E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende s’ka datë për raundin e ri

Raundi i ardhshëm i dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pritet të fillojë këtë muaj, por ende nuk është caktuar data. Kësaj radhe në agjendë të diskutimit, pritet të jenë tri çështje, si ajo e bashkëpunimit rajonal, mandej telekomunikacioni dhe energjia, kurse gjatë këtij muaji pritet të fillojë të zbatohet marrëveshja për diplomat universitare.

Edhe pse ditë më parë zëvendëskryeministrja dhe njëherësh kryenegociatorja Edita Tahiri tha se dialogu mund të fillojë nga mesi i janarit, data për takim ende nuk është caktuar.

Dren Zeka këshilltari i kryenegociatores, ka thënë nëpërmjet telefonit për Kosovapress se ndërmjetësi Robert Cooper është duke u angazhuar për caktimin e një date të mbajtjes së raundit të nëntë të dialogut.

“Ende nuk është caktuar data. Ndërmjetësi Robert Cooper është duke biseduar me ne dhe me palën serbe që të harmonizoj qëndrimet dhe të vendoset një datë. Ne presim që shumë shpejtë data të caktohet dhe t’ia bëjmë me dije opinionit se cila është data se kur do të fillon raundi i nëntë i dialogut teknik”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Zeka tha se sipas dakordimeve të arritura më parë në Bruksel nga ky muaj do të fillojë edhe zbatimi i marrëveshjes për njohjen e diplomave nga të dyja palët.

“Këtë muaj do të fillojë zbatimi i marrëveshjes së arritur më parë për njohjen reciproke të diplomave, ajo për vulat doganore vetëm është duke u zbatuar dhe të shohim si po rrjedhin. Ne jemi marrë vesh që zbatimi të fillojë në muajin janar, të gjitha përgatitjet e nevojshme janë bërë dhe presim që të fillojë zbatimi këtë muaj posa të marrim sinjalin edhe nga Brukseli që edhe pala serbe është e gatshme”, ka deklaruar ai.

Edhe në këtë rast, Zeka theksoi se Prishtina në vazhdimësi është duke diskutuar me Brukselin dhe po raporton lidhur me zbatimin ose jo të marrëveshjeve të arritura deri më tani në tetë raunde të dialogut.

Kryenegociatorja Edita Tahiri me të hyrë në vitin 2012 ka deklaruar se Qeveria e Kosovës gjatë dialogut teknik do të vazhdojë të tregojë përkushtim, seriozitet dhe konstruktivitet, gjithnjë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e vendit dhe platformën e Qeverisë për dialogun. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›