të ndryshëm të institucioneve, si dhe me liderë të partive politike parlamentare.
Mirëpo, deri më tash, as kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe asnjë nga partitë parlamentare nuk kanë pranuar të takohen me të.

Kryetari i Kuvendit, Krasniqi, ka thënë se Stefanovic nuk paraqet një nivel politik që të takohet me të dhe ai beson se takimet do të realizohen me delegacionin e Kosovës në bisedime me Beogradin.

“Vizitën e kryenegociatorit serb e shohim si vazhdim të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, një vazhdim ndoshta paksa më i zbehtë, por vazhdim i atij dialogu edhe në Kosovë. Realisht nuk është niveli që të pritet nga kryetari i Kuvendit një zyrtar i administratës serbe. Sigurisht ai do të pritet nga administratorët dhe bashkëbiseduesja e tij në Bruksel, pra do të pritet edhe në Prishtinë”, ka theksuar Krasniqi.

Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se vizita zyrtare e kryenegociatorit serb, Borko Stefanovic, në Kosovë është ofendim për qytetarët e Kosovës.

Shpend Ahmeti, anëtar i kësaj lëvizjeje, gjatë një konference për media të mërkurën ka thënë se është ofenduese për qytetarët e Kosovës që vendi të vizitohet nga një zyrtari i një shteti, i cili nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe se kjo nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës bën kompromise të tilla.

Po ashtu, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka shprehur ndonjë vullnet politik që ta presë Stefanovicin.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, është shprehur se ia sheh për të madhe Qeverisë se si e pret në një nivel kaq të lartë një përfaqësues të administratës së Serbisë.

“Jo, nuk kemi vullnet. Nuk jemi të gatshëm që të takohemi me nivel të administratës të Qeverisë së Serbisë dhe mendojmë se janë duke gabuar rëndë edhe zëvendëskryeministrat e Kosovës që po e përfaqësojnë në mënyrë kaq të padenjë sovranitetin e Kosovës, duke u takuar me njerëz shumë nën nivelin e tyre. Nëse një vizitë e tillë ndodh dhe pritet nga nivelet më të larta të Qeverisë së Kosovës, atëherë Kosova realisht po fyhet”, është shprehur Gjini për Radion Evropa e Lirë.

Tadic: Vizita përmirëson atmosferën

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, vizitën e Borislav Stefanovicit në Kosovë e ka komentuar si një përmirësim në atmosferën e bisedimeve.

“Është mirë që Stefanovic shkon në Prishtinë, t’iu sqarojë institucioneve të Prishtinës se cilat janë qëllimet e Republikës së Serbisë, të përpiqemi të gjejmë disa qëllime të përbashkëta në tërë procesin e dialogut, i cili nuk është aspak i lehtë”, tha Tadic.
Presidenti serb theksoi se Serbisë “i nevojitet progres në temat e caktuara” të bisedimeve dhe vlerësoi se vizita e së enjtes e Stefanovicit në Prishtinë mund t’i kontribuojë atmosferës më të mirë.

Tadic tha se “është mirë që ndërmjet institucioneve shqiptare në Kosovë dhe shtetit të Serbisë të iniciohet një lloj i dialogut, i cili nuk nënkupton se Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës”, por mundëson të zgjidhen problemet e njerëzve në Kosovë.

“Jeta e tyre nuk mund të bllokohet”, tha Tadic, duke shtuar se Serbia nuk do të heqë dorë nga politika e ruajtjes së integritetit të saj dhe me asnjë çmim nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Tadic shprehu dëshirën që kapitulli në dialogun Prishtinë-Beograd të mbyllet para tetorit, e edhe para dhjetorit, kur mund të pritet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.

“Ky është interesi ynë”, theksoi presidenti serb.

“Gënjehen shumë të gjithë ata që mendojnë se Serbia është e gatshme t’i kapërcejë të ashtuquajturat ‘vija të kuqe’ për statusin e vendit kandidat dhe për të marrë datën e bisedimeve për anëtarësim në BE”, tha Tadic.

“Ne duam të zgjidhim konfliktin që ekziston në hapësirat e Europës Juglindore. Ne nuk duam të sjellim konflikte të reja në BE, por njëkohësisht nuk mund të shantazhohemi me asgjë kur është fjala për mbrojtjen e interesave tona legjitime kombëtare”, tha Tadic.

Deda në Dialog
Presidentja Atifete Jahjaga ka emëruar këshilltarin e saj kryesor, Ilir Deda, përfaqësues të saj në ekipin e Kosovës për dialog me Beogradin.
“Emërimi është bërë pas kërkesës së udhëheqëses së ekipit të dialogut teknik të Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, si dhe në përputhje me platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun teknik ndërshtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në një njoftim për media të Zyrës së Presidentes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›